Shokët, a duhen braktisur që në grindjen e parë?
Miqtë, shokët janë ndër dhuratat dhe gjërat më të çmuara që na fal jeta. Ata na zbukurojnë ekzistencën, na mbështesin në momente të vështira, na bëjnë të ndihemi mirë, na zbavitin, por ka edhe raste kur na bëjnë keq. Po si duhet të veprojmë në një rast të tillë? Gjëja më e mirë për tu bërë është që ti lëmë, pa mëdyshje. Po përse? Ja rrëfimi i një gruaje për miqësinë e saj që më pas u prish.
Para se të martohesha jashtë shtetit vendosa që të organizoj një mbrëmje me mikeshat e mia. Duke qenë se do të vija kurorë larg dhe nuk do të kisha në atë moment të rëndësishëm mikeshat e mia, i dhashë gjithë vëmendjen kësaj mbrëmjeje, duke u përpjekur që të mos mungonte asgjë. Në këtë mbrëmje ftova edhe një mikeshën time prej dhjetë vitesh, të cilën në kohë të vështira e kisha ndihmuar shumë, sidomos kur i vdiq mamaja. Kjo ishte pjesa e gjallë e lidhjes sonë, ndërkohë që unë jam gjithmonë shumë më e qetë. Natën e mbrëmjes prita që shoqja ime të shfaqej në vendin ku kisha organizuar darkën, por ajo nuk erdhi. E lënduar nga mungesa, u përpoqa që ti telefonoja të nesërmen dhe u çudita kur zëri nga ana tjetër e receptorit u justifikua duke më thënë: Më fal, nuk erdha dot, sepse nuk arrita që të marr taksi. Pavarësisht gjithë tentativës sime që ta hiqja mënjanë këtë shije të keqe, madje edhe gjatë muajit të mjaltit, mund të them se mendja më mbeti tek kjo sjellje shumë e pakëndshme dhe e pavend e njërës prej mikeshave të mia më të mira. Kur u ktheva, bëra atë që duhet të kisha bërë, në fakt, që në momentin kur ajo nuk preferoi të vinte në festën time: e prisha miqësinë. Në atë kohë kisha shumë pak përvojë me lënien e miqve, isha më e re në moshë, ndaj dhe mesazhin që i shkrova e kisha deri diku jo të saktë. Më vonë mësova shumë për këtë fushë, pra, për lënien e shokëve dhe lexova edhe libra të ndryshëm për këtë temë. Personalisht mendoj se duhet të kemi guxim që të prishim një marrëdhënie, nga e cila nuk marrim respektin që presim, ose respektin dhe devocionin që kemi dhënë gjithmonë. Në këtë pikë duhet të jemi më të pamëshirshme dhe më pak emocionale.
Për një femër, solidariteti femëror është një nga gjërat më të çmuara që ka në jetë dhe, kur ndodh, është shumë bukur, por jo gjithmonë gjërat shkojnë mirë, pasi një marrëdhënie përplaset edhe me padrejtësi, me mungesë ndershmërie apo mbështetjeje. Në rast të një marrëdhënieje romantike, mes një mashkulli dhe një femre, zakonisht kur ndodhin gjëra të tilla, partnerët ndahen. Atëherë janë të shumtë ata që pyesin: Përse të mos ndodhë kjo edhe në rastin e një miqësie apo shoqëre? Pra, përse duhet të tolerohet vetëm se bëhet fjalë për një mik apo mikeshë të së njëjtës gjini me ty?
Por le të jemi të sinqertë. Ti japësh fund një miqësie nuk është kurrë e lehtë. Madje në disa raste, e vështirë sa edhe dhënia fund e një historie dashurie. Por gjithsesi, ajo që nuk duhet të harrojmë kurrë së bëri është që jemi të hapur dhe të qartë në momentin e shkëputjes. Ish-miku duhet ta dijë nga ne që marrëdhënia ka marrë fund. Kjo është diçka që nuk duhet ta lëmë në harresë. Ka edhe mënyra për të lënë një shok. Për shembull, në vend që ta lësh në mënyrë të ashpër përmes një mesazhi apo telefonate, mjafton që ta prezantosh me dikë tjetër që ti mendon se do tu bëhet shok dhe do të shkojnë mirë bashkë. Kjo është një mënyrë shumë elegante në fakt.
Ndërkaq, ka edhe të tjerë që kanë një këndvështrim më tolerant për sa u përket momenteve të këqija dhe të krizës me miqtë dhe shokët. Ata thonë se duhet tu japim më shumë shanse njerëzve me të cilët kemi kaluar kohë dhe kemi ndarë momente të këndshme dhe të vështira. Sipas disa psikologëve, miqësitë dhe shoqëritë janë të formave dhe përmasave të ndryshme dhe nuk mund të ketë një recetë për mbarëvajtjen e një marrëdhënieje miqësore, sidomos receta në lidhje me mënyrën se si duhet të veprosh kur marrëdhënia është në krizë. Gjëja më e mirë që duhet bërë është që para se të marrësh një vendim, ti peshosh gjërat dhe të vesh në balancë vlerën e miqësisë me problemin që ajo të ka shkaktuar. Vetëm pas një balancimi të tillë, të bërë me kujdes dhe mbi të gjitha me gjakftohtësi, mund të marrësh një vendim, por, edhe kur e merr, duhet që të jesh tolerant dhe i hapur, pasi gjërat mund të ndryshojnë dhe nga përballja me shokun apo me mikun mund të mësosh gjëra të reja dhe të ndryshosh këndvështrim dhe qëndrim. Ajo që gjithmonë duhet të kesh parasysh është se një miqësi është diçka e shenjtë dhe jo rastësisht këta njerëz kanë hyrë në jetën tonë. Edhe pse një lidhje ka kohën e saj të skadencës ka pasur gjëra që ne kemi marrë dhe dhënë, ndaj duhet që të bëjmë shumë kujdes, si kur zëmë shokë apo miq, ashtu edhe kur na duhet që ti lëmë ata përgjithmonë.
Shokët, a duhen braktisur që në grindjen e parë? burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip