Shoqërimet gjatë protestave, Avokati i Popullit monitorim në komisariate e spitale

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Avokati i Popullit reagoi në lidhje me situatën e të shoqëruarve gjatë protestave të sotme.
Avokati i Popullit bëri të ditur se ka dërguar grupe monitorimi në komisariatet e policisë dhe në drejtoritë e policisë në Korçë, Shkodër dhe Tiranë, si dhe në spitalet ku trajtohen personat e lënduar.
“Qëllimi është të verifikohet nëse të shoqëruarve u garantohen të drejtat themelore, dhe të publikohen gjetjet pasi të konfirmohen”, njoftoi AP.
Sipas AP, në Komisariatin e Policisë Korçë ditën e sotme janë shoqëruar 26 persona, nga të cilët 16 të mitur.
“Aktualisht të gjithë personat e shoqëruar janë liruar dhe një pjesë e tyre po procedohen në gjendje të lirë”, njoftoi Avokati i Popullit.
Gjithashtu Avokati i Popullit bëri të ditur se përfaqësuesit e zyrës rajonale kanë monitoruar Drejtorinë e Policisë Shkodër, ku janë kryer veprimet procedurale për katër persona të shoqëruar.
“Ne kemi administruar ankesat e tyre për trajtimin që në momentin e shoqërimit nga policia, si dhe pretendimet për garantimin e të drejtave të garantuara në Kushtetutë”, njoftoi AP.
Gjithashtu sipas AP, një grup pune po monitoron situatën në komisariatet e policisë dhe në spitalet e Tiranës, dhe shumë shpejt do të raportojë mbi gjetjet paraprake.
/m.q/r.e/