E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani, edhe sezonin e ri nën komandën e ministrisë?

Nga ILIR CARA

Sot në gjykatën e Apelit në Tiranë shqyrtohet çështja e logos, të cilën e përdor shoqëria aksionare e administruar nga Albert Xhani. E ardhmja me plot alternativa

Ka shumë hamendësime mbi Partizanin e sezonit të ri, ku kryeqytetasit marrin pjesë në Kategorinë e Parë. Të gjithë presin që të kryhet privatizimi i klubit, në mënyrë që të mësohet projekti real për ringritjen e demave të kuq. Por me sa duket, ky është një proces që kërkon kohë për tu finalizuar, shkak janë procedurat që duhen ndjekur, pasi që nga shtatori 2011, Partizani është futur në listën e aseteve që zotëron Ministria e Mbrojtjes.

Interesi për të marrë Partizanin është, madje thuhet se ka edhe radhë, por ai i biznesmenëve amerikanë, që në Shqipëri përfaqësohen nga deputeti Andis Harasani, duket si më i mundshmi. Amerikanët, me anë të deputetit Harsani, kanë qenë më konkretët dhe të drejtpërdrejtët, gjë të cilën e kanë shpalosur që në dhjetor të 2011-ës, ku mbeten në pritje të hapjes së ankandit që ka të bëjë me shitjen e klubit.

Por Partizani, si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes nuk mund të shitet ka lehtë sa mendohet, sepse duke qenë pjesë e dikasterit të ushtrisë, ankandi bëhen vetëm pasi të jetë marrë një vendim i Këshillit të Ministrave. Para disa javësh ministri Arben Imami ka pohuar ne parlament se janë 170 asete të Ministrisë së Mbrojtjes, që shumë shpejt do të dalin në shitje. Mbetet për të parë nëse Partizani bën pjesë në këtë grup pronash.

Por sido që të vejë puna, thuhet se Ministria e Mbrojtjes e ka marrë parasysh edhe më të keqe, pasi Partizani nuk do të shkrihet, siç është thënë, por do të vijojë aktivitetin në Kategorinë e Parë, nën administrimin e ministrisë. Kështu, nëse gjyqi i sotëm që do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit nuk do të dalë me një vendim të formës së prerë rreth logos së klubit, atëherë Partizani do të vijojë sërish të ecë si pjesë e dikasterit të mbrojtjes, duke qenë i hapur edhe për donatorë të ndryshëm, që mund të përmirësojnë cilësinë e të kuqve.

Për dje ishte folur se mund të kishte një takim të administratorit të Partizanit, Gjergji Thaka, në Ministrinë e Mbrojtjes, por ky takim nuk ka ndodhur për shkak të impenjimeve të drejtuesve të ministrisë. Mbase ky takim, nga i cili mendohej se do të zbardhej rruga e së ardhmes së Partizanit, mund të kryhet pas konsumimit të gjyqit të sotëm.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›