E Hënë, 2 Nëntor 2026

Irani kundër propozimit bërthamor të SHBA: Do vazhdojmë me pasurimin e uraniumit

Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, është zotuar se Teherani nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit , duke hedhur poshtë një kërkesë kyçe në një propozim të Shteteve të Bashkuara që synon zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi programin bërthamor të Iranit.

Khamenei tha se çështja e pasurimit të uraniumit mbeti çelësi për përpjekjet e Iranit për pavarësi energjetike.

“Propozimi bërthamor i SHBA-së bie ndesh me besimin e kombit tonë në vetëmbështetje dhe parimin ‘Ne Mundemi’. Pavarësia do të thotë të mos presësh dritën jeshile nga Amerika dhe vende të ngjashme me Amerikën. Disa njerëz mendojnë se racionaliteti do të thotë t’i përulesh Amerikës dhe t’i dorëzohesh pushtetit shtypës; ky nuk është racionalitet”, tha Khamenei.

Çështja e pasurimit të uraniumit ka mbetur një pikë ngërçi në bisedime, me SHBA-të që thuhet se kërkojnë një ndalim të plotë ose pasurim në nivel të ulët në këmbim të heqjes së sanksioneve perëndimore kundër Teheranit.

Teherani  thotë se dëshiron të zotërojë teknologjinë bërthamore për qëllime paqësore dhe ka mohuar prej kohësh akuzat e fuqive perëndimore se po kërkon të zhvillojë armë bërthamore. I dërguari amerikan Steve Witkoff, i cili kryeson delegacionin amerikan në bisedimet me Iranin, ka thënë se Presidenti Donald Trump kundërshton që Teherani të vazhdojë me çdo lloj pasurimi, duke e quajtur atë një “vijë të kuqe”.

Një raport i publikuar i Kombeve të Bashkuara tregon se Irani ka rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar me 50% në tre muajt e fundit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›