E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallen fituesit e Lotarisë Amerikane, si ta zbuloni se jeni fitues



Duke filluar që nga 1 korriku i këtij viti, të gjithë shqiptarët që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, mund ta zbulojnë nëse e kanë fituar të drejtën për të emigruar në tokën e ëndrrave.
Pak ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur kuotat për çdo vend. Në të ashtuquajturin Programi i Vizave të Diversitetit (Lotaria Amerikane) për vitin 2011, janë përzgjedhur për të emigruar në SHBA 1469 shtetas. Të dhënat janë bërë publike vetëm pak ditë më parë. Tashmë, secili prej aplikantëve mund të bëjë verifikimet nëse ka realizuar ëndrrën e tij, duke kryer një procedurë verifikimi në faqen e internetit: https://xxx.dvlottery.state.gov/ESC/(S(5cxc4345vbuzqa45pckh232a))/Secure/StatusCheck.aspx. Ky vit shënoi numrin më të ulët të përfituesve nga Shqipëria që nga viti 2001.

Fituesit
Pas mbylljes së aplikimeve për Lotarinë Amerikane, e cila përfundoi më 30 nëntor të vitit të kaluar, ka përfunduar faza e parë përzgjedhëse e fituesve. Tashmë e kanë rrugën të hapur për të përfituar të drejtën e emigrimit të ligjshëm në SHBA vetëm 1469 shqiptarë. Seleksionimi ka mbaruar më 30 qershor dhe pas 1 korrikut ka nisur procedura e njoftimeve për kandidatët e përzgjedhur. Të gjithë aplikuesit duhet të shkojnë në faqen: http:wwwvlottery.state.gov/ESC. Në faqen që do të hapet do të kërkohen disa të dhëna. Së pari, numri i konfirmimit (i cili ju është dërguar pasi keni aplikuar për herë të parë). E dhëna e dytë që kërkohet është mbiemri. Këtu ka opsion që mund të mos e kërkoni me mbiemër. E dhëna e tretë që kërkohet për t’u plotësuar në procedurën e verifikimit nëse jeni fitues është viti i lindjes. Pas plotësimit të të dhënave do të klikohet në opsionin “vazhdo” (continue). E gjitha kjo do të rezultojë me të dhënat nëse aplikimi i bërë është përzgjedhur si fitues në garën për të marrë vizën e emigrantit të ligjshëm nga organizatorët e lotarisë.

Kuotat për Shqipërinë
Shqipëria ka siguruar numrin më të ulët të kuotave gjatë gjithë këtyre viteve. Duke e krahasuar që nga viti 2001, numri i përcaktuar për ata që do të emigrojnë në SHBA vitin tjetër ka shënuar një rënie drastike krahasuar edhe me disa vende të tjera, por listohet mes 18 shteteve me numrin më të lartë të fituesve. Gjatë këtyre 10 vjetëve, numri më i madh i pranimeve ka qenë në 2003-shin, ku fituan 3380 aplikues. Duke parë të dhënat e vitit të kaluar, kësaj radhe ka 842 shqiptarë më pak përfitues. (Shih statistikat për Shqipërinë që nga viti 2001 në tabelën e mëposhtme). Organizatorët e lotarisë kanë dhënë më shumë kuota për vitin 2011 për Ganën, Nigerinë dhe Ukrainën, të cilat kanë numër thuajse të barabartë, me rreth 6000 fitues. (Për më shumë, shih tabelën me 18 shtetet që kanë më shumë fitues).

Rezultatet për 2011-n
Për Lotarinë Amerikane të vitit 2011 kanë aplikuar online gjatë periudhës 60-ditore 16.5 milionë persona nga e gjithë bota, por vetëm 12.1 milionë janë kualifikuar. Personat që deshën të emigrojnë në SHBA aplikuan që nga tetori deri në fund të nëntorit.
Tashmë do të nisë procedura për aplikimin për viza, ku janë vlerësuar rreth 106 mijë fitues, por vetëm 50 mijë do të arrijnë që të fitojnë. Kandidaturat e shpallura para pak ditësh do t’u nënshtrohen intervistave në zyrat konsullore amerikane në shtetet respektive. Procesi deri në marrjen e vizës për përfituesit e Lotarisë Amerikane mbyllet më 30 shtator të vitit 2011. Të gjithë ata që nuk kanë fituar këtë vit, kanë shans që të aplikojnë edhe për Programin e Vizave të Diversitetit për vitin 2012.
Por, në ndryshim nga vitet e tjera, kësaj radhe fituesit do të duhet të paguajnë më shumë për të marrë vizën, për shkak se shërbimet konsullore kanë rritur tarifat që nga dita e djeshme.

Lotaria amerikane, çdo vit 50 mijë fitues

Programi i Vizave Emigruese të Diversitetit (Lotarisë Amerikane), i autorizuar nga Kongresi Amerikan, bën të vlefshëm vit për vit 50 000 viza diversiteti, nxjerrë nga përzgjedhje të rastësishme midis të gjitha hyrjeve (aplikimeve) personave që plotësojnë kërkesat strikte të përshtatshmërisë nga vende me emigracion të ulët për në Shtetet e Bashkuara. Aplikimi bëhet online.
DASH i ka njoftuar qytetarët e interesuar për mashtrime edhe në faqet online, të cilat hiqen si faqe të qeverisë amerikane. Disa kompani kanë kërkuar para në mënyrë që të "kompletojnë" formularit e aplikimit të lotarisë. Nuk ka asnjë tarifë për të plotësuar Formularin Elektronik të Aplikimit të Vizës së Diversitetit. “Departamenti Amerikan i Shtetit i njofton aplikantët e lotarisë me letër, dhe jo me postë elektronike (e-mail)”, - thonë burimet zyrtare.
Ligji dhe rregulloret e përgatitura nga organizatorët e lotarisë me qendër në Kentaki kërkojnë që çdo aplikant i Vizës së Diversitetit të ketë të paktën edukimin e mesëm shkollor, ose të barabartë, ose të ketë, brenda pesë viteve të fundit, dy vite eksperiencë pune në një profesion që kërkon të paktën 2 vite trajnim ose eksperiencë.

KUOTAT SIPAS VENDEVE
GANA (6,002)
NIGERIA (6,000)
UKRAINA (6,000)
BANGLADESH (5,999)
ETIOPIA (5,200)
UZBEKISTAN (5,091)
KENIA (4,689)
EGJYPT (4,251)
SIERRA LEONE (3,911)
KAMERUN (3,674)
IRAN (2,819)
KONGO (2,575)
TURQI (2,266)
NEPAL (2,189)
MAROK (2003)
GJERMANI (1,895)
LIBERIA (1,826)
ALGJERIA (1,753)
SHQIPËRI (1,469).

FITUESIT E LOTARISË NË SHQIPËRI, SIPAS VITEVE

VITI 2010 2009 2008 2007 2006 2005 2004 2003 2002 2001
Numri 1469 2311 2894 2862 1988 2504 3380 3071 1898 2331

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›