Shoferi fle, autobusi i linjës Tiranë-Athinë bën aksident
TIRANE – Një autobus i linjës Tiranë-Selanik u aksidentua mëngjesin e djeshëm vetëm disa minuta pasi kishte nisur udhëtimin drejt Greqisë. Autobusi me rreth 10 pasagjerë ka përfunduar në shatërvanin tek rrethrrotullimi në sheshin Rilindja, në zonën e njohur si Zogu i Zi në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të djeshëm, kur autobusi me targë TR 1538 M, doli nga rruga dhe u batua duke rënë në shatërvan. Fatmirësisht, nga ngjarja u shkaktuan vetëm dëme materiale dhe asnjë prej pasagjerëve nuk pati dëmtime serioze dhe nuk ishte i nevojshëm transportimi i tyre për mjekim në spital. Forcat e policisë së rendit dhe rrugore shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe menjëherë u bë e mundur nxjerrja e autobusit nga uji i shatërvanit. Paraprakisht u dyshua se mjeti kishte rrëshqitur si rezultat i lagështirës së krijuar nga reshjet gjatë natës dhe përgjatë gjithë ditës së djeshme. Por, gjatë hetimeve dhe deklarimeve që dhanë pasagjerët që ndodheshin në autobus në momentin e aksidentit, grupi hetimor arriti në konkluzionin se aksidenti ka ardhur si pasojë e pagjumësisë së shoferit. Drejtuesi i autobusit është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes, e më pas është lënë sërish i lirë. Ndërsa agjencia e udhëtimit ku pasagjerët kishin prerë biletat për në Selanik, bëri të mundur transportimin e tyre drejt Greqisë me një tjetër autobus.