Ai Weiwei me pavijon në Venecia
Një pavijon në Bienalen e Venecias do të mbajë emrin e artistit kinez, Ai Weiwei, i cili është arrestuar në Kinë për shprehjen e mendimit të lirë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në platformën “Jashtë Bienales”, disa artistë disidentë kinezë do të ekspozojnë nën përkujdesjen e kuratorit të pavarur, Wang Lin. Ekspozimi quhet Kina Tjetër, sepse nuk është pavijon zyrtar,dhe ai përfaqësohet nga artistë tjerë kinezë.
“Kur mësuam se ekzistonte platforma ‘Jashtë Bienales’ e shfrytëzuam menjëherë këtë mundësi. Kjo, ngase pavijoni zyrtar i kontrolluar nga qeveria kineze nuk e tregon të vërtetën e artit bashkëkohor në Kinë. Artistët e zgjedhur atje janë pjesë e Akademisë Qendrore të Arteve të Bukura në Pekin, dhe ata përfaqësojnë të bindurit e qeverisë. Edhe komisioni që i ka përzgjedhur është pjesë e asaj akademie. As artistët e as kuratorët nuk kanë asnjë lidhje me artin e vërtetë në Kinë. Në pavijonin kinez ata paraqesin një falsifikim”, theksoi kuratori Wang Lin.
Sipas tij, në pavijonin e kuruar nga ai do të ekspozohet më e mira e artit bashkëkohor kinez, ngase artistët aty nuk i nënshtrohen kontrollit qeveritar.