E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëritë e Sigurimeve, kartel monopoli në treg

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kërkon ndryshimin ligjit për liberalizimin e tregut


Tregu i sigurimeve është shëndruar në kartele monopol në treg. Diferenca mes shumës së arkëtuar nga sigurimet dhe zhdëmtimet në rast aksidentesh është 6 miliard lekë në vit. Tregu i sigurimeve është ende larg parametrave të tregut të lirë, ndërkohë që shqiptarët mbeten nga përdoruesit me të pakët të shërbimeve të sigurimeve. Primet e sigurimit janë të

dominuara nga sigurimi i detyrueshëm, veçanërisht ai motorik. Prania në tregun e kompanive të njohura ndërkombëtare, ende nuk i ka sjellë zhvillimet e pritshme. Këto janë disa nga përfundimet e autoritetit që mbikëqyr tregjet financiare dhe që janë materializuar në raportin vjetor që u referua para deputetëve në komisionin parlamentar të ekonomisë.


Sigurimi
Në Shqipëri për sigurime harxhohen vetëm 10 dollarë në vit për person ndërkohë që në botë kjo shifër është disa herë më larte. Sigurimi i jetës zë vetëm 7 për qind të totalit të sigurimeve ndërsa sigurimi i detyrueshëm përbën 56 për qind të tregut. Gjatë raportimin në komisionin e ekonomisë për zhvillimet e vitit 2009, kryetarja e autoritetit mbikqyrjes financiare kërkoi lehtësira fiskale me qëllim që tregu i sigurimeve të marrë zhvillim e kërkuar. Edhe pse prej vitesh emra të mëdhenj investitorësh të huaj janë bërë bashkë aksioner në tregun e sigurimeve në Shqipëri, shërbimin që ato ofrojnë për konsumatorin shqiptar, nuk do të guxonin ta ofronin në vendin e tyre.


Arkëtimet
Gjatë vitit 2009, shqiptarët kanë paguar 7.9 miliard lekë sigurime, ndërkohë që dëmet e paguara nga kompanitë arrijnë në vetëm 1.7 miliard lekë. Raporti prime/dëme mbetet më i ulti në rajon e më gjerë, gjë që u garanton kompanive në Shqipëri fitime të konsiderueshme. Sipas drejtuesve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, vetëm rritja e konkurrencës do të përmirësonte këtë raport. Duke raportuar në komisionin parlamentar të ekonomisë, Elisabeta Gjoni, drejtore e AMF-së u shpreh se: Në më të shumtën e rasteve, qytetarët të lodhur nga burokracitë e shërbimit që kompanitë ofrojnë, detyrohen që të pranojnë pagesa vullnetare. Sipas saj edhe pse ekziston presioni nga ana e shtetit sërish ky treg,  nuk mund të sistemohet me masa administrative, por vetëm nëpërmjet konkurrencës. Operatorët e tregut të sigurimeve fajësojnë për këtë fakt mungesën e liberalizimit të çmimeve. Sipas tyre,  në se ky proces do të ndodhte, atëherë çdo kompani do të maste forcat në treg. Bardhyl Minxhozi është i idesë se niveli i ulët i raportit prime/dëme është tregues i nivelit në të cilën ndodhet ky treg. Në se qeveria do të liberalizonte këtë treg, pra nuk do të fiksonte çmimet për sigurimin e detyrueshëm, atëherë çdo kompani do të ndjente konkurrencën dhe për rrjedhojë do të rriste cilësinë e shërbimit, thotë Minxhozi. Më pas i takon konsumatorit të vendosë se cilën kompani do të zgjedhë.


Raporti
Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Elisabeta Gjoni, prezantoi sot përpara Komisionit kuvendor të Ekonomisë raportin për punën e këtij institucioni për vitin 2009. Në raport theksohet se mbrojtja e interesave të konsumatorëve, nxitja e qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë, sigurimi dhe respektimi i ligjit kanë qenë ndër objektivat kryesore të punës së AMF, si ent rregullator i konsoliduar për të mbikëqyrur tregjet financiare jo bankare në Shqipëri. Gjoni, në fjalën e saj përpara deputetëve, theksoi se, gjatë vitit të kaluar, është punuar shumë në drejtim të dhënies së licencave për subjekte që operojnë në tregjet financiare jo bankare, si në fushën e sigurimeve, në tregun e letrave me vlerë, etj. Htimi i legjislacionit, parë edhe në prespektivën e integrimit evropian, si dhe rritja e bashkëpunimit institucional jo vetëm brenda vendit, por edhe me institucione homologe në vende të tjera, ishin çështje të tjera në të cilat Kryetarja e AMF-së u ndal gjatë paraqitjes së raportit përpara Komisionit për Ekonominë.


Vlerësimet
Anëtarët e Komisionit vlerësuan punën e bërë nga ky ent rregullator në drejtim të aktivitetit licensues, të hartimit të legjislacionit edhe me aktet nënligjore përkatëse, si dhe në drejtim të mbikqyrjes dhe inspektimit në tregun e sigurimeve. Gjatë diskutimeve u ra dakord që Kuvendi në bashkëpunim me AMF-në të përcaktojë strukturën dhe organigramën e këtij enti. Ndërkohë Komisioni për Ekonominë dhe Financat do të paraqesë për miratim në seancë plenare një projektrezolutë për vlerësimin e punës së AMF-së, për vitin 2009. Anëtarët e Komisionit vlerësuan punën e bërë nga ky ent rregullator në drejtim të aktivitetit licensues, të hartimit të legjislacionit edhe me aktet nënligjore përkatëse, si dhe në drejtim të mbikëqyrjes dhe inspektimit në tregun e sigurimeve. Ndërkohë Komisioni për Ekonominë dhe Financat do të paraqesë për miratim në seancë plenare një projektrezolutë për vlerësimin e punës së AMF-së, për vitin 2009.

Ornela Manjani

Last Updated on E Marte, 13 Prill 2010 21:52

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›