Shkodër, tre në pranga për vepra të ndryshme penale
SHKODËR Tre persona kanë rënë në prangat e policisë për vepra të ndryshme. Rasim Barbullushi 48 vjeç, banues në fshatin Barbullush të Shkodrës, është ndaluar nga policia pasi gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin e tij, ku tregtohen mallra ushqimore me pakicë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 230 paketash me cigare, pa pullë fiskale, të markave të ndryshme si: “Marlboro”, “Trokadero” “Manchester”, të cilat dyshohen të jenë mallra kontrabandë, pasi shtetasi i lartpërmendur nuk disponon asnjë lloj dokumentacioni. Ai akuzohet për veprën penale të “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabande”.
Është vetëplagosur nga pakujdesia, por kjo i ka sjellë ndalimin nga ana e policisë për armëmbajtje pa leje. Syrja Hyseni, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Daragjat, komuna Dajç në Shkodër, është vetëplagosur pa rrezik për jetën me një armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Pasi ka marrë ndihmën mjekësore, policia e ka prangosur me akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, ndërsa është sekuestruar dhe arma. Nga policia e Pukës është ndaluar Gëzim Prendi 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lumbardh, komuna Qafë-Mali, rrethi Pukë. Arrestimi i tij u bë për arsye se, ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim policor, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, me vendim datë 30.07.2010, e ka dënuar me 1 vit heqje lirie, për veprat penale “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “plagosje e lehtë me dashje”.