E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha; Takon banorët e zonave të bllokuara



Kryeministri Sali Berisha udhëtoi dje drejt zonave të bllokuara nga dëbora në verilindje të Shqipërisë. Në mënyrë të paparalajmëruar, zhvilloi dje një vizitë në zonat e Peshkopisë dhe Kukësit nga ku u njoh nga afër me situatën e krijuar nga moti i keq dhe masat e marra për përballimin e saj. Ai u shprehu gatishmërinë e gjithë qeverisë për të zhbllokuar situatën e rëndë në vendet e prekura nga moti i keq. Sipas tij, qeveria i siguron qytetarët se ajo është e përgatitur në çdo rrethanë që të përballet me të papriturat që mund të ndodhin. Kryeministri Berisha u ndal fillimisht në Peshkopi, ku u takua me banorë të shumtë dhe dëgjoi shqetësimet e tyre. Kryeministri zhvilloi një takim në bashkinë e qytetit me përfaqësues të pushtetit vendor dhe shtabit lokal të emergjencës, ku u njoh me situatën e qarkullimit rrugor, furnizimit me ushqime dhe emergjencave shëndetësore të këtyre zonave. Kryeministri theksoi se duhet të parashikohen rezervat ushqimore, gjendja e rezervave shëndetësore, kalueshmëria e rrugëve dhe ndihma emergjente. Por, ai tërhoqi vëmendjen se prioriteti kryesor duhet të mbetet jeta e njeriut. “Në prioritetet e emergjencave, i pari është njeriu. Kudo që të ndodhet një qytetar, ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar atë”. Kryeministri Berisha përgëzoi dhe inkurajoi qeveritarët vendorë për punën e bërë për përballimin e situatës dhe ruajtjen e normalitetit të jetës në këto zona, ndërsa theksoi se qeveria po e ndjek me vëmendje të madhe dhe në vazhdimësi situatën. “E kam ndjekur në mënyrë konstante situatën e krijuar në Dibër, Kukës dhe në qarqe të tjera që kanë pasur probleme. Tashmë është krijuar Shtabi Qendror i Emergjencave dhe po e ndjekim situatën në vazhdimësi”. “Mjekët, - vijoi Kryeministri, - më kanë informuar se ka disa probleme mungesash në ilaçe e probleme të tjera, për të cilat sot janë urdhëruar helikopterët të shkojnë në këto zona”. Ai bëri të ditur se Shtabi i Emergjencës ka ngarkuar ushtrinë për të bërë të mundur kalimin e plotë të aksit Rrëshen – Lurë. Probleme ka në Reç, Zall-Dardhë etj. Kryeministri Berisha theksoi se në një situatë të tilla janë parësore dy aspekte kryesore, mobilizim dhe parashikim i situatave. “Ju duhet të mobilizoni të gjitha resurset lokale, ndërkohë që qeveria ka kërkuar nga prefekturat që të shpallin gjendjen e emergjencës, mbi bazën e të cilës, ata, në përputhje me ligjin, mobilizojnë çdo resurs lokal, në funksion të zgjidhjes së emergjencës”. Berisha bëri me dije gjithashtu se në Tiranë, një skuadrilje me helikopterë është në gatishmëri për çdo rast të nevojshëm. “Por, - theksoi ai, - edhe në rast se helikopteri nuk mund të shkojë në atë zonë apo fshat, duhet të organizohet transporti i çdo qytetari me barelë apo me mjete te tjera të nevojshme. Duhet të ngrihen skuadra të gatshme dhe nuk duhet të lëmë askënd pa ndihmuar”. Kryeministri Berisha tha se Shtabi i Emergjencës do të përcaktojë fondet për secilën komunë, në mënyrë që të kapërcehen këto vështirësi në këtë dimër, i cili, sipas Kryeministrit, ka edhe të mira të tjera shumë pozitive, për sa i përket prurjeve të ujërave e reshjeve. “KESH-i, - tha Kryeministri, - duhet të jetë 24 orë në punë për të lehtësuar banorët e këtyre zonave nga vështirësitë e krijuara”. I pyetur nga mediat nëse është e gatshme qeveria dhe Shtabi i Emergjencës që të përballojnë krahas kësaj situate të motit, edhe lëkundjet e mundshme të tërmetit në këto zona, Kryeministri u shpreh: “Qeveria është e gatshme të përballet me çdo lloj të papriture që mund të ndodhë. Qeveria ka një buxhet shumë të shëndetshëm dhe në këtë buxhet qeveria mban gjithmonë një sasi që quhet kontigjencë, që do të thotë para të vendosura mënjanë në buxhet, pa destinacion, por që duhet të përdoren për destinacione të papritura”. Po dje, z. Berisha vizitoi në mesditë qytetin e Kukësit. Ndonëse vizita e tij ishte e paparalajmëruar, brenda pak minutave në sheshin "Skënderbej", Kryeministrin e pritën qindra banorë të qytetit. Edhe para kuksianeëve, ai shprehu gatishmërinë e qeverisë për t’u përballuar me situatën e vështirë të krijuar nga dëbora e ditëve të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›