E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqatat serbo-malazeze, pro dhe kundër çështjes së regjistrimit

Shoqata “Moraça-Rozafa” është shprehur kundër vënies së gjobave për personat që nuk deklarojnë saktë kombësinë.

SHKODËR Procesi i regjistrimit të popullsisë po vazhdon në të gjitha zonat e Qarkut të Shkodrës, për të cilin janë angazhuar 800 regjistrues, nga të cilët 640 janë për rrethin e Shkodrës. Regjistrimi i popullsisë dhe veçanërisht deklarimi lidhur për fenë dhe etninë ka shkaktuar reagime e diskutime.

Përplasja

Shoqata “Alba-Montengro”, që përfaqëson pakicën malazeze, shprehet se është kundër deklarimeve të tri shoqatave minoritare dhe të një partie minoritare që kanë bërë thirrje për mosdeklarim të etnisë dhe fesë. Shoqata “Moraça-Rozafa” që përfaqëson komunitetin serbo-malazez, shprehet kundër deklarimit të etnisë dhe fesë pasi sipas drejtuesve të saj gjoba në rast ballafaqimi me regjistrat e Gjendjes Civile është penalitet i padrejtë. Serbo-malazezët e Shqipërisë janë të regjistruar si shqiptarë si pasojë e politikave asimiluese të ndjekura ndaj tyre. Përballë përplasjes së shoqatave që shpesh abuzojnë me shifrat e këtij komuniteti, banorë malazezë që jetojnë në Shkodër shprehen se ata do e plotësojnë formularin dhe do shënojnë se janë malazezë.

Familjes

Vito Nikollaj së bashku me familjen e tij jeton në komunën e Gruemirës dhe i përket minoritetit malazez në Shqipëri. Ai shprehet se së bashku me familjen e tij do marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë dhe do plotësojnë dhe formularin për etninë e fenë. ”Jemi malazezë dhe kemi jetuar me shqiptarët pa pasur asnjë paragjykim prej tyre, me tolerance dhe miqësisht dhe asnjëherë nuk jemi ndjerë minoritet nën presionin kulturor e fetar. Do deklarohemi si malazezë dhe ortodoksë. Gjuha e nënës është ajo malazeze dhe këtë përdorim në shtëpi ndërsa në kopshte e shkolla flitet e mësohet shqip. Kemi mbetë shumë pak familje malazeze, jemi 4 a 5 në Boriç të Vogël, rreth 6 në Boriç të Madh dhe 1 në Omaraj. Kjo pasi shumica u largua në Mal të Zi. Kam qenë në marrëdhënie pune me shtetin, ndërsa gruaja vazhdon të jetë pasi punon edukatore në kopsht. Jetojmë normalisht si çdo shqiptar”. Ndërsa bashkëshortja e Vitos, Ruzhe Nikollaj shton se ajo është e martuar me një malazez por dhe nga familja e saj është gjysmë malazeze pasi ka baba shqiptar dhe nënë malazeze.”Unë jam malazeze, ortodokse dhe kështu do deklarohem. Gjuhën amtare ua mësojmë fëmijëve privatisht ndërsa është shumë e drejtë që në shkolla mësohet si gjuhë zyrtare vetëm shqipja. Regjistrimi është i drejtë dhe secili të deklarojë ashtu siç është”, - shton Ruzhe Nikollaj.

Diana Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›