Uimbëlldon, Federer kërkon fitore
Zvicerani për meshkuj dhe Sharapova për femra, kërkojnë të rikthehen në nivele të larta e të triumfojnë në një Grand Slem
Një ditë përpara nisjes së turneut gjigant të tenisit botëror Uimbëlldon, favoritët projektojnë një garë të fortë në fitimin e titullit kampion. Gjashtë herë kampioni i turneut anglez, Roxher Federer kërkon të kthehet te suksesi, pas një periudhe relativisht negative në fushat e tenisit. Ish-numri një i botës është shfaqur shumë i vendosur në seancat stërvitore në prag të startit të një prej turneve më të vjetër në historinë e tenisit botëror. “Uimbëlldon është një turne shumë i dashur për mua. Ndjehem në formë, ndërsa po përgatitem maksimalisht për të nisur në mënyrën më të mirë këtë aventurë. Ky turne lakmohet nga të gjithë dhe për këtë arsye mendoj se do të jetë i vështirë”, ka thënë Federer, i cili ka zbritur nga vendi i parë i renditjes së përgjithshme, për t’i lënë vendin e raketës numër një Rafael Nadal, dhe Novak Xhokoviç të vendit të dytë. “Mendoj se katër të parët ndihen shumë mirë në bar, ku ndoshta, në fillim, Rafa ende nuk po arrinte të provonte veten se sa i mirë mund të ishte. Ne të gjithë e dinim se ai është i mirë në rërë, në fakt i shkëlqyeshëm, por me kalimin e kohës fitoi edhe këtu. Merrej po ashtu është i mirë në këtë fushë dhe Xhokoviç gjithmonë është paraqitur mirë”. Mjeshtri zviceran synon të ngrejë edhe njëherë trofeun në Uimbëlldon, para se të mbushë 30 vjeç në gusht dhe nëse e arrin këtë, do të barazohet me shtatë titujt e Pit Samprasit, i cili e fitoi të fundit në vitin 2000. Federer, i cili mban rekordin me 16 Grand Slam të fituar, u desh të kujtohet nga gazetarët se cilin rekord mund të thyejë. ““Për cilin rekord e keni fjalën?” Pasi iu sqarua sa ishte kuota e Samprasit, ai tha: “Gjithmonë ekziston diçka për t’u arritur dhe nëse fitoj, do të barazohem me Samprasin. Është diçka e veçantë dhe e rëndësishme për mua”, përfundoi ai. Jo vetëm turneu për meshkuj, pasi edhe ai i femrave projekton një garë të fortë. Rikthimi në formën më të mirë të Maria Sharapovës ndërlikon akoma më shumë parashikimet. Tenistja ruse bëri një paraqitje të shkëlqyer në turneun francez “Roland Garros”, ndërsa në Londër kërkon të kthehet te titulli kampion pas një periudhe të gjatë larg sukseseve.