E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Arbërit, shkurtohet tuneli ulet kostoja

Shkurtimi i tunelit 3.5 kilometra në rrugën e Arbërit krijon mundësinë që kjo vepër të ndërtohet më shpejt dhe me kosto më të ulta. Projektuesi i rrugës inxhinieri Faruk Kaba thotë se po punohet që tuneli do të shkurtohet me rreth 700 metra lineare dhe se projekti përfundimtar mund të jetë gati për afërsisht dy muaj.  "Është vendosur që të ngrihet tuneli në kuotë, nga kuotat rreth 820

në kuota 930-940, pra, rreth 100-120 metra. Kjo do të ketë një impakt pozitiv, si në koston e ndërtimit të këtij tuneli, në sigurinë e këtij ndërtimi, sepse takohen formacione te mira, nga pikëpamja gjeologjike, gjithashtu dhe në afatet e ndërtimit të këtij tuneli, që është shumë e rëndësishme", tha Faruk Kaba, drejtor Infratransprojekt. Shkurtimi i tunelit ul kostot e ndërtimit por ndryshe nga se ka qenë parashikuar në studimin e fizibilitetit kjo rrugë do të jetë më e shtrenjtë. "Nga Tirana deri në urën e Cerenecit do kushtojë rreth 300 milionë euro", vijoi Kaba. Rruga e Arbërit është një nga arteriet e rëndësishme që lidh Tiranën me pjesën lindore të vendit. Ajo e shkurton distancën aktuale Tiranë-Peshkopi e më tej me 100 kilometra. Ndërtimi i rrugës së Arbërit pritet të shkurtojë distancën aktuale mes Tiranës dhe Shkupit me rreth 100 km, ndaj dhe do të procedohet me të gjithë shpejtësinë e mundshme për ndërtimin e kësaj arterie kryesore. Ndërkohë janë instruktuar studiot projektuese që të zgjedhin alternativën më të shkurtër të Rrugës së Arbërit, pavarësisht kostove financiare që mund të jenë më të larta. Mësohet se, tre lotet kanë ecuri të mirë. Nga Bulqiza deri në Gurin e Bardhë projekti është tenderuar vitin që kaloi dhe presim përfundimin e tij shumë shpejt, ndërsa dy lotet e tjera nga Guri i Bardhë deri në Qafë Murriza dhe nga Qafë Murriza deri në Tiranë, janë në procedura tenderimi. Për secilin lot do të aplikohet e njëjta procedurë. Rruga e Arbërit cilësohet si e dyta për vlerat e ekonomike pas rrugës Kukës Morinë. Ndërtimi i Rrugës së Arbërit shkurton në mënyrë të ndjeshme rrugën e transportit që lidhin Tiranën dhe portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin, Shkupin. Rruga e Dibrës, e quajtur Rruga e Arbërit, është e gjatë 75 kilometra. Sipas projektit, rruga parashikohet të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 kilometra në orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore edhe se ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500 2000 metra.

Last Updated on E Marte, 13 Prill 2010 19:23

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›