Shpallën falimentin e 7 fasonerive për të shmangur taksat e tatimet, në pranga 3 administratorët

Tre persona janë arrestuar pasi akuzohen për kryerjen e pesë veprave penale. Hetimi për Krimin Ekonomik në Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë ekzekutuar vendimin e 2 qershorit të gjykatës për caktimin e masës “arrest me burg” për tre administratorë subjektesh, njëri prej të cilëve është shtetas italianë, pasi kanë shpallur falimentin e 7 fasonerive me qëllim shmangien e taksave dhe tatimeve. Ndaj ekonomistes u caktua masa “arrest shtëpie”.
Gjykata e Elbasanit kishte caktuar masën së sigurisë “Arrest në burg”, për:
shtetasin Algert K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë;
shtetasin italian Giuseppe L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë;
shtetasen Zyhra K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh;
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
/rtsh.al/