E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita dhe pretendimet për kutitë



Ka plot katër muaj që opozita shqiptare e majtë bën gjasme të pabindurin për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Katër muaj që s’reshtin së ankuari dhe së trilluari se gjoja iu qenka grabitur fitorja e tyre, se gjoja Berisha dhe koalicioni qeverisës kanë ngritur një qeveri me vota të vjedhura.

Në fillim, menjëherë pas zgjedhjeve, vetë kryetari i të majtëve që ngeli (dhe do të ngelë gjatë) në opozitë, z. Rama, doli përpara mediave dhe deklaroi se zgjedhjet kishin qenë në kuota të larta normaliteti. Por, kur nuk i buzëqeshi fitorja, atëherë befas ndërroi mendje dhe filloi të krijonte gjithë ato alibira për fitoren e tyre me demek të vjedhur dhe aq shumë gjatë e shpallën kudo këtë gënjeshtër, saqë ka ardhur tashmë një moment që dhe vetë ata të gjithë bashkë duket se po e besojnë si të vërtetë. Rezultat i këtij fenomeni të rrallë, kur vetë gënjeshtari ta besojë gënjeshtrën e tij, është qëndrimi i deputetëve të opozitës jashtë Parlamentit, ndërprerja e dialogut politik me kolegët e tyre të djathtë, të besuar nga populli për të qeverisur në këto katër vite të ardhshme, trokitja e kryeopozitarit të përjetshëm Rama nëpër dyert e institucioneve ndërkombëtare për të njollosur procesin zgjedhor të 2009-s dhe së fundi vendosmëria e një pjese të socialistëve për të dalë në shesh, në protestë.

Pa dyshim, duke qenë se jetojmë në një sistem demokratik (dhe për këtë socialistët shqiptarë bëjnë mirë t’ua dinë për nder pikërisht demokratëve), e drejta e protestës nuk mund t’u mohohet, por ama duket se atyre kësaj radhe u mungon argumenti i duhur, argumenti politik për ta thirrur popullin në sheshe, argumenti për t’u thënë zgjedhësve të tyre: “Çohu!” “Çohu!”, si tek ajo kënga e tyre e famshme e fushatës.

Jo vetëm shqiptarët, por edhe vetë socialistët janë velur tashmë nga qeveritë socialiste, nga mashtrimet e vjedhjet e xhepave të tyre për shëtitje të liderëve dendi në vende ekzotike larg Shqipërisë apo akoma më keq, për frekuentime kazinosh e të tjera shpenzime kësodore, shpeshherë ordinere, ndërkohë që populli sa vinte e varfërohej, sa vinte e sfilitej nga gjithë kjo papërgjegjshmëri.

Dhe pikërisht etja e këtyre lloj liderëve shpërdorues të shfrenuar të pushtetit, është një faktor i fortë që reflektoi pas 28 qershorit në qëndrimet zyrtare të opozitës së majtë, ku ata duket qartë se pavarësisht mungesës së argumenteve konkrete për rrëzimin e procesit zgjedhor, insistojnë me këmbëngulje për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, pa llogaritur as koston katastrofike që qytetarit shqiptar i duhet të paguaj me këtë rast.

E djathta shqiptare e mori pushtetin politik në vitin 2005 duke pasur një Shqipëri ku nuk funksiononte asgjë në normalitetin e duhur, asnjë hallkë qeverisëse, asnjë institucion. Biznesi i vogël në vend ishte inekzistent, ekonomia shqiptare ishte monopolizuar nga njerëzit e mafias dhe të pushtetit, investimet e huaja ishin tkurrur vetëm në disa pak kompani. Sikur këto të mos mjaftonin, vendi po kalonte edhe një krizë energjitike. Shqiptarët e papunë, pa drita, pa ujë, pa ngushëllim dhe pa shpresë për të ardhmen nuk ishin vetëm shqiptarët e djathtë, por edhe ata të majtë.

Pas atyre zgjedhjeve, ku doli fituese e djathta shqiptare, shumë votues të majtë, ndonëse në fillim mund të mos e kenë mirëpritur këtë fitore, ngase bindjet e tyre ishin të kundërta, por kur jeta e tyre filloi të ndryshonte për mirë, kur të gjithë panë një model të ri qeverisjeje të përgjegjshme dhe shumë aktive për të zgjidhur problemet e çdo komuniteti në vend, kësaj radhe, më 28 qershor, nuk e përkrahën më ardhjen në pushtet të së majtës.

Për këtë fenomen lideri i së majtës, zoti Rama, natyrisht ka të drejtë të alarmohet, por ama problemi qëndron tek kampi i tij politik, tek ai vetë, tek kolegët dhe paraardhësit e tij të majtë që e shpërdoruan shumë vite me radhë besimin e popullit, duke mos bërë asgjë të re për vendin. Për këtë nuk ua ka fajin as PD-ja, as zoti Berisha, as KQZ-ja, as gjykata, as policia, as komisionerët e zonave zgjedhore, as institucionet e tjera, as organizatat e huaja monitoruese, nuk ua ka fajin askush.

Pretendimi i zhgënjyer për zgjedhjet e 28 qershorit e çoi në një përshkallëzim absurd acarimin e kryetarit të opozitës. Ai jo vetëm që iu sul me një tufë akuzash të pavërtetueshme Kryeministrit, por për të ruajtur pozitat e tij shumë të lëkundura në partinë e tij, i bëri premtim elektoratit të majtë se do ta rrëzonte qeverinë e re, duke mos njohur zgjedhjet, duke bojkotuar Parlamentin, duke organizuar protesta, duke trokitur në të katër anët për hapjen e kutive. E gjithë kjo zhurmë e panevojshme, është vetëm përpjekje për destabilizim të proceseve në vend. Destabilizimin s’e do më asnjeri, as i majtë, as i djathtë. Askush nuk beson më se qëndrimet dekonstruktive të Ramës do t’u sjellin ndonjë ndryshim për mirë qytetarëve shqiptarë dhe proceseve integruese. Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Zoti Rama e di edhe vetë këtë gjë, por duket qartë se dhe ai i përket atij modeli politikanësh të majtë që është i gatshëm të sakrifikojë interesat e mëdha të vendit për interesat e vogla të tij dhe të klanit të tij.

Partia Socialiste falë qëndrimeve të papërgjegjshme të liderit të saj po qëndron përsëri jashtë Parlamentit. Argumenti të cilit i referohen më së shumti është se duhen hapur edhe një herë kutitë. Për cilat kuti e ka fjalën zoti Rama? Për kutitë që i dhunuan vetë ata në Fier dhe në disa qendra të tjera elektorale, duke ngritur militantët për të ushtruar presion mbi komisionerët që të ndryshonin rezultatin e tyre dëshpërues? Partia Socialiste, jo vetëm kaq, por po organizon dhe protestat në rrugë e sheshe, siç e kanë shpallur ata përmes vetë kryetarit dhe mediumeve të tyre.

Mirëpo, në emër të kujt duhet të dalë populli në rrugë për të protestuar? Ngado që ta shohësh, rezultati zgjedhor ishte i lexueshëm shumë lehtë. Socialistët e kryesuar nga zoti Rama nuk dolën fitues në këto zgjedhje, sepse përballë kishin një kundërshtar politik që gëzonte një besim më të madh elektoral sesa ata; nuk dolën fitues për bëmat e qeverive socialiste të mëparshme; nuk dolën fitues për probleme të tyre të organizimit në parti; nuk dolën fitues sepse nuk ishin të përgatitur për të qeverisur Shqipërinë në një kohë kur gjithë Evropa dhe vendet industrialiste po kalojnë një fazë të vështirë ekonomike; nuk dolën fitues sepse shqiptarët po e kërkojnë tashmë më me ngulm se kurrë bashkimin me Evropën. Edhe ndryshimet në vetë Kodin Zgjedhor u bënë dhe me konsensusin e opozitës, kështu që zoti Rama, me acarimet dhe inatet e tij ndaj qeverisë “Berisha”, sa vjen dhe bëhet më absurd, më pak qytetar dhe për më tepër, po humb ekuilibrin e tij si politikan, lider i forcës më të madhe opozitare në vend. Elektorati i tij është elektorat i këtij vendi dhe pavarësisht se është apo s’është i majtë, ata janë qytetarët shqiptarë, të cilët në radhë të parë duan zhvillimin e shpejtë dhe të pandalshëm të vendit.

Atyre pak u intereson nëse Rama do të bëhet apo jo Kryeministër; pak u intereson nëse Rama do të qëndrojë apo jo në krye të Partisë Socialiste; atyre u intereson para së gjithash qetësia dhe integrimi i vendit, prandaj Rama, duke mos marrë pjesë në Parlament, jo vetëm që nuk përmbush përcjelljen e zërit të këtij elektorati në institucionin më të rëndësishëm ligjvënës të kombit, pa folur pastaj për të qenë koherent në detyra të tjera që i bie të kryejë një opozitë parlamentare pranë institucioneve dhe qytetarëve që e kanë votuar. Së fundi, them se zoti Rama duhet të bindet tashmë se shërbimin më të madh partisë dhe elektoratit të tij të majtë ia bën duke marrë pjesë në Parlament, duke e çuar atje zërin e qytetarëve dhe duke bashkëpunuar me forcat politike që aktualisht qeverisin vendin.

*(Ish-kandidate për deputete e PD-së në zgjedhjet e qershorit 2009)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›