E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkurtohen 5 mln euro nga fondet e të përndjekurve dhe ish-pronareve

SHKRUAN: Blerina Hoxha 13-11-2011 18:01

Shpenzimet buxhetore do të jenë 14 miliardë lekë më të ulëta se parashikimi. Fondi për kompensimin e ish-pronarëve ulet me 400 milionë lekë, ndërsa ai për kompensimin e ish- të përndjekurve, me 200 milionë. Ja shkurtimet

Qeveria pritet ta mbyllë këtë vit me shkurtim shpenzimesh në zërat kryesorë të buxhetit, që kanë të bëjnë me shpenzimet kapitale, kompensimin e ish-pronarëve dhe ish - të përndjekurve. Buxheti që Ministria e Financave pret të finalizojë në fund të këtij viti do të jetë rreth 15 miliardë lekë më pak se buxheti i rishikuar i këtij viti, ose rreth 120 milionë euro më pak. Kështu, fondi për kompensimin e ish-pronarëve ulet me 400 milionë lekë dhe fondi për kompensimin e ish-të përndjekurve me 200 milionë. Kështu fondi për kompensimin e pronarëve nga 1.7 miliardë që u miratua në mes të vitit kur u rishikua buxheti, pritet të realizohet në masën e 1.3 miliardë lekëve, ndërsa fondi për kompensimin e ish-të përndjekurve, nga 1.8 miliardë të planifikuara është parashikuar të realizohet deri në fund të vitit në 1.6 miliardë lekë. Gjithashtu, zëri i shpenzimeve kapitale, që presupozohet që shumica të jetë në rrugë, do të jetë realizohet më shumë se 4 miliardë lekë nga planifikimi i korrikut. Gjithashtu ulen me më shumë se 2 miliardë lekë pritshmëritë për shpenzimet operative dhe 2.7 miliardë lekë për buxhetin e pushtetit lokal. Ndërsa të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në 129.8 miliardë lekë, nga më shumë se 344 miliardë lekë që u programuan në korrik kur u rishikua buxheti. Kështu, deficiti i ri i krijuar në buxhet pas rishikimit të korrikut do të rezultojë plot 15 miliardë lekë ose 120 milionë lekë. Mosrealizimi i planit edhe pas shkurtimit të buxhetit në muajin korrik, pritet të vërë buxhetin e shtetit për periudhën e mbetur përballë dy skenarëve, sipas burimeve në Ministrinë e Financave. Skenari i parë do të jetë një tejkalim i deficitit buxhetor përtej parashikimeve ligjore 3.5 për qind dhe skenari i dytë do të jetë shkurtimi i mëtejshëm i shpenzimeve publike. Me ecurinë e deritanishme të ritmeve të mbledhjes së të ardhurave, zbatimi i njërit prej skenarëve është i pashmangshëm. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, qeveria pritet të marrë në konsideratë një mosrealizim tjetër të shpenzimeve publike sesa të rrisë kufirin e deficitit, pasi për shkak të krizës që po kalon eurozona, ky do të ishte varianti i palejueshëm. Mirëpo burimet nga Ministria e Financave dhe ekspertë të mazhorancës në komisionin parlamentar të Ekonomisë sugjerojnë se qeverisë i duhet të mbyllë këtë vit buxhetor me mosrealizim të ardhurash dhe shpenzimesh në të njëjtën kohë. Deficiti buxhetor këtë vit është 3.5% ose 46 miliardë lekë, ndërkohë që deri më tani qeveria ka konsumuar nga kjo shumë mbi 30 miliardë lekë. Mirëpo mosrealizimi i të ardhurave nga ana tjetër e zgjeron edhe më tej deficitin, nëse qeveria vijon të realizojë shpenzimet sipas buxhetit të rishikuar. Me gjithë problematikën që vijon të shoqërojë zhvillimet në buxhet, ndryshimet e pritshme nuk kanë më gjasa të kalojnë në parlament. Por thjesht buxheti i vitit 2011 mbyllet me një mosrealizim të planit të të ardhurave. Ky reduktim i të ardhurave pritet të kalojë me një akt normativ në Kuvend në ditët e fundit të vitit. Në mes të këtij viti qeveria shqiptare i shkurtoi shpenzimet e buxhetit me 18 miliardë lekë dhe të ardhurat me rreth 14 miliardë lekë, për shkak të problematikës që u shfaq në mbledhjen e të ardhurave, të cilat rezultuan shumë më pak se programimet. Mirëpo edhe pas rishikimit të buxhetit, të ardhurat që pritet të grumbullohen deri në fund të vitit do të jenë shumë më të ulëta se pritjet e reja të korrikut.

Zërat Aktuali I pritshmi Shkurtimet

Shpenzimet totale 390,654 376,634 -14,020

Shpenzime korente 311,185 306,913 -4,547

Personeli 68,921 68,247 -674

Paga 58,862 59,234 +372

Interesat 46,838 44,338 -2,500

Shpenzime operative 28,443 30,271 +1828

Subvencionet 1,759 3,033 +1274

Kompensim pronarëve 1,700 1,300 -400

Kompensim ish-të përndjekurve 1,800 1,600 -200

Shpenzime për Buxhetin lokal 29,314 26,600 -2,714

Pagesa e papunësisë 1,050 1,000 -50

Ndihma ekonomike 16,858 16,758 -100

Shpenzime kapitale 73,894 69,721 -4,173

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›