Shkurtimet, Qeveria ndryshon strukturën
Qeveria ndryshon strukturën për të gjitha institucionet qendrore dhe ato të varësisë.Në mbledhjen e 16 qershorit 2011 me vendim nr. 474 është miratuar përcaktimi i standardeve dhe procedurave që duhet të ndiqen gjatë hartimit dhe miratimit të strukturave organizative për institucionet buxhetore. Nga ky vendim përjashtohen vetëm punonjësit e arsimit dhe ata të shëndetësisë. Një prej problemeve të identifikuara nga grupi i punës gjatë hartimit të aktit ishte se në shumë institucione ka më shumë punonjës mbështetës (punëtorë, magazinierë, shoferë) sesa punonjës në funksionet e ofrimit të shërbimeve. Për këtë qëllim, në pikën 7 të vendimit është përcaktuar se Pozicionet e dedikuara për funksionet mbështetëse në çdo institucion nuk duhet të kalojnë 33% të numrit të përgjithshëm të pozicioneve të institucionit. Në vendim është përcaktuar gjithashtu situata kur mund të krijohet një sektor dhe kur mund të krijohet një drejtori më vete. Konkretisht, një sektor mund të krijohet kur ka një shef sektori dhe dy vartës, ndërkohë që në disa raste është vërejtur se ka pasur sektor me një shef dhe një vartës. Krijimi i drejtorisë është përcaktuar në pikën 21 të vendimit. Një drejtori mund të krijohet nëse ka në përbërje të saj të paktën dy sektorë të drejtuar nga një shef ose, nëse ka të paktën 5 (pesë) punonjës, thuhet në vendim. Nga analizat paraprake që ka bërë Ministria e Financave, ka rezultuar se ka drejtori ku janë të punësuar një drejtor, dy përgjegjës sektori dhe dy specialistë. Vendimi rregullon gjithashtu edhe situatat kur mund të funksionojë zyra e marrëdhënieve me jashtë dhe ajo me publikun. Me përjashtim të ministrive, këto dy zyra në të gjitha institucionet e varësisë apo agjencitë nuk organizohet si njësi organizative më vete, por ky funksion kryhet nga titullari i institucionit. Funksionet e marrëdhënieve me publikun nuk organizohen si njësi organizative e veçantë, me përjashtim të rastit kur misioni i institucionit e kërkon një funksion të tillë të veçuar. Si rregull, marrëdhëniet me publikun mbahen nga drejtuesit e njësive organizative të institucionit, ndërsa funksioni i zëdhënësit kryhet nga kabineti i titullarit të institucionit ose nga vetë ky i fundit, thuhet në vendimin e qeverisë.
Lëvizjet brenda institucionit
Vendimi parashikon gjithashtu edhe lëvizjet brenda institucionit pas hyrjes në fuqi. Pozicionet, që kryejnë funksione të së njëjtës fushë, grupohen në sektorë, drejtori të përgjithshme, në rast se plotësohet standardi numerik për krijimin e njësive organizative respektive. Pozicionet, që kryejnë funksione të ngjashme, grupohen në të njëjtën njësi organizative, thuhet në pikën 10 të vendimit të Këshillit të Ministrave.
Të pavarurit me organikë të re, dy vjet kohë për ta hartuar
Vendimi i qeverisë përcakton afate konkrete se kur duhet të nisë zbatimin. Në pjesën e fundit, Dispozita tranzitore, thuhet se brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendit duhet që institucionet të përshtatin strukturën me standardet e përcaktuara në këtë vendim. Në të njëjtën kohë, akti u rekomandohet edhe institucioneve të pavarura. Për këto institucione nuk mund të ketë detyrime, për shkak se struktura e tyre përcaktohet me ligj të veçantë të votuar me shumicë të cilësuar në Parlament. Brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, për institucionet në fushën e ekzekutivit, dhe 2 (dy) vjetëve, për institucionet e tjera, strukturat organizative duhet të përshtaten sipas standardeve të përcaktuara në kreun I, të këtij vendimi, thuhet në pikën 49 të vendimit. Akti i miratuar në qershor nga qeveria përcakton gjithashtu se institucionet e pavarura kryejnë funksione rregullatore dhe të ofrimit të shërbimeve. Gjithashtu në këto institucione, njësia më e lartë organizative është drejtoria e përgjithshme, e cila krijohet vetëm në rastet kur plotësohen standardet numerike.
Hartimi i strukturës
Sipas këtij vendimi, Departamenti i Administratës Publike (DAP) përgatit ndryshimin e strukturës për Kryeministrin e për institucionet në fushën e ekzekutivit. Ndërsa për rastet kur struktura është përgatitur nga organet e tjera, siç përcaktohet në ligj, merret në mënyrë të detyrueshme edhe mendimi i DAP-it dhe Ministrisë së Financave. Ndërkohë, deri më tani nuk kishte një vendim ku të përcaktohej si e detyrueshme marrja e mendimit të Ministrisë së Financave. Gjithashtu, për rastin e strukturës së institucioneve të pavarura, Kuvendi kërkon detyrimisht mendimin e Financave dhe të DAP-it. Pasi institucioni i paraqet DAP-it propozimin e tij për ndryshimin e strukturës, ky i fundit mund të kërkojë sqarime shtesë dhe mund të bëjë komente për propozimin përpara se tia kalojë Kryeministrit. Në rastet kur DAP jep mendim negativ, institucioni që propozon ndryshimin e strukturës duhet të reflektojë mbi vërejtjet e bëra. Në vendim përcaktohet gjithashtu mënyra se si zgjidhet situata kur ka përplasje mes institucionit që propozon strukturën dhe DAP-it, ndërkohë që para këtij akti shumë prej kërkesave qëndronin të pezulluara.
Struktura e re
Fillimi i prodhimit të efekteve financiare të strukturës së re fillon, sipas rastit, në çastin: a) e konfirmimit nga Departamenti i Administratës Publike të propozimit për ripozicionimin e të gjithë punonjësve në strukturën e re; b) e lëshimit të urdhrit nga titullari i institucionit për njësinë e financës, për rastet e institucioneve të pavarura ose të punonjësve që nuk janë subjekt i legjislacionit për shërbimin civil, thuhet në pikën 46 të vendimit.
89 mijë punonjës
Sipas ligjit të buxhetit të miratuar në Parlament në fund të vitit të kaluar, është 89 mijë numri i punonjësve buxhetorë. Nga ky vendim i miratuar në qershor nuk preken rreth 40 mijë punonjës të sistemit arsimor dhe atij shëndetësor
6 muaj
Sipas vendimit të qeverisë, të gjitha institucionet buxhetore kanë gjashtë muaj kohë nga data e hyrjes në fuqi për të përshtatur strukturën me kriteret e reja. Ndërsa institucionet e pavarura kanë 2 vjet kohë.
Vendimi i Qeverise
VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE E TË PROCEDURËS QË DUHET TË NDIQET GJATË HARTIMIT DHE MIRATIMIT TË STRUKTURAVE ORGANIZATIVE TË INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, Statusi i nëpunësit civil, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 31.1.2003, Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Brendshëm Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
I. Standardet mbi të cilat mbështetet hartimi i strukturave organizative të institucioneve të administratës publike, në nivel qendror
1. Dispozitat e këtij vendimi zbatohen për institucionet e administratës publike, në nivel qendror, në të cilat përfshihen aparatet e Kryeministrisë dhe të ministrave, degët e ministrive, institucionet qendrore, në varësi të Këshillit të Ministrave/Kryeministrit dhe ministrave të linjës, dhe degët e tyre, administrata e prefektit, institucionet qendrore të pavarura.
Rekomandohen drejtuesit e sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë, drejtuesit e universiteteve shtetërore, të njësive spitalore dhe të fondeve speciale, të zbatojnë të njëjtat standarde gjatë hartimit të strukturave për administratat e institucioneve të tyre.
2. Institucionet e administratës publike, në nivel qendror, organizohen mbështetur në parimin e shkallëzimit, sipas të cilit vartësit në çdo nivel duhet të ndjekin zinxhirin vendimmarrës dhe të komunikojnë me eprorët e tyre vetëm nëpërmjet eprorit më të afërt në hierarki.
3. Funksionet që kryhen nga institucionet e administratës publike, në nivel qendror, grup