Shoqëria greke e tronditur pas ngjarjeve të fundit

Policia greke ka bërë të ditur se ka arritur të evitojë tentativat për vetëvrasje të katër të rinjve vendas, të cilët bisedonin nëpërmjet internetit. Kjo ndodhi vetëm pak ditë pasi një student hapi zjarr në shkollën e tij, duke plagosur tre persona dhe më pas i dha fund jetës. Shoqëria e vogël dhe përgjithësisht e mbyllur greke vazhdon të jetë e shokuar nga kjo ngjarje e fundjavës. Pas hetimeve të policisë rezultoi se Patmanidis e kishte parapërgatitur aktin e vet. Në facebook-un e tij kishte publikuar fotografi me tytën e pistoletës të drejtuar përpara. Në çantën e tij u gjet një letër, ku shkruante ndër të tjera se ndihej i vetmuar, i përbuzur dhe se nuk kishte asnjë motiv për të jetuar. “Për fatin tuaj të keq, jam shumë egoist që të iki dhe t’ju le të jetoni jetën tuaj. Para se të vdes do t’ju marr gjënë më të shtrenjtë që keni”...
Dëshmitarë nga klasa dhe shkolla e 19 vjeçarit thanë se ai ishte tip i mbyllur. Ndoshta këtu ndikonte fakti se ai ishte fëmijë emigrantësh nga ish Bashkimi Sovjetik dhe ndihej i margjinalizuar. Por mjeku psikiatër psikolog, Janis Kuros, president i shoqatës greke të psikiatrisë dhe psikologjisë, thotë që fakti se qe i huaj nuk luajti rolin kryesor: "Sigurisht luajti rol fakti se ndihej i huaj. Por nuk mund të them se luajti rolin kryesor. Do të thoja se më shumë ka të bëjë mjedisi ku ndodhet i riu dhe karakteri i tij. Domethënë kur ka marrëdhënie miqësore, kur ndodhet në një mjedis ku zbuten zhgënjimet që ka njeriu në një moshë të re, i diskuton këto zhgënjime në rrethin familjar e shoqëror, nuk është e nevojshme që të shkojë në mendime dhe veprime kaq ekstreme, të cilat madje i përpunon për shumë kohë në mend". Vetëm pak ditë pas kësaj ngjarjeje, policia bëri të ditur se arriti të evitojë tentativat për vetëvrasje të katër të rinjve, të cilët bisedonin nëpërmjet internetit. Nga ana tjetër, në faqet e internetit po shtohen mesazhet lavdëruese në përkrahje të të vetëvrarit. Psikologu grek thekson se duhen marrë menjëherë masa që ngjarje të tilla tragjike të mos përsëriten. "Deri më tani mekanizmat e familjes dhe të shoqërisë tradicionale greke, e kishin mbajtur Greqinë larg ngjarjeve të tilla. Ka rëndësi që të merren menjëherë masa që të mos kemi ngjarje të tilla tragjike. Kur prindërit e kuptojnë në kohën e duhur se fëmija ka ndryshuar mënyrë të sjelluri dhe karakter, dhe bisedojnë me të që të marrin vesh se çfarë ka ndodhur, gjëra të tilla do të mund të parandaloheshin". Sipas psikologut grek, roli i prindërve është më vendimtari në mirërritjen e fëmijve, sidomos në moshën e adoleshencës. Ai tërheq vëmendjen se të jesh prind është një profesion dhe se duhet gjetur gjithmonë koha që të merresh me fëmijën. "Nuk flasim shumë me fëmijët dhe në këtë mënyrë nuk i ndihmojmë fëmijët tanë që të shprehin kundërshtimet e tyre. I privojnë ata nga mundësia që t’i shprehin kundërshtimet e tyre në një mjedis mirëbesimi, siç është familja. E rëndësishme është të mundin fëmijtë të përfitojnë kujdesin e prindërve, madje edhe qortimin. Nuk duhet të harrojmë se të jesh prind është një profesion. Është e sigurt se vitet e fundit, që prindërit detyrohen të bëjnë nga dy punë, nuk kanë shumë kohë që të merren me fëmijtë. Por gjithsesi, duhet të gjejnë kohën e të merren me fëmijtë, që çdo prind i do më shumë se çdo gjë tjetër në botë," përfundon psikologu grek. Në një përpjekje për të shfajësuar vetëveten, shumë politikanë, sidomos të krahut të djathtë, theksojnë se fenomene si ky që ndodhi këto ditë janë të huaja për shoqërinë vendase. Por deklarata të tilla nuk e zbusin efektin e ngjarjes, aq më tepër që ajo mund të kishte avancuar në një tragjedi të pashembullt. Studenti kishte shkuar në shkollë i armatosur me dy pistoleta dhe me rreth 100 fishekë, i vendosur që të kryejë një masakër të vërtetë, sipas vlerësimit të policisë. Federata e arsimtarëve ka kërkuar emërimin e psikologëve nëpër shkolla, si një masë që do të parandalonte shfaqjet e dhunës ekstreme nga ana e nxënësve dhe studentëve. Ministri i arsimit u zotua për këtë. Por media shprehet skeptike nëse do të mund të zbatohet. Aq më shumë që, në gjithë Greqinë ka vetëm 15 qendra për mbështetjen psikologjike të të rinjve shkollarë dhe, sipas federatës së arsimtarëve, ato janë ineficente, pa infrastrukturën e nevojshme dhe shpesh edhe pa personelin e nevojshëm shkencor.