Nxjerrja e qumështit të bletës, interes i lartë për këtë produkt çudibërës

Tani është periudha kur bletarët nxjerrin qumështin e bletës. Ky produkt është shumë i kërkuar në treg, për shkak të vetive të tij kurative natyrore, por edhe sepse nxirret në sasi të vogla dhe kërkon shumë kujdes nga bletarët.
“Kemi 20 ditë që kemi filluar procesin e nxjerrjes së qumështit të bletës. Fillimisht vendosim larvat, bllokojmë mbretëreshën dhe pas tre ditësh i heqim larvat prej saj, pastaj fillojmë të mbledhim qumështin. Kjo është xhelatina mbretërore. E marrin për fëmijët me imunitet të dobët, për moshën e tretë, dhe pse jo për gjithë familjen,” tha bletërritësja Klodjana Okolishta.
Ajo shton se ky është viti i tetë që merret me nxjerrjen e qumështit të bletës. Procesi kërkon shumë kujdes, pasi realizohet manualisht dhe duhet të bëhet pa dëmtuar as bletët, as strukturën e kosheres.
“Këtu në Shqipëri kemi gati 7–8 vite që po bëjmë procesin e nxjerrjes së qumështit të bletës. Pasi nxirret, ai transportohet me termos deri në shtëpi, me akull brenda, dhe më pas futet në ngrirje për të ruajtur vlerat ushqyese,” tregon ajo.
Qumështi i bletës, i njohur ndryshe si “ilaçi i mrekullive”, vlerësohet për efektet e tij të fuqishme shëruese. Në vitet e fundit, përdorimi i tij është rritur ndjeshëm, si në trajtimet alternative, ashtu edhe në suplementet ushqimore.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/