Skerdi Bejzade emërohet drejtor teknik i Elbasanit
Presidenti Arben Laze ka bërë lëvizjen e parë në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, ky synon të ketë një skuadër pretendente për Superligën
Drejtuesit e Elbasanit bëjnë lëvizjen e parë në organizmin e skuadrës për sezonin e ri. Në postin e drejtorit teknik të skuadrës verdheblu është emëruar një emër shumë i njohur në ambientin futbolldashës elbasanas, Skerdi Bejzade. Lajmin e konfirmon vetë presidenti Arben Laze, i cili mendon se Bejzade do të japë ndihmën e tij në ringritjen e Elbasanit.
Kemi vendosur që të emërojmë Skerdi Bejzaden në rolin e drejtorit teknik të skuadrës. Mendoj se ai është njeriu i duhur për këtë post, por njëkohësisht Skerdi do të bëjë edhe rolin e menaxherit. Ai është një njeri shumë popullor në Elbasan dhe kam shumë besim se do të bëjë një punë shumë të mirë gjatë sezonit të ardhshëm, ku ne do të synojmë kthimin e skuadrës në elitën e futbollit shqiptar.
Kjo është lëvizja e parë për momentin, sepse për gjërat e tjera do të vendosim pasi të falasim edhe me drejtuesit bashkisë gjatë ditëve të para të qershorit, – theksoi dje presidenti Laze.
Bejzade Skerdi Bejzade ka luajtur për disa sezone me Elbasanin, ku ka fituar edhe titullin kampion në Superligë. Sezonin e fundit ai mbante postin e drejtorit teknik te Kamza dhe tani ka pranuar ta ushtrojë këtë detyrë me ish-skuadrën e tij. Po, kam marrë një telefonatë nga presidenti i Elbasanit, Arben Laze, i cili më ka propozuar postin e drejtorit teknik dhe unë e kam pranuar.
E njoh mirë atë qytet dhe njerëzit e tij. Kam nostalgji dhe shpresoj që të gjithë bashkë ta kthejmë Elbasanin në Superligë. Di që skuadra ka një grup të mirë, edhe pse sezonin e fundit nuk mundi të kthehej në elitë për shkak të konkurrencës së madhe. Me disa ndërhyrje, Elbasani do të ketë skuadrën e duhur për të pretenduar Superligën. Skuadra ka nevojë vetëm për një menaxhim më të mirë, – ka thënë Bejzade, drejtori i ri teknik i verdhebluve.
Nuk ka rrjedhje Presidenti Arben Laze ka siguruar dje se nga Elbasani nuk do të largohet asnjë nga lojtarët, të cilët janë nën kontratë. Nga ana tjetër, ai garanton se do të bëhen përforcime cilësore për një Elbasan, që nuk do ta diskutojë kthimin në Superligë. Sigurisht që nga skuadra nuk mund të largohet asnjë nga lojtarët me kontratë.
Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të pasur një Elbasan të kompletuar dhe sigurisht që do të bëjmë lëvizjet tona në merkaton e verës. Do të ketë edhe miqësore me skuadra të huaja për të parë mundësinë e lëvizjes së ndonjë lojtari. Mund të largohet Gava, i cili mund të shkojë në Gjermani, por për gjithçka do të vendosim me qetësi në kohën e duhur, – ka bërë të ditur presidenti i verdhebluve, Laze.
