Shoku Koço
Jashtë stanit, përtej gardhit, ku livadhis opozita, ku të ngopet syri e të kënaqet veshi nga zilkat dhe këmborët, ndodhin gjëra interesante.
Unë nuk jam nga ata që mendoj fort keq për Kryetarin e opozitës. Kjo ishte arsyeja që këtë herë, në këtë pragzgjedhjesh parlamentare, shpresova se Kryetari pati rastin të ndreqte disa paudhësira. Për shembull, t’i gjente një lloj dermani populizmit pështirosës të Majkos, t’i vërë njëfarë freri sovjetizmit të frikshëm të Tahirit, llapaqenizmit snobist të disave, virtualizimit të tepruar të disa të tjerëve, banditizmit galopant, etj.
U gabova, u zhgënjeva, u dëshpërova.
Sepse, ndërkohë që unë, dhe me siguri shumë të tjerë, nga listat e kandidatëve për deputetë që përpiloi në fshehtësi Kryetari liberal, prisnim ndonjë gjë të re, ndonjë gjë të hajrit, Kryetari nuk u merakos as për populizmat dhe as për sovjetizmat që ja kanë bërë partinë t’i vijë era kërrmë, e le më për të tjerat. Kryetari bëri befas një gjë krejt tjetër nga e pritura, një gjë diametralisht të kundërt nga e duhura, diçka tepër larg së nevojshmes; Solli shokun Koço.
Pas kësaj prroçke të paprecedent që s’e kap asnjë teori e asnjë praktikë politike, u muar vesh se Kryetarit nuk i mjafton, dhe Kryetarin nuk e ngop populizmi i Majkos, nuk e tremb sovjetizmi i Tahirit, dhe nuk i mjaftojnë të zezat e pafundme të banditëve të listave. Kjo etje, kjo uri, kjo babëzi për komunizëm puro si i shokut Koço, do ketë qenë arsyeja që Kryetari, me shokun Koço, i solli partisë dhe Shqipërisë peshqesh për zgjedhje; të gjithë populizmin, të gjithë sovjetizmin, të gjithë komunizmin, e të gjithë lindjes, Rusisë, Bullgarisë, Ukrainës, etj.
Si ka mundësi që duke pretenduar se solle një gjë të re, solle atë më të vjetrën o Kryetar? Unë këtë nuk mund ta kuptoj dot kurrën e kurrës, dhe as përgjigje pres.
Pse i duhet Kryetarit shoku Koço, që duket si i rrëmbyer nga Muzeu i skrapit të komunizmit?
Të thuash se i duhet si histori suksesi ekonomik, është gënjeshtra më e madhe në botë. Se, duke e lënë mënjanë çfarë thonë për korrupsionin dhe dallaveret me privatizime të shokut Koço, me ish-ndërmarrjet e tij plot me shefa kuadri dhe shefa plani si të kohës së kurvit, shoku Koço vjen pas disfatash të panumërta nga modeli më i keq i organizimit. Të ngushëllohesh duke thënë se për disfatat ekonomike të shokut Koço e ka fajin, si do t’i pëlqente shokut Koço të thuhej, Doktoratura, as këtë s’e thua dot. Se shoku Koço, për t’i mbështetur bizneset ka pasur, mes tjerash, edhe gazetë, atë lëveren komuniste namzezë, atë më të fëlliqurën gazetë që ka parë historia.
Të thuash që shoku Koço është ndonjë orator i madh që me fjalën e tij kumbonjëse do bëjë hatanë në Parlamentin e ardhshëm, më mirë mos e hap gojën fare se më shkrive tu qesh. Plot e përplot me klishe’ komuniste shoqëruar me grimasa si hungërrima, retorika e shokut Koço është nga ajo më e ftohta dhe më e paefektshmja që mund të imagjinohet.
Të thuash se Kryetari e mori shokun Koço sepse shoku Koço është i këndshëm në muhabet, demek interpret i mirë i gjirizeve, as kjo s’mund të jetë e vërtetë. Po të ishte për të tilla, Kryetari kishte, dhe ka, tjetrin, gjeniun, relativistin ajnshtajnian, që ia zbërthen fije-për-fije të gjitha ndërlikimet, kolonjarin me mbiemër bullgar, Nazarkon e madh.
Epo pse e zgjodhi Kryetari Koçon e komiteteve, të persekutimit të rinisë, të mbledhjeve, porosive, direktivave, urdhrave? Për këtë duhet pyetur Kryetari. Unë për vete them e zgjodhi kot, fare kot.
Them unë kështu për shokun Koço. Po vallë shoku Koço ç’thotë për veten e vet?
Me gjasa, shokut Koço mund t’i duket vetja si ca ish sekretarë rinie në vendet e lindjes, kryesisht rusë, që kanë arritur të blejnë gazetat më në zë të botës dhe skuadrat futbollistike më të famshme. Shoku Koço i ka tentuar këtu këto, por pa sukses. Të tillë, jo shumë, dhe jo shumë të mëdhenj e të rëndësishëm, Shqipëria ka. Mirëpo shoku Koço, jo që si ata që blejnë gazeta londineze s’është e s’është, por s’është as sa këta tanët.
Shokun Koço, Kryetari nuk po e sjell nga suksesi por nga falimentimi katastrofik i ndërmarrjeve, nga bankrotimi total. Që është një goxha problem ky, pa asnjë shpjegim, as nga Kryetari as nga shoku Koço
Ka që thonë: Hë mo, se sa më tepër si shoku Koço të marri pas vetes Kryetari, aq më të pakët e ka shansin që të vijë në pushtet.
Ashtu duket, por nuk është tamam ashtu. Se shoku Koço nuk është thjesht një lajthitje e Kryetarit. Shoku Koço është një katastrofë politike, një rrokopujë administrative, një tmerr intelektual, një shembull i keq ekonomik, një zero patriotike, që ndot gjithë Shqipërinë.
Sidoqoftë, pavarësisht se pse i duhet Kryetarit shoku Koço dhe çfarë ka ndërmend të bëjë Kryetari me shokun Koço, pas pak shoku Koço do jetë deputet.
Krrokamat e Ruçit, kuisjet e Ballës, kakarisjet e Tahirit, do duken simfoni mozartiane para logoresë komuniste të shokut Koço që do t’ua kalli datën shqiptarëve.
A thua për këtë ta ketë ftuar në skenë Kryetari shokun Koço, pra për aftësitë e rralla oratorike ? Zor të besohet. Se Kryetari nuk e lëshon aq kollaj nga dora Skeptrin perandorak të oratorit.
Sidoqoftë, një gjë është e qartë, Kryetari i ka dhënë tashmë të gjitha shenjat se nuk preferon ndihmësa por vetëm sahanlëpirësa. Që do të thotë se me shokun Koço, pa shokun Koço, Kryetari i shokut Koço nuk do vijë dot në pushtet. Nuk do vijë sepse nuk ka ndodhur kurrë, dhe kurrë nuk mund të ndodhi, që ndonjë kryetar ta marri pushtetin vetëm sepse ashtu i thonë halucinacionet masturbative. Megjithatë, për arësye se shoku Koço është gjithsesi një virus potencialisht i rrezikshëm, si masë parandaluese që duhet marrë në kësi rastesh, si dhe për të qeshur pak, le të supozojmë për një çast të pamundurën, se Kryetari me shokun Koço pushtetin do ta marrin. Që do të thotë se duhet të përgatitemi që pas partisë së krrupshme të shokut Koço, pas retorikave parlamentare katastrofike të shokut Koço, pas modelit qeverisës me sahanlëpirësa të shokut Koço, pas modelit ekonomik katastrofik të shokut Koço, të ikim të flemë gjumë dhe të shohim në ëndërr shokun Koço. Po ku shkove e gjete o shoku Kryetar këtë shëmbëlltyrë që s’ka asgjë çfarë të valavisi, veç flamujve të humbjeve.