Shmangia e incidenteve në sezonin turistik, bllokohen nyjet hekurudhore në zonat urbane

Të gjitha kalesat mbi shinat e trenit që shtrihen në zonat e banuara pranë bregdetit do të bllokohen. Vendimi ka ardhur në ditët e para të fillimit të sezonit të verës dhe synon të shmangë çdo incident hekurudhor. Drejtues të drejtorisë së infrastrukturës hekurudhore janë deklaruar se e gjithë vëmendja është përqendruar në gjatësinë bregdetare nga Plepat e Durrësit deri në dalje të Kavajës, zonë tejet e populluar në stinën e verës.
Janë plot 32 kalesa e nënkalesa që përshkojnë shinat e trenit nga Plepat deri në Golem, ndërkohë që në disa nga mbikalimet hekurudhore nuk ka pika kujdesi e kontrolli të trafikut mbi shina.Gjatë këtij magjistrali hekurudhor trenat e udhëtarëve dhe të mallrave që qarkullojnë nga Tirana e Durrësi drejt jugut të vendit u duhet të ulin në maksimum shpejtësinë për të shmangur incidentet hekurudhore. Ndërtimi i rrugës së re Plepa-Rrogozhinë ka mundësuar këputjen e disa lidhjeve të jashtëligjshme por nga ana tjetër banorë të fshatrave buzë hekurudhës kanë zgjedhur të kalojnë mbi shina në pikat që ata e kanë parë vetë të arsyeshme dhe jashtë çdo lloj kontrolli. Pas një inspektimi në terren që kanë bërë specialistët e hekurudhës rezulton se gjendja e nyjeve të tilla të jashtëligjshme është e njëjtë si dhe më parë. Për të shmangur çdo incident kryesisht në zonën e akomodimit të pushuesve do të vendosim patrullime të shumta e të shpeshta si dhe do të mbyllim kalesat që rrezikojnë jetën e qytetarëve, ka thënë drejtori i Inspektoriatit Hekurudhor Ahmet Allamani. Tek Plepat, Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit, Golem, Kryevidh e në disa pika të tjera kalesat janë bërë problematike. Është pikërisht kjo zonë e cila ka edhe numrin më të madh të pushuesve të cilët banojnë në anë të majtë të rrugës Plepa-Kavajë por që bëjnë plazh në anën e detit, në të djathtë të rrugës. Një vit më parë në kohën e sezonit të verës janë regjistruar 11 incidente të përplasjes së mjeteve me trenin apo edhe të bllokimit të automjeteve mbi shinat e trenit. Ndonëse bilanci i viktimave është i vogël, Inspektoriati i Hekurudhës ka regjistruar këtë linjë si ndër më shqetësueset. Nga pakujdesia e drejtuesve të mjeteve dhe të vetë pushuesve kemi pasur 7 qytetarë të aksidentur dhe për të shmangur aksidente të tilla na duhet të veprojmë në kohë, është shprehur Allamani. Me riorganizimin e Hekurudhës Shqiptare është vërejtur një ndjeshmëri më e dukshme e departamenteve të cilat tashmë janë transformuar në drejtori më vete. Përshtatja e infrastrukturës hekurudhore me standardet evropiane do i kushtojë shtetit shqiptar 50 milion euro. Me përfundimin e studimit të fizibilitetit nga ekspertë e specialistë të orientuar nga BE, hekurudha shqiptare do të përfitojë investimi edhe në drejtim të rritjes së sigurisë së lëvizjes së trenave si dhe në shmangien e incidenteve në trasenë e hekurt, ka bërë të ditur Allamani.