E Diel, 1 Nëntor 2026

Risia tjetër e Kukësit, Sulejman Starova drejtori i ri teknik

Nga MEJDAN ZHIVANI

Presidenca e Kukësit kompleton edhe stafin teknik, teksa vjen ndihmësi Esat Rakiqi, ndërsa trajner i portierëve do të jetë shkodran tjetër Avenir Dani

Ishte kandidat për postin e trajnerin, por ka përfunduar drejtor teknik i ekipit të Kukësit. Sulejman Starova, që nga mëngjesi i ditës së djeshme, ka lënë të njëjtin post te Teuta dhe është hedhur në veri, pikërisht te skuadra debutuese në sezonin e ardhshëm në Superligë. Ka qenë presidenca e skuadrës verilindore, me në krye presidentin Safet Gjici, që e kanë konfirmuar këtë lajm mesditën e djeshme.

Në fund të javës që kaloi, kur edhe nisën të lakohen emrat e parë për trajner të Kukësit, Sulejman Starova së bashku me Mirel Josën dhe Armando Cungun konsideroheshin favoritët kryesor për të marrë këtë post, që tashmë i është besuar këtij të fundit.

Por duket se ish-drejtori teknik i ekipit durrsak në sezonin e kaluar (ndoshta mund të mos e ketë patur dhe me shumë qejf postin e trajnerit të Kukësit), nuk ka hedhur dorë për qenë pjesë e kësaj skuadre, por tashmë në një version tjetër: atë të drejtorit teknik. Me afrimin e Starovës, duket se presidenca kuksiane ka përmbushur dhe një dëshirë të sajën, për të pasur si pjesë të klubit për sezonin 2012-2013 një emër të njohur të pankinave shqiptare, siç është Sulejman Starova.

Me tu emëruar në këtë post, mësohet se ai ka nisur menjëherë punën, që mesa shihet, ka si detyrë të gjejë, ti bindë dhe të afrojë futbollistë për Kukësin, ku padyshim fjalën e fundit për anën teknike do ta japë stafi teknik, me në krye Armando Cungun. Gjithsesi, presidenca e Kukësit shënon një tjetër risi në këtë periudhë merkatoje, duke afruar te skuadra e tyre në rolin e drejtorit teknik Sulejman Starovën, duke besuar tek eksperienca e këtij të fundit.

Rakiqi dhe Dani kompletojnë stafin teknik

Ndonëse për të parin pritej një gjë e tillë, një tjetër surprizë apo risi mund të konsiderohet ish-trajneri i portierëve të Vllaznisë, Avenir Dani, i cili, edhe ai, që nga mesdita e djeshme, është pjesë e skuadrës verilindore. Për Esat Rakiqin u fol që ditën e djeshme se do të ulej në tavolinën e bisedimeve me presidentin Safet Gjici dhe ashtu ka ndodhur, duke arritur menjëherë akordin.

Ndërsa pritej me kureshtje për emrin e trajnerit të portierëve, që ndonëse ishte pikasur nga tekniku Cungu, nuk u deklarua paraprakisht, pasi si alternativë ishte edhe Vllaznia për Danin. Por edhe ky, dje, ka bërë të njëjtën gjë, sikurse edhe Rakiqi, duke e kompletuar përfundimisht stafin teknik të Kukësit, që do ti ketë zili çdo skuadër në Superligë.

Eksperienca e gjithsecilit prej tyre, duke sjellë edhe shkollën e futbollit shkodran, pritet që të japë rezultatet e veta pozitive për skuadrën debutuese në Superligë. Shto këtu dhe drejtorin teknik, për momentin Kukësi mund të konsiderohet skuadra më e kompletuar nga ana profesionale sa i takon drejtimit teknik dhe sportiv.

Nisin kontaktet e para me lojtarët, që kërkojnë shumë

Sapo janë mbyllur bisedimet me Starovën, Rakiqin dhe Danin, ditën e djeshme, ku palët kanë gjetur akordin për një bashkëpunim për një sezon, menjëherë kanë nisur kontaktet e para me lojtarët-kandidatë për të veshur fanellën e Kukësit në sezonin 2012-2013. Madje ka pasur një dyndje futbollistët në lokalin, që është në pronësi të presidentit kuksian Safet Gjici, tek Ura e Tabakëve.

Brenda një kohe fare të shkurtër aty kanë ndaluar disa nga futbollistët e kontaktuar më parë, ku të gjithë (të paktën ata që janë kontaktuar deri rreth mesditës së djeshme) kanë qenë futbollistë që e kanë mbyllur sezonin e kaluar në Superligë.

Mësohet se me të gjithë është diskutuar parimisht, por me asnjërin prej tyre nuk janë mbyllur hesapet, duke lënë të hapur dhe një raund të dytë bisedimesh. Duke iu referuar gjithnjë burimeve të rezervuara, thuhet se kërkesat ekonomike të disa prej lojtarëve të kontaktuar dje nga presidenti Safet Gjici kanë qenë më të larta se parashikimet apo se normalet. Gjithsesi, kjo mbetet për tu parë në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›