Sherri për një femër, plagosen 5 persona dhe një polic
Ngjarja ka ndodhur përpara oborrit të shkollës, ndërsa mes të plagosurve ka qenë dhe një punonjës policie, i cili kishte ndërhyrë për të ndarë sherrin
LEZHE Sherri për një femër ka sjellë gjashtë të plagosur, ndërsa përleshja me thika ka ndodhur pranë oborrit të një shkolle. Mes të plagosurve ka qenë një punonjës policie, i cili ka hyrë për të ndarë dy grupet e përfshira në sherr. Gjatë kësaj përplasjeje janë përfshirë rreth 10 persona, por fatmirësisht, ndërhyrja në kohë e punonjësve të policisë ka bërë që mos të kishte më shumë viktima. Sipas hetimeve të para, dy grupet rivale ishin zënë edhe përpara një muaji dhe ditën e djeshme kanë qenë të pajisur dhe me thika, gjë e cila solli dhe plagosjen e 6 personave.
Sherri
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës së mesme “Hydjate Lezha”, pranë ambienteve të një lokali. Sipas të njëjtave burimeve, në lokal ka qenë Taulant Uka së bashku me vëllanë e tij, Marjan Uka, si dhe dy vëllezërit Sokol dhe Kristian Ndoci. Të katër këta persona kanë qenë duke pirë në lokal, në momentin që ata janë sulmuar nga një grup shokësh, në krye të të cilit ka qenë edhe Kristian Frroku, i shoqëruar edhe nga pesë persona të tjerë. Burime pranë vendit të ngjarjes shprehen se të rinjtë kishin kohë që po i ndiqnin të katër personat e lartpërmendur dhe i kanë sulmuar në mënyrë të menjëhershme, duke i qëlluar me mjete të forta dhe armë të ftohta. Policia e rendit ka qenë fare pranë vendit të ngjarjes dhe ka ndërhyrë menjëherë, duke shmangur edhe vrasjet mes grupeve të të rinjve, por jo plagosjet e tyre. Gjatë përleshjes, numri i pakët i efektivëve të policisë nuk ka mundur të shmangë plagosjet dhe izolimin e palëve në konflikt. Policia ka mundur të marrë nën mbrojtje të plagosurit. Taulant Uka 23 vjeç, Marjan Uka 25 vjeç, Sokal Ndoci 24 vjeç, Kristian Ndoci 17 vjeç, nxënës i shkollës mesme “Hydjate Lezha”, të cilët i ka dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Lezhës, ku edhe kanë marrë mjekimet. Në momentin që policia ka ndërhyrë, njëri nga të rinjtë ka goditur me karrige të tavolinës edhe policin Ndue Malçi 47 vjeç, duke i shkaktuar plagë në krahun e djathtë, ku për pasojë ka marrë edhe ai mjekimin dhe serumin në spital.
Përplasja në spital
Sikur të mos mjaftonte përleshja në afërsi të shkollës së mesme, shokët e katër të plagosurve, të cilët kanë ardhur në spitalin e Lezhës për të parë të plagosurit, kanë sulmuar menjëherë edhe Kristian Frrokun, i cili ishte pjesëtar i grupit rival e ishte plagosur gjatë përleshjes, dhe i vetëm kishte ardhur për t’u mjekuar. Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke iu larguar nga duart të rinjve17-vjeçarin Kristian Frroku dhe duke e futur atë në një dhomë të veçantë, deri sa kanë ardhur në ndihmë edhe efektiva të tjerë të policisë së Lezhës, të cilët kanë bërë edhe shoqërimin e të plagosurve. Ndërsa Kristian Frroku është mbajtur nën mbikëqyrjen e policisë duke marrë mjekimin e më pas është shoqëruar edhe ai për të deponuar në polici. Sipas mjekëve, të pesë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, po kështu edhe punonjësi i policisë, i cili ka marrë mjekimin dhe nuk ka kërkuar të largohej nga shërbimi. Sipas policisë, situata aktualisht është nën kontroll, ndërsa po punohet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, si dhe shoqërimin e më pas edhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. Ngjarja e ndodhur dje në Lezhë nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së të rinjve të shkollës së mesme dhe qytetarëve, që janë bërë dëshmitarë të skenës së plagosjes.
Të plagosurit
Ndue Malçi 47 vjeç, polici i rendit në Komisariatin e Policisë së Lezhës
Taulant Uka 23 vjeç
Mirjan Uka 25 vjeç
Sokol Ndoci 24 vjeç
Kristian Ndoj 17 vjeç
Kristian Frroku 17 vjeç