E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, jashtë hartës së kultivimit të kanabisit



Analiza, problem shqetësues mbetet numri i lartë i përdoruesve

Mbledhja, plan masash kundër kultivimit të kanabisit

Tirana nuk është në hartën e kultivimit të lëndëve narkotike. Megjithatë, mbetet shqetësues problemi i përdoruesve të drogës, i cili është relativisht i madh. Deklarimi është bërë gjatë një takimi që u zhvillua dje në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ku të pranishëm ishin drejtues të policisë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, me pjesëmarrjen e prefektit të Tiranës, z. Ruzhdi Keçi. Në fokus të këtij takimi ka qenë “Parandalimi, organizimi i punës dhe kryerja e operacioneve policore për identifikimin, asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit”. Një ndër prioritetet e punës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për vitin 2009 është dhe lufta kundër kultivimit të bimës narkotike kanabis sativa. Kështu, policia e Tiranës, bazuar në plan-veprimin nr. 1116, datë 03.04.2009 të miratuar nga ministri i Brendshëm për “Parandalimin, organizimin e punës dhe kryerjen e operacioneve policore për identifikimin, asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit”. Policia e Tiranës do të marrë të gjitha masat dhe organizimin e shërbimeve policore në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Krahas sa më lartë, për këtë qëllim, strukturat e policisë së Kryeqytetit, kanë hartuar një plan të detajuar masash, mbi parandalimin, identifikimin e asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bime narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale. Po ashtu, edhe pas mbledhjes së këtij shtabi nën drejtimin e prefektit të Tiranës, do të zhvillohen analiza të herëpashershme, ku do të bëhet evidentimi i problemeve dhe do të merren masa për eliminimin e tyre.

Aktivitetet

Në aktivitetet parandaluese do të përfshihet njohja dhe vendosja e pikave të bashkëpunimit mes policisë dhe organeve të pushtetit vendor të angazhuar në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe aktivitete të ndryshme sensibilizuese për publikun. Në aktivitetet operacionale janë parashikuar masat për organizimin e operacioneve policore për parandalimin, identifikimin e asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike, si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre. Ndërsa, në aktivitete të tjera janë përcaktuar masa, ku ndër të tjera mund të përmendim planifikim të detyrave shtesë në kuadër të planit të veprimit dhe planit të masave, për ndëshkim të rreptë disiplinor dhe deri në ndjekje penale për personat përgjegjës për moszbatim dhe mosmarrje detyrimesh në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike. Theksojmë se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike nuk është vetëm një angazhim i strukturave të policisë, por edhe angazhim i organeve të tjera, si bashkitë, komunat dhe i përfaqësuesve të tjerë vendorë, madje edhe me gjerë, i vetë qytetarëve në këtë luftë. Për ta pasur një shërbim policor profesionist, me synim për të fituar sfidën e besimit të publikut, me ndryshimet tashmë të prezantuara e të njohura të strukturës së re, në nivel qendror e vendor, janë ndërtuar sektorë e seksione të posaçme, të ndara sipas drejtimit të veprës penale të konsumuar, të cilat do të kenë për detyrë parësore përsosjen e raporteve të komunikimit midis policisë dhe publikut në mënyrë që imazhi i policisë tek qytetari të vijë gjithnjë e në rritje. Në kuadër të parandalimit të krimit dhe zgjidhjes së konflikteve, në ditët në vijim policia e Tiranës do të organizojë takime pune në zona mes përfaqësuesve të pushtetit vendor si në nivel të njësive bashkiake, kryetarëve të komunave e kryepleqve, për të konkluduar e marrë përsipër përgjegjësitë për zgjidhjen brenda kompetencave ligjore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›