E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkurtimi i fondeve për USAID, studimi: Mund të shkaktojë mbi 14 milionë vdekje deri në vitin 2030

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trumpit për të shkurtuar pjesën më të madhe të fondeve amerikane për ndihmën humanitare të huaj mund të shkaktojë më shumë se 14 milionë vdekje deri në vitin 2030. Kështu thotë një studim i botuar në revistën mjekësore The Lancet.

“Një e treta e atyre që janë në rrezik për të humbur jetën para kohe janë fëmijë”– thotë studimi.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi në muajin mars se administrata e presidentit Trump kishte anuluar mbi 80 për qind të të gjitha programeve në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID.

“Për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, tronditja e shkaktuar do të ishte e krahasueshme me një pandemi globale ose një konflikt të madh të armatosur”– tha thënë Davide Rasella, bashkautor i raportit të “The Lancet”.

“Shkurtimin i financimeve rrezikon të ndalë papritur dhe madje të përmbysë dy dekada përparim në shëndetësi për popullsinë e cenueshme”– shtoi ai.

Raporti u publikuar në kohën kur dhjetëra udhëheqës botërorë do të mblidhen këtë javë në qytetin spanjoll të Seviljes për një konferencë ndihmash të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.

Duke analizuar të dhëna nga 133 vende, ekipi i studiuesve vlerësoi se financimet nga USAID-i kishin parandaluar 91 milionë vdekje në vendet në zhvillim mes viteve 2001 dhe 2021. Ata përdorën gjithashtu modele analitike për të parashikuar se si shkurtimi i financimeve me 83%, shifër e njoftuar nga vetë administrata amerikane më herët, mund të ndikojë në rritjen e shkallës së vdekshmërisë.

Sipas parashikimeve, shkurtimet mund të çojnë në mbi 14 milionë vdekje të shmangshme deri në vitin 2030. Ky numër përfshin mbi 4.5 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç ose rreth 700 mijë vdekje fëmijësh në vit.

Shtetet e Bashkuara, që janë deri më tani ofruesi më i madh i ndihmës humanitare në botë, ka vepruar në më shumë se 60 vende, kryesisht përmes kontraktorëve.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›