E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Tirana dhe Prishtina hesht ndaj shtypjes së shqiptarëve në Maqedoni

Logo e Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me ngjarjen më të fundit në Maqedoni ku mbetën të vrarë dy shqiptarë. Sipas VV-së faktori politik shqiptar në Maqedoni është shndërruar në një apendiks të politikës maqedone. VV shprehet se partitë shqiptare në Maqedoni nuk duhej që për interesa të ngushta personale të bashkëpunojnë me qeverinë e Gruevskit duke e legjitimuar atë, dhe në mënyrë të nënkuptuar duke e pranuar platformën e diskriminimit të shqiptarëve, që shfaqet kaq hapur dhe gjithandej te simbolet e supremacisë maqedone.

Pas krimit më të fundit që një polic maqedonas kreu, duke i marrë jetën dy të rinjve shqiptarë, Besnik Shehapi dhe Imran Mehmeti. Ndërkohë që shprehim ngushëllimin për familjet dhe për të afërmit e të vrarëve prej policit maqedonas, nuk mund të mos vëmë re gjendjen e mjerueshme në të cilën politika shqiptare i ka lënë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë, thuhet në komunikatnë e VV-së.

Sipas saj krimi i djeshëm në Gostivar është rezultat direkt i mendësisë shtypëse, në linja të diskriminimit etnik, që po ndërton Gruevski. Gjithashtu VV ka kritikuar dhe heshtjen e Prishtinës dhe Tiranës për atë që po ndodh në Maqedoni me shqiptarët.

Dëshpëruese është heshtja e qeverive në Prishtinë e Tiranë pas këtij krimi, të cilat vijojnë me papërgjegjshmërinë e tyre ndaj problemeve të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve aktualë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Politika e injorimit të realitetit konfliktual që rezulton në abuzime e në krime, paralelisht me shtrëngimet e duarve sa për sy e faqe mes pushtetarëve i ka lënë shqiptarët në Maqedoni si qytetarë të dorës së dytë në vend të vet thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›