E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS-së mandaton Gramoz Ruçin si negociatorin për transparencën



Eneida Jaçaj

Më në fund, maxhoranca dhe opozita po arrijnë të konkretizojnë Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë për zgjidhjen e krizës politike. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka mandatuar kreun e saj, Gramoz Ruçi, për të negociuar për transparencën e zgjedhjeve me kreun e Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i cili u mandatua dy ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Grupit të PD-së. Vendimi për z. Ruçi u mor dje në mbledhjen e Grupit të PS-së, pas 12 muajsh thirrje nga PS-ja për t’u ulur në tryezë me maxhorancën për zgjidhjen e krizës.
Kërkesat
Gjatë diskutimeve në mbledhjen e Grupit të PS-së është konfirmuar edhe njëherë qëndrimi se nuk do të ketë asnjë lloj tërheqjeje nga kërkesa për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, si një moment kyç që sipas socialistëve jo vetëm do të mbyllte një kapitull procesesh të manipuluara, por edhe do të garantonte mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme. Partia Socialiste, gjatë 12 muajve, i ka bërë thirrje të vazhdueshme maxhorancës të pranojë kompromisin për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Tashmë, opozita i ka kërkuar maxhorancës që të pranojë ngritjen e komisionit të ri hetimor dhe opozita të ketë shumicën në këtë komision. Gjithashtu, ka kërkuar që maxhoranca të pranojë që ky komision të drejtohet nga opozita dhe që komisioni të ketë mandatin për hetimin e materialeve zgjedhore në funksion të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit duke mos djegur fletët e votimit.
Apeli
PD-ja dhe PS-ja kanë shfaqur vullnet për zgjidhjen e krizës edhe pas apelit të fortë të bërë nga Bashkimi Europian, që dy partitë të ulen në tryezën e bisedimeve. Më pas ka qenë apeli i bërë nga kryetari i Grupit socialist, Ruçi, në seancën e fundit plenare të Kuvendit, i cili e ftoi maxhorancën që të ulet në tavolinë për të zbatuar atë që kërkon Rezoluta e PE-së. Bashkimi Europian u ka bërë thirrje palëve politike në vend se moszgjidhja e krizës rrezikon seriozisht proceset integruese të vendit. Madje, zyrtarë të lartë të PE-së janë shprehur se do të pezullohet statusi për vendin kandidat në BE nëse nuk ka një marrëveshje të shpejtë mes maxhorancës dhe opozitës.

KËRKESAT E OPOZITËS PËR MAXHORANCËN

Të pranojë ngritjen e komisionit të ri hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.

Të pranojë që opozita të ketë shumicën në këtë komision.

Të pranojë që ky komision të drejtohet nga opozita dhe që ky komision të ketë mandatin për hetimin e materialeve zgjedhore në funksion të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Të mos digjen fletët e votimit.

Beqja: “Kriza ekonomike u shkaktua nga keqpërdorimi i financave publike”

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, deklaroi dje se kryeministri Sali Berisha ka pranuar krizën ekonomike, por duhet të pranojë se ai është përgjegjësi kryesor. Sipas deputetit socialist, kriza ekonomike ka filluar që vjet, pasi Berisha keqpërdori financat publike në funksion të krimit elektoral. “Çdo familje shqiptare po e vuan në kurriz të saj papërgjegjshmërinë e qeverisë, e cila nuk kalon kurrë përtej retorikës boshe nga Këshilli i Ministrave. Nëse shqiptarët janë sot të papunë, më të varfër se më parë, më të pasigurt ekonomikisht, për këtë duhet të ‘falënderojnë’ kryeministrin e qeverinë e tij, ku papërgjegjshmëria është kthyer në model qeverisjeje”, - u shpreh Beqja. Deputeti Beqja deklaroi se papunësia është rritur zyrtarisht me 100 mijë veta. Ndërsa 17 mijë të papunë të rinj do të shtohen nga shkurtimet e buxhetit të rishikuar. “Berisha thotë se është rritur 7% kredia për ekonominë, por nuk thotë se sa është efekti i nënçmimit të lekut ndaj euros dhe dollarit, se janë rritur vetëm kreditë afatshkurtra për kapital qarkullues dhe se kreditë afatmesme e afatgjata janë pakësuar, se kreditë e këqija kanë arritur rekordin e 12%”, - tha Beqja, duke shtuar se në 6 muajt e fundit importi i makinerive dhe i pajisjeve ka rënë me 20%. Rritja e të ardhurave me 4.6%, sipas deputetit Beqja, është injektuar nga rritja ligjore e akcizave, nga nënçmimi i lekut dhe nga një inflacion 6-mujor 3.9%. “Berisha dhe të tijtë duan të na mbushin mendjen se është rritur transporti në tremujorin e parë, por si mund të besohet kur më pak mjete transporti janë siguruar dhe më pak mallra që transportohen janë siguruar. Shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe rritja e akcizës nuk mund të jenë rritje ekonomike”, - u shpreh Beqja.

Ligori: “Topalli të bëjë transparente përdorimin e financave publike”

Deputetja e Partisë Socialiste, Shega Ligori, i ka bërë sërish thirrje kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të bëjë transparencë mbi financat publike. “Të gjithë do të donim të dëgjonim nga zonja Jozefinë se si ka mundësi që edhe pse jeton në mes të Bllokut në Tiranë, vetëm për gënjeshtrën që bën duke pretenduar se jeton në Shkodër, kjo zonjë merr 11 milionë e 178 mijë lekë në vit? Pra, përafërsisht sa 100 pensione, ose sa 10 dëmshpërblime që iu shpërndanë familjeve të përmbytura nga qeveria e zonjës Jozefinë në rrethin e Shkodrës”, - deklaroi Ligori.
Topalli reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp se ajo nuk firmos asgjë përveç ligjeve, gjë që është ironizuar nga PS-ja. “Ne e kuptojmë faktin se Jozefinës i ka mbetur edhe sot e kësaj dite mendja te borderotë e Enverit, por duam t’i rikujtojmë asaj se ne nuk e pyetëm çfarë firmos apo jo, por çfarë shkon në mënyrë të jashtëligjshme në xhepat e saj dhe të familjes së saj, duke rrënuar arkën e shtetit, në një kohë kur shqiptarët po varfërohen?” - u shpreh Ligori. Sipas saj, Topalli abuzon me detyrën duke mos i bërë përshtypje kriza ekonomike që po ndiejnë mbi supe shqiptarët. “Dietat e zonjës Jozefinë janë vetëm një pikë uji në detin e korrupsionit dhe të përfitimeve të padrejta të pushtetarëve të sotëm në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Dietat e zonjës Jozefinë na japin po ashtu të kuptojmë se përse kryetares së Kuvendit nuk i hyn në sy rritja e çmimeve dhe e kostos së jetesës dhe se përse kjo zonjë vazhdon të na flasë për rritje ekonomike në një kohë ku shqiptarët vuajnë varfërimin nga kriza ekonomike”, - tha Ligori.
Xhaçka: “Transparenca nuk mund të kuptohet pa hetimin e fletëve të votimit”

Partia Socialiste i bën të qartë maxhorancës se transparenca e zgjedhjeve nuk mund të kuptohet me djegien e fletëve të votimit. Deputetja Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratave të numrit dy të qeverisë, Ilir Meta, duke u shprehur se Rezoluta e PE-së kërkon transparencë të plotë të zgjedhjeve. “Një vit më parë u tha shqiptarëve se zgjedhjet u manipuluan, por më pas u bë vetë pjesë e manipulimeve në Ndroq, ku kutitë e mbyllura fshehin të vërtetën se Ilir Meta nuk e ka fituar mandatin e deputetit. Tani na thotë se do ta zbatojë Rezolutën e Parlamentit Europian, por anashkalon transparencën e zgjedhjeve të fundit. Rezoluta është e qartë: Nevojitet transparencë e plotë e së shkuarës për të vazhduar rrugën drejt së ardhmes”, - u shpreh Xhaçka.

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›