E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shmangni skuqjen e ushqimeve me vaj të përdorur

Përdorimi disa herë i të njëjtit vaj për të fërguar ushqimet mund të ketë pasoja të dëmshme për shëndetin.  Përfundimi ka ardhur pas një studimi të kryer nga Universiteti i Spanjës. Sipas doktoreshës Maria Dolores Guillen, njëra prej autoreve të studimit, thotë:

Dihej se në temperaturën e vlimit, vajrat  lëshojnë aldeide, të cilat ndotin atmosferën dhe janë të dëmshme kur thithen bashkë me ajrin. Ne kryem një studim për të mësuar nëse një pjesë e aldeideve mbeten në vaj kur ai ftohet dhe përfundimi ishte pozitiv.

Me fjalë të tjera, studimi thekson se ripërdorimi i vajit të fërgesave do të thotë kalim i këtyre helmeve në ushqimet e tjera.

Eksperimenti u krye duke përdorur tre lloje të ndryshme vajrash: vaj ulliri, vaj luledielli dhe vaj linoje, dhe rezultati ishte i njëjtë në të tre rastet.

Shumë njerëz nuk i japin ndonjë rëndësi të madhe pasojave që ripërdorimi i vajit mund të ketë në shëndetin e tyre, por studime të tjera kanë treguar se substancat në fjalë (aldeide) janë të dyshuarat numër një për zhvillimin e patologjive degjenerative të sistemit nervor si sëmundja e Parkinsonit, Alzajmeri apo disa forma tumorale.

Në këto kushte, specialistët sugjerojnë jo vetëm të shmanget përdorimi i të njëjtit vaj për herë të dytë, por edhe ngrohja e ushqimeve të fërguara.  / Gazmira Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›