Shoqëria & Kultura | 07.05.2010

Vullnetarë nga të gjitha vendet e Ballkanit po punojnë në Kampin e Restaurimit që organizohet në bashkëpunimin ndërmjet Fondacionit Suedez Cultural Heritage without Borders (Trashëgimia Kulturore pa Kufij), Universitetit POLIS në Tiranë, dhe Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO). Ky kamp zhvillohet në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme për projektin Gjirokastra 2009 -2011.
Kjo zhurmë që dëgjohet është e çekicëve, mistrive e veglave të punës të rreth 40 vullnetarëve nga vendet e Ballkanit, arkitektë, inxhinierë e studentë të cilët janë duke marrë pjesë në restaurimin e një prej monumenteve më autentike, ngrehinës së Babametove, monument kulture. Ata kanë ardhur nga vendet e Ballkanit, në Kampin e 4 të Restaurimit që organizohet në zemrën e Qendrës Historike të këtij qytetit. Ata janë studentë dhe profesionistë të rinj të cilët do të kalojnë dy javë duke u stërvitur nga ana teorike dhe praktike mbi teknikat dhe teoritë e restuarimit, si dhe më gjerë mbi fushën e trashëgimisë kulturore.
Lejla Haxhicievic drejtore e projektit thotë se: "Pjesa kryesore e këtij projekti janë siguruar nga agjensia suedeze për zhvillimin e trashëgimisë kulturore. Ne kemi punuar prej vitesh e kemi shumë kontakte në krejt Ballkanin, një një rrjet solid dhe sa herë që organizojmë kampe të tilla në Gjirokastër, këto kontakte i vëmë në veprim duke arritur që të sjellim pjesëmarrës të tillë në to".
Gjatë Kampit, pjesëmarrësve u jepet mundësia të njohin nga afër jo vetëm qytetin e Gjirokastrës por edhe disa prej monumenteve të kulturës së tij. Gjatë ditës, në këto 2 javë, pjesëmarrësit punojnë në një prej objekteve Monument Kulutre i Kategorisë së Parë, pronë e familjes Babameto, ku ata do të stërviten nga disa mjeshtra artizanë me përvojë mbi njohuritë bazë për përdorimin e teknikave dhe materialeve tradicionale me të cilat janë ndërtuar monumentet në Gjirokastër.
Kordinatori projektit Bojken Abazaj thotë se: "Midis nja aktiviteti që ndërthur pjesën teorike me atë praktike. Gjatë mbrëmjeve studentët marrin leksione të ndryshme mbi këtë fushë në vecanti mbi punimin e gurit, drurit e me rradhë e gjatë ditës punojnë në objekt."
Vetë pjesëmarrësit kanë mundësinë të punojnë gurin, drurin dhe suvanë sipas teknikave dhe materialeve tradicionale. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes, pjesëmarrësit marrin njohuri teorike mbi fushën e trashëgimisë kulturore, dhe më në veçanti mbi monumentet e kulturës në Gjirokastër. Leksionet mbahen nga profesorë nga Universiteti i Stokholmit Dega e Arkitekturës, Universiteti i Londrës për Arkitekturën, pedagogë nga Universiteti POLIS, si dhe nga specilaistë me përvojë nga vendet e Ballkani si Prof. Emin Riza, Prof. Ibrahim Canbulat, eksperti në fushën e konservimit Nihad Cengic, etj.
Barbara Pejic është një studente nga Beogradi dhe ajo dëshiron të rikthehet sërish në Gjirokastër. Edhe studenti nga Stambolli Murat Davidogllu thotë se: "Ka mjaft pika të përbashkëta mes ndërtimeve në Gjirokastër e në vendin e tij sepse popujt kanë dhënë e kanë marrë nga njëri tjetri. "
Pra mesazhi është i qartë, pra jo vetëm profesionalizëm por dhe një bashkëpunim mes popujsh, kulturash që deri dje ishin në armiqësi me njëra tjetrën.
Trashëgimia kulturore kësaj rradhe është shans e mundësi bashkimi e reflektimi e jo ndarjeje.
Autor: Odise Kote
Redaktoi: Aida Cama