Shoqëria civile e Pejës , kundër vrasjes së qenve endacakë

Komuna e Pejës dhe Policia prej tri ditësh kanë nisur aksionin për vrasjen e qenve endacakë.
Por një aksion i tillë është kritikuar nga shoqëria civile dhe qytetarët.
Labinot Krasniqi, nga organizata “Era Group”, e cila që pos tjerash merret edhe me mbrojtjen e kafshëve, e ka dënuar këtë formë veprimi të komunës.
“Si organizatë që merremi me mbrojtjen e kafshëve, dënojmë aktet e tilla me të cilat eliminohen qentë. Vrasjet nuk janë zgjidhje, dhe shkelin të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve, edhe se vërtet qytetarët janë të rrezikuar. Po ashtu zgjojnë frikë për qytetarët”, ka thënë Krasniqi. Ai ka thënë se Komuna do të duhej ta krijonte një strehimore ku do të vendoseshin qentë endacakë.
Edhe organizata Iniciativa Facedog Kosova nëpërmjet një reagimi ka kërkuar trajtim human të qenve endacakë. Kjo organizatë ka dënuar aksionin e autoriteteve pejane për vrasjen e organizuar të qenve endacak. Aksione si ky dhe të tjerë të zhvilluar në gjithë territorin e vendin, në vazhdimësi dëshmojnë për një kulturë të ulët institucionale e cila assesi nuk ka pranuar vlerat evropiane. Ne konsiderojmë se vrasja e qeneve endacak e cila përcillet vit pas viti me mjete të konsiderueshme parash, është shndërruar në biznes profitabil për disa akterë të cilët i ndërmarrin këto aksione. IFK, i kërkon institucioneve qeveritare qendrore që të marrin masa të shpejta për të ndaluar vrasjen e qenve dhe sa më parë të fillojnë adoptimin e legjislacionit përkatës, i cili do të zgjidhte këtë çështje konform praktikave të mira të cilat aplikohen sot në shumicën e shteteve evropiane dhe të rajonit. Facedog Kosova është iniciativë vullnetare e themeluar nga një grup të rinjsh e cila zhvillon fushatë për trajtim human të qenve endacak në Kosovë dhe aktivitetet e saj i zhvillon përmes rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter. Edhe qytetari Adem Nikçi ka bindjen se vrasja e qenve nuk është mënyrë e duhur për shmangien e rrezikut nga ta.
“Qentë endacakë janë qenie të gjalla dhe nuk mund të jemi të pamëshirshëm ndaj tyre përveç në rastet kur jeta e njerëzve rrezikohet. Mirëpo edhe në këtë rast ekzekutimi i tyre duhet të bëhet me kritere, sepse janë specie e këtij planeti”, ka thënë Nikçi.
Por pavarësisht këtyre qëndrimeve, komuna tashmë ka nisur aksionin.
Tahir Cukaj, drejtor i Bujqësisë, është i vetëdijshëm se kjo formë eliminimi është në kundërshtim më konventat për mbrojtjen e kafshëve, porse arsyetohet se nuk kanë mënyrë tjetër.
“Nuk ka rrugë tjetër, pos eliminimit fizik të tyre. Më rëndësi është jeta e qytetarëve, pa marrë parasysh reagimet që mund të vijnë ”, ka thënë Cukaj. Ai ka shtuar se forma të tilla të eliminimit përmes vrasjes janë aplikuar edhe më herët dhe se janë pasuar me reagime të shumta të shoqatave për mbrojtjen e kafshëve. Cukaj ka thënë se janë paraqitur raste të shumta që qytetarët janë ankuar se ishin kanosur nga qentë. E kërkesat kanë ardhur edhe nga institucione arsimore. “ Prej 28 bashkësive lokale të Pejës, nga secila prej tyre kemi pasur kërkesa. Po ashtu, edhe prej të gjitha institucioneve, shkollave e qytetarëve që kanë qenë të rrezikuar ”, ka shtuar Cukaj. Ai ka thënë se Komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e një strehimoreje. “Së bashku me Drejtorinë për çështje pronësore juridike, jemi duke identifikuar një pronë prej 1 hektari tokë, ku do të ndërtohet strehimorja dhe në faza edhe do të implementohet. Problemi është te mungesa e mjeteve financiare pasi që ajo kushton deri në 30 mijë euro, siç është ndërtimi i objektit, vaksinimi, pastrimi etj ”, ka thënë Cukaj. /Indeksonline/