E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoni: Në Gjirokastër duhet krijuar një shkollë futbolli

Nga SOKRAT PAPDHOPULLI

Ish-lojtari i njohur gjirokastrit, Dhimitraq Shoni, thekson se për Luftëtarin duhet një strategji afatgjatë dhe e studiuar mirë

Dhimitraq Shoni, i datëlindjes 14.04.1953, ka luajtur me të rriturit e Luftëtarit në peridhën 1968-1985. Ai ka qenë në brezin e artë të këtij ekipi. Në një intervistë të gjatë për Sportin shqiptar ai flet për ekipin e lavdishëm të 78-ës dhe trajton disa nga problemet e Luftëtarit aktual, që sapo ka siguruar kthimin në elitën e futbollit shqiptar.

Z.Shoni, pse Luftëtari nuk u shpall kampion kombetar sezonin 1977-1978, kur kishte atë përbërje mjaft të mirë?

Mendoj se ekipi ynë dispononte një arsenal të plotë fiziko-tekniko-taktik dhe duhej të shpallej kampion më shumë se një herë. Me lojtarë si Sefedin Braho, Milto Gurma, Dhori Kalluci, Astrit Boni, Spiro Curi, Luan Seiti, Pandeli Ksera e të tjerë, mund të pretendonte kampionatin dhe kupën, por idea e trashëguar që ekzistonte, ajo e qëndrimit në Kategorinë e Parë, dhe mosvlerësimi asnjëherë i kupës, bënë që prentendimet tona të ishin në nivele të ulta. Gjithashtu, mendoj se në atë kohë, si për çdo gjë, edhe për sportin, vendosnin të tjerët dhe nuk merrej mendimi i askujt.

Ju keni shënuar disa gola, edhe pse luanit mesfushor. Cilin prej tyre vlerësoni si më të bukurin?

Them se opinioni i krijuar që ai që bën gol, qenka lojtar i mirë, po bie sot para syve të gjithë botës së futbollit. Goli është një produkt  kolektiv dhe ka vlera të mëdha psikomorale për ekipin që shënon. Sigurisht, lojtari shënues ndjen kënaqësi psikologjike dhe morale. Edhe unë e kam ndjerë këtë, kur shënoja.

Të gjithë golat janë të bukur, sepse i japin ekipit krahë, por smund ta harroj golin e shënuar me të rinjtë e Shkëndisë, me kapiten Astrit Hafizin dhe trajner Shyqyri Relin. Ndërsa golin me Skënderbeun në Gjirokastër, ku fituam 1-0 dhe në portë ishte i papërsëritshmi Koço Dinella, e konsideroj më të bukurin.

Ai gol na dha pikë të çmuara, ndërkohë që i shënova një portieri, të cilit nuk i shënoi Gert Myleri para një jave në Tiranë. Publiku gjirokastrit më futi në borxh moral, duke më nxjerrë në krahë nga fusha.

A ju ka mbetur diçka peng nga koha juaj?

Po. Janë dy gjëra, që më vranë psikologjikisht. Kur mbarova me shumë dinjitet gjimnazin Asim Zeneli, aplikova për inxhinjeri ndërtimi dhe për kimi industriale. Si çdo maturant, pretendoja të bëhesha dikush në jetë, por emri im nuk ekzistonte në asnjë listë të të drejtave të studimit.

I mërzitur shkova për ta verifikuar dhe Nuri Kokona, sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Gjrokastrës, përgjegjës për arsimin, duke hapur para meje dosjen time, më tha: Nuk ke turp që kërkon llogari pse stë kemi dhënë të drejtë studimi, me një batalion të arratisurish dhe babanë të përjashtuar nga partia? Përjashta!

Lotët që rrodhën në fytyrën time dhe në listën jeshile të hapur me emrat e gjyshes, tezeve, dajove dhe kushërinjve të parë, i kujtoj vazhdimisht. Pengu i dytë është, kur vlerësimi i aftësive të mia sportive, admiruese për një pjesë të trajnerëve te ekipeve kombëtare, nuk dha rezultat. Siç duket, lista jeshile bëri punën e saj. E fundit është, kur shumë i mërzitur vendosa të largohem para kohe nga futbolli.

Luftëtari sapo u shpall kampion i Kategorisë së parë. Çfarë vlerësoni më shumë në këtë arritje?

Në radhë të parë, vlerësoj djersën e futbollistëve, që nuk vajti kot. Gjithashtu, vlerësoj punën e madhe të trajnerëve, veçanërisht të z.Dede. Para së gjithash, jam shumë i gëzuar që Luftëtari është atje ku e merriton, në Superligë.

Çfarë vërejtjesh keni për lojën e Luftëtarit?

Bukuria e jetës është pikërisht aty, ku asnjëherë njeriu për atë që arrin nuk ndihet i kënaqur dhe lufton për diçka më të mirë. Kjo gjen zbatim edhe në futboll. Trajnerët dhe lojtarët, që janë protagonistët kryesorë të këtij suksesi, janë përgjegjës, nëse ekipi bie përsëri.

Pas gëzimit të natyrshëm duhet të nisë puna. Analiza e hollësishme njëvjeçare duhet të nxjerrë edhe dobësite. Qëndrimi kritik ndaj tyre është domosdoshmëri imediate. Si specialist, krahas vlerësimeve, në mënyrë që ekipi të ngjitet në atë shkallë prestigji që meriton, them me dashamirësi se disa gabime mund të mos bëheshin. Ekipi në mbrojtje ka mangësi.

Tek ne ekziston mendimi se mbrojtjen e bëjnë mbrojtasat, por them se mbrojtja fillon që kur humbet topi. Kam parë që sulmuesit nuk e kanë parasysh mirë këtë dhe kthehen me shumë vonesë, duke vajtuar rastin e humbur. Them se goditja e portës duhet të bëhet nga lojtarë me goditje të pastër dhe precizion të lartë, në bazë të lëvizjeve taktike para zonës së rreptësisë.

Çfarë do të sugjeronit për ekipin e Superligës?

Jam shumë i sigurt se stafi teknik e ka të qartë se ngjitja në Superligë është njëra anë e problemit, por ta ruash atë është më e vështirë. Mendoj se duhet ndërtuar një strategji largpamëse dhe afatgjatë. Duhet të parashikohen hollësisht të gjitha llojet e aktiviteteve, për të gjitha fazat. Lojtarët duhet të kenë të programuar kohën, si gjatë stërvitjes, edhe pas saj. Marrja e kondicionit fizik, në përputhje të plotë me sugjerimet mjekësore, të bëhet në kushte loje dhe jo me monotoni e steriotipe, që i mërzisin lojtarët.

Ka kohë që futbolli gjirokastrit nuk po prodhon futbollistë të kalibrit të rëndë?

Në Gjirokastër ka një kontigjent shumë të kualifikuar trajnerësh, të cilët punojnë seriozisht me fëmijët dhe kjo është gjë e mirë. Këta trajnerë thjesht duhen përkrahur dhe stimuluar nga ata që pretendojnë se e duan futbollin. Duhet krijuar një shkollë futbolli ose një akademi, sepse ka ardhur koha.

Ju keni diplomën UEFA B për trajner. A do të pranonit të ishit në staf?

Pyetje interesante dhe pak provokuese. Sigurisht që do të pranoja, por tek ne nuk ka ardhur ende koha, që ekipi të ketë një staf siç operon sot bota, ku ekipet kanë shumë trajnerë, me ndarje detyrash. Po punoj për ngritjen dhe funksionimin e një akademiei për fëmijë, djem dhe vajza, 812 vjeç, në Boston, ku kam dhënë mësime vullnetare në përgatitjen e stafit të trajnerëve. Po ashtu, jam duke përfunduar një libër për historinë e futbollit botëror.

Lojtari që nuk ka marrë asnjë karton në jetë

Gjatë karrireës së tij Shoni nuk ka marrë asnjë karton. Për këtë fakt ai shprehet: Po, është e vërtetë që skam marrë asnjë karton në jetën time futbollistike 16-vjeçare. Eshtë shumë e thjeshtë për tu kuptuar. Kartoni është një mase dënimi në kushtet e shkeljes së rregullave të lojës dhe zbatimi me përpikmëri i tyre ishte dhe është a-ja e zhvillimit normal të lojës.

Moszbatimi i këtyre rregulave dhe marrja e çdo lloj kartoni, ul prestigjin personal, kolektiv dhe mbi të gjitha të trajnerit, i cili është ideatori për mirë a për keq i lojës së çdo ekipi. Gjithashtu, duke qenë edhe arsimtar në profesion, e dija që në shkallët e stadiumit ishin nxënësit e mi dhe prindërit e tyre, kështu që e konsideroja marrjen e kartonit në fushë edhe si një dënim profesional.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›