E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqe dhe shokë, delegatë të Konferencës së 11-të të PS-së në Kukës, Të dashur miq kuksianë, E pranova me kënaqësi ftesën tuaj për të marrë pjesë në Konferencën e socialistë

Shoqe dhe shokë, delegatë të Konferencës së 11-të të PS-së në Kukës,
Të dashur miq kuksianë,

E pranova me kënaqësi ftesën tuaj për të marrë pjesë në Konferencën e socialistëve të Kukësit, si një rast tjetër shumë të mirë për të shkëmbyer sëbashku informacionin dhe bisedat e punës dhe të politikës me ju, për problemet që përballojmë, vizionet e zhvillimit edhe në këtë trevë të rëndësishme të vendit për sfidat që kemi përpara në kuadër të integrimit përfundimtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Erdha si Kryetar i Partisë për të dhënë gjithashtu llogari para jush, krahas vazhdimit të punës së përbashkët për të gjetur rrugët e zgjerimit të besimit të njerëzve tek Partia Socialiste dhe tek qeverisja jonë.

Erdha sepse në këtë moment vendimtar për fatet e programeve tona qeverisëse të reformave të transformimit, modernizimit integrimit të Shqipërisë, analiza dhe vendimet tona duhet të jetë burrërore, ashtu si karakteri juaj malësor dhe jo për t'ju shërbyer interesave të individëve apo të grupeve të çoroditura nga etja për pushtet personal.

Nuk mund ta fsheh, pra po e them para jush se është kënaqësi për mua që deri më sot i kam udhëhequr socialistët në fitore të njëpasnjëshme elektorale. Në këto fitore do të veçoja sidomos fitoren e para pak javëve në Bashkinë e Kukësit. Me fitoren në qytetin tuaj ne treguam bashkarisht se politika që votohet demokratikisht nuk ka prona territoresh (siç pretendonin demokratët), por verifikohet në vend për atë që bën dhe ofron në të mirë të qytetarëve dhe fshatarëve të këtij vendi.

Ne socialistët kemi një program politik të saktë, një program qeverisës po kaq preçiz që ka si finale antarësimin e Shqipërisë në Europën moderne dhe në komunitetin euroatlantik. Pra thënë ndryshe ne duam të arrijmë në të gjithë Shqipërinë edhe këtu në Kukës, nivelet e jetës së qytetarëve të thjeshtë, në standartet e botës demokratike që na rrethon.

Të gjithë e kujtojnë se si në vitin 1997 ne morrëm në dorëzim një shtet krejtësisht të shkatërruar dhe një vend të djegur, të asfiksuar dhe të varfëruar, të izoluar nga rajoni dhe bota moderne, siç e katandisi Sali Berisha Shqipërinë. Mbi këto gërmadha, duke besuar tek ju, ne projektuam një të ardhme më të mirë për të gjithë, qytetarë dhe fshatarë, burra e gra, gegë apo toskë, fëmijë apo të moshuar. Duke rindërtuar çdo ditë institucionet, duke përmirësuar bazat ligjore dhe kapacitetet e zbatimit të tyre në administratë, duke ndërtuar infrastrukturat e munguara, duke ngritur shkolla për fëmijët dhe spitale moderne për të sëmurët, duke ndaluar kontrabandën, duke goditur korrupsionin, trafiqet dhe krimin ne kishim vetëm një qëllim: të përmirësonim jetën e çdo qytetari, individi dhe të ngjallnim më fort se kurrë shpresën se Shqipëria do të bëhet shumë shpejt moderne dhe evropiane. Realitetet e ndryshuara po preken tashmë nga të gjithë. Të mohosh këto arritje themelore të politikës dhe qeverisjes sonë do të thotë të mohosh sakrificat dhe kontributin tuaj, të gjithë shoqërisë shqiptare në këtë ndryshim të madh që ka pësuar Shqipëria nën 7 vjetët që ne qeverisim, në mënyrë të veçantë ne socialistëve dhe progresistëve. Këto arritje nuk është se ne na vënë në gjumë dhe na bëjnë të ndjehemi të vetkënaqur, perkundrazi: ju të gjithë jeni dëshmitarë se si edhe unë vetë në krye të qeverisë dhe ta maxhorancës qeverisëse kam qënë dhe vazhdoj të mbetem shumë kritik me qëllim përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit, përmirësimin e punëve, kryerjen më të mirë të detyrës, që të mos kemi më varfëri mes nesh, sepse ende kemi shumë nevojë për të ardhura dhe standarte jetese në të gjithë territorin.

Janë disa anëtarë të Partisë sonë që më kanë akuzuar ju dhe mua se kemi fajin që kemi lejuar debate dhe kritika brenda nesh, të cilat kanë zbehur efektin e arritjeve tona dhe kanë lëkundur besimin e zgjedhësve tek ne. Unë mendoj ndryshe. Dje unë asistova në konferencën e Partisë së Shkodrës ku pata rastin, shpresoj të më keni dëgjuar, t'i përgjigjem disa prej të ashtuquajturave akuza të të ashtuquajturve kandidatë për Kryetar Partie të cilët as nuk kanë edukatën minimale të ulen me ju dhe të mësojnë statutin e Partisë, rregullat e funksionimit tonë demokratik dhe ca më pak të mbajnë lidhje të qëndrueshme me ju, anëtarësinë. Këta njerëz vijnë nga kafenetë me tym të Tiranës dhe kujtojnë se mllefi i tyre i papushtet është e gjithë Shqipëria. Ndërsa PSSH-në vazhdojnë ta shohin me sytë e Berishës duke harruar faktin, se siç thatë edhe ju duke shprehur gëzimin tuaj, vetëm pak javë më parë kjo parti u bë anëtare me të drejta të plota e Internacionales Socialiste. Dhe kjo ndodhi sepse ne ndryshuam veten, e emancipuam politikën, emancipuam gjithë partinë.

Ne e dinim se ndryshimi që ne sollëm në Shqipëri do të ishte i pasigurtë po qe se nuk do të ndryshonin partinë dhe vetveten. Dhe ndryshimi i vetvetes bëhet vetëm duke zgjeruar hapësirat e lirisë, të debatit dhe të konkurencës së alternativave për zhvillim që përmirësojnë edhe programet tona politike e qeverisëse, dhe në zbatimin e tyre japin më shumë efektivitet. Me nxitjen time Partia Socialiste ka hequr barrierat e "sekretit" ndaj atyre që shumë prej nesh i quajnë "punë të brendshme". Edhe sot po flasim me të gjithë banorët e Shqipërisë kudo që janë. Sepse ne ekzistojmë dhe votohemi prej shumë kohësh si partia e parë politike në vend, pasi idetë tona, projektet tona, hallet dhe problemet e vendit dhe tonat ne i kemi bërë pronë të publikut të gjerë dhe objektiv; të mbarë shoqërisë shqiptare.

Por sërish janë kritizerët e mi – që në fakt janë kritizerët tuaj – të cilët këmbëngulin dhe më kujtojnë zgjedhjet e 12 tetorit 2003 ku ndihet se besimi tek Partia Socialiste është lëkundur.

Së pari, dua të theksoj bindjen time dhe tuajën të nderuar delegatë se ne kemi treguar që jemi të aftë të korrigjojmë vetveten dhe të rifitojmë besimin e zgjedhësve. Kjo do të thotë se ndryshimet tona në program, në statut dhe në projektet qeverisëse, menjëherë pas Kongresit do të vihen në funksion të fitores së padiskutueshme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.

Së dyti, më lejoni të konstatoj se kjo lëkundje besimi ka ardhur edhe për shkak të abuzimit me hapësirat tona të lirisë së shprehjes, të debatit apo dhe të detyrës nga disa shokë. Dhe këtë përvojë negative e kemi studiuar me grupet e punës të KPD-së që kanë hartuar ndryshimet në statut (të cilat u miratuan me konsensus nga KPD-ja, madje edhe nga ata që kërkojnë dorëheqjen e Fatos Nanos) dhe kështu po vijmë në përvojat më të përparuara të partive moderne simotra të Internacionales Socialiste, ku jemi bërë anëtarë të plotë. Në Partinë tonë vijnë disa dhe flasin për nevojën e legalizimit të fraksioneve. Në Evropë, Partia që funksionon mbi baza fraksionesh apo mocionesh janë Socialistët francezë. A e dini ç'parashikon Statuti i kësaj partie në nenin 9.3? Që çdo kandidat për përfaqësues në pushtetin qëndror apo vendor, paraprakisht i dorëzon me shkrim Kryetarit të Partisë dorëheqjen nga detyra nëse largohet apo përjashtohet nga Partia. A mund të quhet kjo parti staliniste? Sigurisht që jo.

Së treti, unë ashtu si shumica e socialistëve mendoj se ne kemi të sanksionuara aq shumë të drejta për ata që mendojnë ndryshe, sa diskutimi për fraksionimin tonë më duket i panevojshëm dhe sebep për sherre. Jemi pak për t'u ndarë, por jemi shumë nëse të bashkuar vihemi në funksion të Partisë, të realizimit në qeverisje të programit tonë, në funksion të rritjes së mirëqenies, dinjitetit, barazisë, sigurisë për çdo shtetas në Shqipëri. I kemi këto vlera demokratike, prandaj nuk na lipsen këshilla të panevojshme, na duhen kontribute reale të vlerësuara prej jush.

Së katërti, kundërshtarët e mi megjithëse po zgjedhin fraza të kujdesshme, në thelb nuk janë fraksionistë, por përjashtues, gjë krejtësisht e papranueshme për përvojën tonë të suksesit dhe të demokracisë së brendshme në Parti. Kjo vjen për faktin se këta shokë nuk po mendojnë për rikthimin e besimit masiv të shqiptarëve tek Partia Socialiste, por vetëm po investohen për të eleminuar Fatos Nanon, i cili në detyrën si Kryeministër u ka prerë burime të rëndësishme dhe informale të abuzimit me pushtetin. Arrihet deri aty sa të akuzojnë qeverinë të drejtuar prej Kryetarit të partisë suaj se kemi shkurtuar shpenzimet dhe investimet për zhvillimin e Veriut të Shqipërisë. Pata kënaqësinë të dëgjoj edhe këtu ashtu si pak ditë më parë të inauguroj fillimin e punimeve të rrugës së re Durrës – Kukës – Morinë, e cila po kryhet tërësisht me paret tona dhe padyshim do jetë një arterie më shumë për të përçuar në gjithë zonën Verilindore të vendit më shumë zhvillim, më shumë sipërmarrje, më shumë lëvizje të kapitaleve, mallrave, dijeve dhe kulturës. Kjo rrugë bashkon dy terminalet e zhvillimit modern të vendit, portin modern të Durrësit dhe aeroportin e Kukësit, që së bashku me këtë rrugë do të përbëjnë në kompleks një infrastrukturë të madhe zhvillimi për të gjithë zonën tuaj. Ja, kështu punojmë ne socialistët në pushtet, prandaj akuzat e kundërshtarëve janë pa asnjë bazë dhe ne duhet të shohim përpara.

Kur ne erdhëm në pushtet në vitin '97 njerëzit më shprehnin besimin e tyre në aftësitë tona, në aftësitë e socialistëve dhe progresistëve për t'ia ndryshuar faqen vendit. Dhe ne u përfshimë në këtë entuziasëm, e besuam atë dhe realisht po e kthejmë Shqipërinë në një vend shumë të ndryshuar. Ne e dinim se qeverisja është një proçes që ka sakrifica dhe shumë i komplikuar. Duket sikur punët mbarojnë duke konstatuar problemet dhe duke bërë një ligj apo një strategji të mbështetur nga një paketë financiare. Por përvoja na ka mësuar se pikësisht këtu fillon puna. Të gjithë keni pasur rastin dhe dëshirën të kritikoni kryetarin e komunës apo të bashkisë, deputetët apo Kryeministrin. Por jam i sigurt se të gjithë e ndjeni sa e vështirë është të realizosh me një vendim nevojat dhe interesat e mijëra shtetasve, aq më shumë të 3 milionë shqiptarëve. Ne e dimë se duhet të ndërtojmë rrugë në çdo fshat dhe në çdo lagje qyteti, por ju na besoni sepse po na ndiqni që qeveria jonë progresiste po synon dhe po realizon një sistem rrjetesh moderne komunikimi dhe telekomunikacioni për t'ju mundësuar të gjithëve të përfitoni nga shkurtimi i distancave të burimeve të lëndëve të para dhe tregjeve, të burimeve të mirëqenies, të dijes, të kujdesit shëndetësor, të kulturës dhe të afrimit më me shpejtësi me rajonin dhe botën moderne. Ne e dimë se duhet të ndërtojmë shkolla në çdo fshat apo lagje qyteti, por nga përvoja e zhvillimit të shteteve moderne ku dhe po integrohemi, ne duhet të ndërtojmë së pari një sistem arsimor që i krijon fëmijëve kushte të barabarta për arsimim dhe formim profesional, pavarësisht nga pasuria e prindërve. Të jeni të sigurtë se ne nuk po shpikim dhe aq më pak po eksperimentojmë me qeverisjen tonë. Programet tona qeverisëse janë të bazuara në nevojat më të mëdha të vendit për zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm, në bashkëveprim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe duke marrë parasysh eksperiencat më të mira të qeverisjeve që drejtohen nga e majta moderne në vendet e zhvilluara. Prioritetet tona, të dashur shokë, janë gjashtë:
• Ndërtimi i infrastrukturave
• Zhvillimi i bujqësisë
• Zhvillimi i arsimit
• Zhvilli i shëndetësisë
• Punët Publike
• Ndihma sociale për shtresat në nevojë
Unë jam angazhuar dhe po vazhdoj të angazhohem për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kthimit të pronave dhe të sistemimit të të përmbyturve nga hidrocentrali së bashku me të gjithë kategoritë e tjera dhe komunitetet që do të sistemohen në kuadrin e kompesimit të ish-pronarëve.
Brenda kësaj jave, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, do të vijë të ulet në Kukës, për të studiuar me ju gjendjen dhe masat, për të siguruar furnizimin normal me energji elektrike, duke kërkuar bashkëveprimin e autoriteteve me komunitetin kuksian për të rritur përqindjen e pagimit të faturave që sot është në nivele jashtëzakonisht të ulëta 8-10%, për të instaluar matësat që do t'i presin rrugën grabitjeve dhe afrofeve që humbjet i faturojnë tek konsumatorët familjarë apo sipërmarrësit. Këto do të bëhen sepse PS është në qeverisje qendore dhe këtu në Kukës do të shpërblejë investimin tuaj politik që fituat zgjedhjet në bashki.

Ju, pra, do të jeni vazhdimisht në korent të programeve tona qeverisëse, sepse këto programe janë propozuar prej jush, por unë i përsëris për ata që akuzojnë qeverisjen tonë për mungesë vizioni dhe vullneti se interesat e grupeve të caktuara apo ambicjet personale për pushtet nuk do të jenë pjesë e programeve të zhvillimit dhe financimit në dobinë tuaj.

Këta sektorë çdo vit thithin rreth 75% të investimeve publike dhe fakti që Prodhimi Kombëtar sivjet pritet të arrijë në 744 miliardë lekë të reja ose 6% më shumë se vitin e kaluar, që sipërmarrja private ka rritur në mënyrë të ndjeshme investimet prodhuese dhe punësimin, që bankat kanë rritur kredinë për ekonominë private në 520 milion dollarë vetëm për 9 muaj e parë të këtij viti, që papunësia ka rënë në vetëm 13%, të gjitha këto dëshmojnë se politikat tona të zhvillimit po japin rezultate të prekshme për të gjithë. Ne e dimë se ëndrra e çdo shqiptari është të jetojnë në një shtet, në një shoqëri dhe në një mjedis si shtetet më të zhvilluara të Evropës apo SHBA. Ky është edhe objektivi ynë afatgjatë, këtë kemi busull të punës sonë, për këtë japim llogari dhe do të vazhdojmë të punojmë me ju.

Po ju do të pyesni sërish: Pse u aktivizuan pikërisht në këtë moment individët dhe grupet që në këtë realitet krejtësisht të transformuar bëjnë sikur shohin vetëm zi? Ilir Meta ka qenë për 6 vjet anëtar dhe drejtues i kabinetit qeveritar. Meidani për 5 vjet President i Republikës. Pse pikërisht kur lënë postin që ne bashkërisht ua kemi besuar, këta kërkojnë ta paraqesin PSSH dhe Shqipërinë si një gërmadhë? Pse Shqipëria na ishte ndryshe kur ishin ata në qeverisje? Pse nuk kanë ardhur më parë tek ju ndërsa tani derdhin lot për anëtarësinë? Kam të drejtën ashtu si edhe ju të besoj se agresioni i këtyre individëve ndaj Partisë dhe qeverisë suaj, ndaj lidershipit të tyre, lidhet me rezultatet që kemi arritur, sidomos në këto 16 muajt e fundit në fusha të ndjeshme si rivendosja e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe stabiliteti makroekonomik i vendit, rifillimi i investimeve të drejpërdrejta private në fusha prioritare për zhvillim, sukseset në luftën kundër trafiqeve dhe krimit, që me sa duket u ka djegur diku thellë këtyre abuzuesve. Një qeveri nuk mund të gjykohet me informacione të rreme apo nga thashëetheme të përhapura, pavarësisht nga goja apo zëri i cilit politikan apo media dalin. Unë e ritheksoj: Shqipëria që po rindërtojmë sëbashku është reale dhe jo artificiale.

Bindjen se "kryengritja" e disa shokëve brenda nesh nuk është parimore dhe e ndershme të shtohet kur vëren se përveçse shajnë dhe kritikojnë me fjalorin dhe skemat e Berishës, nuk japin asnjë alternativë, përveç etjes personale për karrige ministrore.

Problemet e disa prej shokëve tanë me drejtësinë, gjithashtu, nuk na lejohet t'i mbulojmë, por njëherësh nuk na lejohet që ato të kthehen në probleme të të gjithë partisë dhe të maxhorancës sonë qeverisëse. Unë e kuptoj se në Mejdan dalin burrat, por s'mund ta kuptoj Metën që fshihet pas Meidanit dhe e shtyn këtë të fundit të dalë në Mejdan. Meta sërish po tregohet i pandershëm edhe me ata që gjasme i mbështet. Ai u shmanget Konferencave dhe ballafaqimit të hapur me ju sepse nuk ka asnjë argument dhe aq më pak kurajo të japë llogari se pse po sulmon kaq ashpër qeverisjen e Partisë Socialiste, kur deri dje ishte vetë njëri nga protagonistët e saj.

A mund t'u përgjigjen këta njerëz pyetjeve të thjeshta si: Pse po sulmoni pikërisht tani kur ekonomia ka nisur rrugën e rritjes së shpejtë dhe të qëndrueshme?

Pse po sulmoni pikërisht kur industria kriminale e skafeve pushoi së ekzistuari?

Po ndalem pak në këtë moment. Qeveria që unë drejtoj i luftoi skafet me të njëjtët policë, të njëjtat mjete logjistike, të njëjtët prokurorë dhe gjykatës që kishte në dispozicion qeveria e drejtuar nga shoku Meta apo shteti i drejtuar nga zoti Meidani. Mund të argumentojnë pse nuk i zhdukën ata? Natyrisht që nuk mund të jenë të sinqertë dhe bindës me çdo argument që të japin.

Pse po sulmojnë pikërisht në momentin kur biznesi në të gjithë vendin po ndihet i çliruar nga monopolet politike që detyronin sipërmarrësit shqiptarë të transferonin fitimet dhe kapitalet jashtë vendit që të mos i çonin në xhepat e qeveritarëve? Pse po sulmojnë pikërisht kur informalieti i ekonomisë shqiptare, i vlerësuar nga institucione të specializuara ndërkombëtare, që japin dhe kredi dhe donacione për zhvillimin tonë është në minimumin e vet historik dhe shumë pranë parametrave ndërkombëtarë? Pra ka pak evazion dhe nuk ka parajsë të paligjshme fiskale për biznese të veçanta të favorizuara nga politika, por më shumë transparencë në grumbullimin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike në dobi të qytetarëve, më shumë barazi dhe konkurencë që nuk ndikohet nga presionet po lajkat e politikës për bizneset.

Mbi të gjitha: pse po kërkojnë të bëhen drejtues të një gjëje që sipas tyre na qënka e rrënuar, kur kanë dhënë prova të mjaftueshme që në politikë afrohen kur ndjejnë erën e mjaltit dhe jo për të sakrifikuar në të mirën tuaj?

I shtroj të gjitha këto pyetje sepse këta shokë e kanë mbushur kupën dhe e kanë bërë borxh. Nuk i aviten partisë sonë për të dhënë kontribute, që gjithësesi mbeten të mirseardhura dhe të respektuara, por duan të marrin në dorëzim këtë magazinë të madhe vlerash që quhet Parti Socialiste për ta shkatërruar dhe për t'i dorëzuar pushtetin Berishës. Kjo është magazinë vlerash sepse ju ka juve brenda. Rrofshin socialistët!

Sulmi brenda nesh është i njëkohshëm me temperaturën e lartë të doktorit të sëmurë, të Berishës, i cili është ngritur sërish, thua se ka të njëjtin trup apo të njëjtën mendje me disa nga ish-shokët tanë. Shokët tanë thyen, siç e dini, maxhorancën e numrave tanë në parlament. Këta të paaftë për të thyer maxhorancën tonë në zgjedhjet e fundit lokale. Ata bashkuan votat e tyre me Berishën dhe e kanë vënë seriozisht në vështirësi proçesin e zëvendësimit të disa vendeve në qeveri – ata guxuan të votojnë edhe kundër një figure përfaqësuese si Namik Dokle – duke abuzuar edhe me keqzbatimin e deritanishëm të Kushtetutës. Me këtë veprim ata kërcënuan qeverisjen tuaj dhe pasi e vunë në rrezik, filluan të hedhin lot krokodili se PS rrezikoka të shkojë në opozitë. Meqë nuk ia arrijnë dot ta çojnë në opozitë, nxjerrin Berishën që paralajmëron revolta "qytetare" që në fakt po bëhen banditeske, kundër institucioneve legjitime të shtetit. Po përfitoj nga rasti t'ju garantoj ju dhe përmes jush të paralajmëroj seriozisht doktorin e sëmurë Berishën dhe ata që fshihen pas tij se shteti i së drejtës në Shqipëri do t'i përgjigjet ashpër dhe pa asnjë lëshim çdo tendence për dhunim të ligjit dhe të institucioneve, duke garantuar njëherësh maksimalisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve sipas standarteve demokratike të Shqipërisë europiane. As Berisha dhe as bashkëpunëtorët e tij të hapur apo të fshehtë nuk mund të përsërisin më 14 shtatorin në Shqipëri! Shqipëria nuk ka kohë të humbasë me ta. Fëmijët tanë nuk mund të jenë më robër të tekave dhe mendjeve të sëmura!

Motra e vëllezër,

Pavarësisht këtyre argumentave të vërtetë dhe optimistë për fatet e vendit, jam i bindur se ju shtroni pyetjen: si do të rikthejmë kohezionin në Parti, si do t'i kthejmë besimin plebishitar shqiptarëve tek forca jonë politike? Unë shpreh bindjen tuaj kur them se besoj që ne jemi të aftë të përmbushim të gjitha detyrimet që lidhen me të ardhmen e Shqipërisë, siç përmbushëm detyrimin e anëtarësimit të partisë në Internacionalen Socialiste. Personalisht do të ftoj Kongresin që menjëherë pas tij gjithë Partia Socialiste, në çdo rreth, në çdo bashki dhe komunë, në çdo fshat dhe lagje, të nisë një bashkëbisedim të gjerë me komunitetin e njerëzve, aksionin më të madh politik në historinë moderne të Shqipërisë. Në këtë bashkëbisedim ne do të rishqyrtojmë drejtpërsëdrejti veteveten dhe realizimet për cilindo, do të zgjerojmë pjesëmarrjen tuaj në marrjen e vendimeve për zhvillim. Duke u ngritur mbi interesat e individëve dhe grupeve brenda nesh dhe duke u vënë edhe më mirë më shërbim të shtetasve qeverisjen tonë, ne do të mund të orientojnë debatin, alternativat, energjitë, politikat, stimujt, kreditë dhe gjithëçka tjetër, për të kuptuar dhe plotësuar më saktë shqetësimet, nevojat dhe për të zgjidhur problemet e shtetasve. Riorganizimi i Partisë sipas qendrave të votimit nuk mund të vazhdojë të ketë objekt vetëm ditën e zgjedhjeve, por zgjidhjet e përditshme për të cilat ka nevojë dhe sugjeron shoqëria shqiptare në çdo komunitet ku jeton. Unë ftoj dhe kontestatorët e mi që idetë dhe energjitë e tyre të mos i shterrojnë kundër meje, por t'i japin në dobi të Partisë Socialiste, në shërbim të ringjalljes së besimit të shqiptarëve tek programi dhe vepra jonë, për përsosjen e qeverisjes sonë në qëndër dhe në nivelet vendore, për të zgjeruar hapsirat e debatit konstruktiv, të forcimit të kohezionit dhe solidaritetit tonë parimor, natyrisht dhe të disiplinës pa të cilën një parti shthurret dhe degradon.

Shqipëria ka hyrë tashmë përfundimisht në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Pra modeli i zhvillimit është krejtësisht i përcaktuar. Në këto kushte do t'ju ftoja të gjithëve të mos lejojmë të spekullohet apo të mashtrohet me terma apo sensibilitete kundër sipërmarrësve apo se shteti social nuk ekziston. T'i nënshtrohemi punës për të përshpejtuar realizimin e misionit dhe programit tonë, transformimin e shpejtë të Shqipërisë dhe integrimin e saj në botën moderne. Shtrati i këtij shndërrimi të madh, ashtu si rruga Durrës-Kukës është ngritur. Themelet janë atje. Tani të ngremë binanë. Boll janë thyer pjata, gota, karrige dhe xhama në shtëpinë tonë duke fajësuar pronarin pse i ka blerë të dobëta. Pronarë të Partisë Socialiste jeni ju anëtarësia e saj e mrekullueshme, prandaj silluni si pronarët e Partisë suaj dhe ndihmojeni udhëheqjen t'i rikthehet punës dhe kontributit për të modernizuar dhe zhvilluar më tej shtëpinë tonë të përbashkët, partinë dhe Shqipërinë e dashur.

Punë të mbarë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›