E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëritë koperativiste në bujqësi

 Gjatë mbledhjes së qeverisë, ai kërkoi krijimin vullnetar të shoqërive bujqësore, ndërsa theksoi se krijimi i rrjetit të infrastrukturës financiare i mbështetur në mikrokredinë, që duhet të mbulojë të gjithë territorin e vendit, do t'i japë nxitje të madhe prodhimit bujqësor dhe punësimit në këtë sektor.

“Sot miratojmë një vendim për krijimin vullnetar të shoqërive bujqësore, që do t’u mundësojnë fermerëve shqiptarë përpjekje të përbashkëta për gjetjen e tregjeve më të leverdishme”, u shpreh Kryeministri. Berisha shtoi se, “janë bërë përpjekje në kanalizime, vaditje, kullime, por të gjitha këto përbëjnë vetëm një bazë për një nivel krejt tjetër të bujqësisë shqiptare”. 

“Ky sektor, si një sektor prodhimi shumë i rëndësishëm mbetet dhe do të jetë gjithnjë, një ndër sektorët më të rëndësishëm të krijimit të pasurisë, rritjes së të ardhurave, përmirësimit të balancës tregtare”, tha Berisha.  Sipas Kryeministrit, “është në detyrën e Ministrisë së Bujqësisë të ndërmarë shtrirjen dhe rivitalizimin total të bujqësisë shqiptare”. 

“Fermeri shqiptar duhet të disponojë on-line gjithçka i duhet atij për fermën e tij. Ministria duhet të shqyrtojë dhe të identifikojë praktikat më të avancuara që ekzistojnë sot në moshën dixhitale, për këtë sektor”, tha Berisha.  Kryeministri theksoi gjithashtu se, “Ministria e Financave së bashku me Bankën e Shtetit dhe ndonjë faktor tjetër, duhet të bëjë çdo gjë për ngritjen dhe ndërtimin sa më shpejt të infrastrukturës financiare për ngritjen e këtij sektori".

“Ky sektor nuk them që është tërësisht i përjashtuar, por është jashtëzakonisht modest, apo me shumë pak akses në shërbimet financiare. Ndaj dhe duke i dhënë një përparësi absolute mbështetjes së këtij sektori duhet të ngremë infrastrukturën financiare të këtij sektori”, tha Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, “projekti më i madh, pas finalizimit të projektit të rrugëve do të jetë projekti vaditës. “Do të bëjmë gjithçka që të vadisim çdo pëllëmbë të tokës së punuar. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, për shkak të relievit të saj, të krijojë vaditje me rrjedhje pothuajse në çdo skaj të territorit të saj”, u shpreh Berisha.

“Ky është një projekt që kërkon mobilizim fondesh të mëdha. E rëndësishme është që duke vlerësuar potencialin e jashtëzakonshëm që ka ky sektor, ne duhet të bëjmë gjithçka që ata të kenë në dispozicion farat më të mira, plehrat kimike më të mira dhe infrastrukturën mbështetëse financiare, kryesisht mbi bazën e mikrokredisë”, theksoi Berisha.

                                                                                             2012-01-11 12:49
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›