Shpallen fituesit e “Niketë Dardani”
Juria për ndarjen e Çmimit Kombëtar vjetor për muzikë, “Niketë Dardani”, ka shpallur fituesit në katër kategori, për vitin 2010.
Juria, e përbërë nga kompozitori Zeqirja Ballata, dirigjenti Ermir Dizdari, (Tiranë) dhe kompozitori Baki Jashari, çmimin kombëtar “Niketë Dardani” për vepër jetësore ia ndau post mortum kompozitorit Esat Rizvanolli.
Në kategorinë e veprave simfonike-koncertale, çmimi iu nda Mehdi Mengjiqit, për “Koncertin për obo dhe orkestër”.
Në kategorinë e veprave kamertale veprës “(IM) (EX) PRESSION”, të Drinor Zymberit. Ndërkaq në kategorinë e veprave të muzikës korale (me shoqërim instrumental) çmimi iu nda kompozitorit Rafet Rudi, për veprën “LAUDATE DOMINUM”.
Ky çmim ndahet për çdo vit nga Ministria e Kulturës (MKRS), ndërsa pretendentët i nënshtrohen një konkursi publik të shpallur nga MKRS. Jurinë ndërkaq e emëron ministri i Kulturës, dhe ajo përzgjedhë fituesit në kategoritë përkatëse. Çmimet e veprave të vlerësuara sipas gjinive jepen në të holla, të shoqëruara edhe me nga një certifikatë dhe me nga një plaketë.