Mbledhja e jashtëzakonshme, pa fitues dhe humbës
Thirrja e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së, me kërkesë të Serbisë, pas incidenteve të fundit në Mitrovicën e Veriut, dhe polemika në këtë mbledhje mes Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hiseni, vazhdojnë të komentohen gjerësisht nga analistët politikë shqiptarë dhe serbë. Sigurisht, secila palë nga këndvështrimet e veta. Analistë shqiptarë të ndryshëm konsiderojnë se fitues në polemikën e lartpërmendur, mbi bazën e argumenteve të paraqitura, padyshim që është shefi i diplomacisë kosovare. Sidoqoftë, të një mendimi të ndryshëm janë analistët serbë.
Predrag Simiç, profesor i Fakultetit të Shkencave Politike të Beogradit, i vuri në dukje dje gazetës së përditshme serbe, “Danas”, se “mbledhja e KS-së ishte hapi i fundit në lojën që, mbas shpalljes së mendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës, do të përfundojë ose do të hyjë në një faze të re”. Simiç tha se përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe të Francës kishin në krahasim me Serbinë një këndvështrim tjetër sa i përket incidentit që ndodhi më 2 korrik në Mitrovicën e Veriut, ku gjatë një shpërthimi u vra një serb dhe u plagosën 11 të tjerë. Sipas tij, Tadiçi u përpoq t’i bindte të tjerët se fjala ishte për një akt terrorizimi, kurse për përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk kishte ndodhur asgjë më tepër sesa një “incident i izoluar”. “Nga fjalimi që mbajti Hiseni në OKB, u pa qartë se Prishtina synon ta rrumbullakosë historinë për pavarësinë, duke vendosur pushtetin e vet në veri të Kosovës dhe në enklavat e tjera. Hapja e zyrës së qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut synon që të krijojë një situatë të faktit të kryer që autoritetet kosovare të vendosin pushtetin e tyre në të gjithë territorin, me qëllim që gjykatësit e GJND-së të jenë të detyruar që, gjatë shprehjes së mendimit të tyre, të marrin parasysh gjendjen reale në terren dhe jo argumentet juridike”, vuri në dukje analisti serb. Kurse lidhur me “polemikën e papritur” mes Tadiçit dhe Hisenit në mbledhjen e KS-së, Simiçi nënvizoi se, sipas tij, fjala është për një risi në marrëdhëniet e ndërsjella. “Serbia, siç duket, e ka pranuar formulimin që ka përcaktuar ministri i Jashtëm francez, Bernar Kushner, sipas të cilit: ‘Mirë, mos e njihni Kosovën, por sidoqoftë duhet të komunikoni me të’”, theksoi ai.
Agron Bajrami, kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore” të Prishtinës, nga ana e tij i tha “Danasit” se Serbia, me kërkesën e saj për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të KS-së, u përpoq edhe një herë tjetër që Kosova të shqyrtohet në OKB si “një problem ende i pazgjidhur”. Analisti i mësipërm shqiptar theksoi se opinioni publik kosovar ishte befasuar që KS e OKB-së kishte pranuar të thërriste një mbledhje urgjente të tij për çështjen në fjalë. Ai tha se përshtypja mbizotëruese në Prishtinë ishte se Serbia u përpoq që t’u hidhte hi në sy të tjerëve, por nuk arriti dot. “Megjithëse pritej që Beogradi do të përpiqej ta shfrytëzonte incidentin në Mitrovicë për arritjen e pikëve politike, kësaj here Tadiçi nuk arriti ta bënte këtë”, theksoi analisti Bajrami, duke shtuar se ai (Tadiçi) u përpoq të kombinonte kërcënimet se do të rishikonte marrëdhëniet me misionet ndërkombëtare në Kosovë me përpjekjet për t’ia hapur rrugën idesë se dialogu i ardhshëm Beograd-Prishtinë nuk do mund ta injorojë çështjen e statusit. Po ashtu, ai theksoi se deklarimet për “fitues” dhe “humbës” në këtë mbledhje të KS-së së OKB-së janë të gabuara. “Ndërkohë që opinioni publik në Serbi ose ai në Kosovë reagon si në një ndeshje futbolli, të gjithë ne, kush më pak e kush më shumë, jemi të destinuar që të jemi humbës, për më tepër njerëzit e zakonshëm që jetojnë në vende si Mitrovica e Veriut, pra në Mëhallën Boshnjake”, vuri në dukje kryeredaktori i gazetës prishtinase, “Koha Ditore”.
#