Shpallet formulari A3, nesër nis aplikimi në drejtoritë arsimore
Kandidatët që nuk kanë fituar asnjë shkollë të lartë, por edhe ata që dëshirojnë të vijojnë një degë tjetër, do të kenë një tjetër mundësi nëpërmjet formularit A3. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëri të ditur dje procedurat për këtë fazë, e cila ndahet në dy periudha. Deri në ditën e premte maturantët duhet të kërkojnë plotësimin e formularit A3 dhe pas datës 21 do të mund të plotësojnë këtë formular. Ndërkohë, fituesit e fazës së tretë të regjistrimeve do të shpallen më 31 tetor.
Përfituesit
Vendimi i Ministrisë së Arsimit u jep të drejtën e plotësimit të formularit A3, jo vetëm të gjithë atyre që kanë rezultuar jofitues gjatë fazave të mëparshme, por edhe për ata që dëshirojnë të ndryshojnë degë.
Ministria deklaroi se A3-shi mund të plotësohet nga “të gjithë kandidatët, të cilët: nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin akademik 2009-2010; janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin akademik 2009-2010”. Gjithashtu, edhe për ata që “janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi”.
Formulari A3
Kandidatët e përcaktuar si më sipër duhet të paraqiten në drejtoritë rajonale ose zyrat arsimore (DAR/ZA) përkatëse deri në datë 16 tetor 2009, ora 18:00, për të bërë kërkesë për plotësimin e formularit A3. Pas kësaj, formulari A3 do të shpërndahet në DAR/ZA në datë 21 tetor 2009. Kandidatët, pasi ta plotësojnë, duhet ta dorëzojnë formularin A3 po në DAR/ZA deri më 26.10.2009.
“Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) në datën 30.10.2009 do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë, sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara”, - bën të ditur ministria.
Regjistrimi
Sipas saj, universitetet prej datës 31 tetor do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë.
“Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 08:00 deri në orën 18.00”, - deklaroi ministria.
Regjistrimi i këtyre fituesve do të kryhet duke dorëzuar në universitet dosjen me dëftesën e pjekurisë (ose vërtetim notash kur ajo mungon), dokumentin e identifikimit; 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh; ndërsa të gjithë ata që dëshirojnë të ndryshojnë degë, duhet të dorëzojnë edhe vërtetimin e çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit.
Kuotat e lira
IAL Kuotat e reja, faza e trete e regjistrimeve
Universiteti i Tiranës 267
Universiteti Politeknik i Tiranës 210
Universiteti Bujqësor i Tiranës 155
Universiteti i Durrësit 225
Universiteti i Korçës 260
Universiteti i Shkodrës 300
Universiteti i Elbasanit 380
Universiteti i Gjirokastrës 293
Universiteti i Vlorës 25
Akademia e Arteve 42
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve 100
GJITHSEJ 2.257
Kuotat e reja
Programe te reja te formularit A3
UT Bioteknologji 80
UT Administrim dhe politikë sociale 50
UK Gjuhë Letërsi shqipe dhe frënge 50
UD Shkenca të Administrimit (profil Financë-Kontabilitet) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Financë-Bankë) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Menaxhim-Marketing) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Administrim-Biznesi) (Peshkopi) 30
UD Informatikë- Anglisht (Peshkopi) 30
UD Gjuhë-Letërsi - Anglisht (Peshkopi) 30
UD Matematikë - Fizikë (Peshkopi) 30
UD Matematikë - Informatikë (Peshkopi) 30
UD Biologji - Kimi (Peshkopi) 30
UD Psikologji - Sociologji (Peshkopi) 30
UD Procese formimi (Peshkopi) 30
UD Drejtësi (profil Asistent ligjor) (Peshkopi) (2-vjeçar) 30
UD Infermieri e përgjithshme ( 3 - vjeçare) (Peshkopi) 30
UD Informatikë (profil Rrjete kompjuterike) (Peshkopi) (2-vjeçar) 30
GJITHSEJ 600