E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi; PDK përgënjeshtron deklarimet e të penduarit Coli për Kekën



Një ditë pas rrëfimit surprizë të të penduarit të drejtësisë, Adriatik Coli, se Aleksandër Keka, ish-kreu i PDK-së në Malësinë e Madhe, ishte korrier droge për në Mal të Zi i “Bandës së Durrësit”, ka ardhur reagimi i menjëhershëm nga PDK-ja. Partia Demokristiane është shprehur se “denoncon përpjekjet e Policisë së Shtetit për implikimin në veprimtari kriminale të të ndjerit Aleksandër Keka, ish-kryetar i degës së PDK-së në Malësinë e Madhe, vrarë në atentat me eksploziv më 18 qershor 2009, në aksin rrugor Koplik-Shkodër, në kulmin e fushatës elektorale. Deklaratat e djeshme në seancën gjyqësore të të “penduarit” kriminel dhe të përdorurit nga Policia e Shtetit, Adratik Coli, ku i ndjeri akuzohet si korrier droge i “Bandës së Durrësit”, janë një përpjekje e turpshme e Policisë së Shtetit për të penguar zbardhjen e vrasjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të krimit të shëmtuar që i mori jetën kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka. I “penduari” i policisë, Adriatik Coli, asnjëherë gjatë dëshmive të tij të mëparshme gjatë dy viteve, në cilësinë e të penduarit, nuk e kishte përmendur emrin e Aleksandër Kekës. Deklaratat e djeshme na bindin se “i penduari” është përdorur nga Policia e Shtetit për të njollosur figurën e të ndjerit Aleksandër Keka pas vdekjes, ashtu sikurse është vepruar nga policia edhe në ditën e vrasjes. Kemi informacione të vazhdueshme që Policia e Shtetit është përpjekur me të gjitha format dhe mënyrat për ta përfshirë emrin e Aleksandër Kekës në ngjarje kriminale të ndodhura gjatë viteve të fundit”. Ndërkohë që deklarimet e Colit kanë qenë surprizë dy ditë më parë edhe për vetë prokurorinë, gjyqtarët dhe avokatët, kur gjatë dëshmisë për trafiqet e drogës ka përmendur emrin e të ndjerit Keka si korrier droge, por edhe të një avokati dhe të të birit se i nxorën në pritë Erion Lamen për ta vrarë. “Partia Demokristiane, edhe njëherë u bën thirrje Institucioneve të Sigurisë Kombëtare, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Inteligjent, të zbardhin ngjarjen dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore kriminelët që i morën jetën të ndjerit Aleksandër Keka”, - përfundon reagimi i PDK-së. Ndërkohë që vetë kjo parti politike vë në dispozicion për mediat edhe një reagim të familjarëve të viktimës, të cilët janë shprehur se “emrat që përmenden nga i penduari i “Bandës së Durrësit”, sikur kanë qenë miq të djalit tonë dhe kanë qenë në shtëpinë tonë, janë të pavërteta. Ata nuk kanë pasur asnjë lidhje dhe madje as njohje personale me të. Kërkojmë nga Policia e Shtetit që të zbardhet vrasja dhe autorët të dalin përpara drejtësisë dhe jo këto tendenca për të na rivrarë me këto shpifje dhe akuza të pabaza”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›