E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hapen 10 qendra shëndetësore verore, do të ofrojnë shërbim përgjatë bregut në jug

Në qytetin e Vlorës janë ngritur katër qendra verore në Zvërnec, Plazhin e Vjetër, Radhimë dhe Orikum, të cilat do të ofrojnë shërbim shëndetësor për 12 orë në ditë.

Majlinda Gjika, përgjegjëse pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, thotë se këto pika synojnë të lehtësojnë aksesin në kujdesin mjekësor për pushuesit dhe banorët lokalë, duke përmirësuar cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit në zonat turistike.

“Ashtu siç është rritur numri i turistëve, edhe shërbimet kanë ardhur duke u rritur. Shërbimi i qendrave verore është startuar më 1 qershor dhe do të zgjasë për një periudhë 4-mujore, deri më 30 shtator,” tha Gjika.

Ndërkohë, përgjatë vijës bregdetare të Himarës, janë vendosur gjashtë qendra të tjera shëndetësore. Këto njësi do të jenë të hapura 24 orë në ditë dhe janë të pajisura me staf të plotë.

“Çdo turist apo qytetar që ka zgjedhur bregdetin tonë për të kaluar pushimet e bukura verore, të jetë i qetë në lidhje me problemet shëndetësore, pasi ato janë të siguruara dhe të garantuara nga shërbimi që do t’ua ofrojmë.”, nënvizoi Gjika.

Ky rrjet i përforcuar shëndetësor është pjesë e masave të marra nga autoritetet shëndetësore dhe vendore, duke garantuar ndërhyrje të shpejtë në rast emergjencash.

Gazetare: A. Hysaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›