E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekreti për KLSH, Topi firmos këtë javë emrin e ri

TIRANË Presidenti i Republikës, Bamir Topi pritet të dekretojë këtë javë emrin e ri për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Më në fund, dy ditë më parë Kuvendi i ka depozituar zyrtarisht Presidentit përmes një letre zyrtare, vendimin për rrëzimin e Sali Shehut në krye të KLSH-së (votat që ky i fundit ka marrë dhe motivacioni për rrëzimin e dekretit). Vetëm përmes depozitimit zyrtar të vendimit, Presidenti i Republikës tanimë mund të vihet në lëvizje për të dekretuar edhe kryetarin e KLSH-së. Përmes një votimi të hapur, plot dy javë më parë mazhoranca votoi kundër dekretit të presidentit për Sali Shehun si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kandidatura e Shehut mori 75 vota kundër, 52 abstenime dhe 1 votë pro nga deputeti Gazmend Oketa. Katër deputetë të tjerë nuk morën pjesë në votim. Pas rrëzimit të dekretit, deputetët demokratë në komisionin parlamentar të Ligjeve i kërkuan Presidentit që për emrin tjetër ai të konsultohet paraprakisht më Kuvendin. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, përmes këshilltarëve ligjorë sqaroi se nuk e ka detyrim ligjor një procedurë të tillë. Gjithsesi, në axhendën e ngjeshur që pritet të shoqërojë edhe këtë javë Presidentin e Republikës, mësohet se Topi do të dekretojë edhe emrin e ri për KLSH-në, në kushtet kur mandati i kryetarit aktual, ai i Robert Çekut, ka përfunduar që në fund të muajit të kaluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›