E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet juria

Galeria e Arteve e Kosovës ka shpallur të mërkurën shpalli emrat e jurisë për ekspozitën Artistët e së Nesërmes 2012. Juria profesionale e përbërë nga Aaron Multon, Alban Muja dhe Janka Vukmir, do të përzgjedh fituesin që do të shpërblehet me një rezidencë 6-javëshe në New York (Studio Ndërkombëtare dhe Programi Kuratorial).

Rezidenca i jep mundësi fituesit që të ndërtojë një rrjet të kontakteve që do ta ndihmojnë në karrierë.

Aaron Moulton është kurator i ekspozitave në Muzeun e Artit Bashkëkohor Utah, në Salt Lake City. Ka magjistruar për kurim, në Kolegjin Mbretëror të Artit, në Londër. Para involvimit në Utah ishte themelues i institucionit të artit Feinkost, në Berlin. Është bashkëredaktor i revistës për art ‘Agma’ dhe botues i analogjisë satirike ‘Një Gazetë e Artit: Çështja Speciale e Dekadës’. Ishte redaktor në ‘Flash Art Interrnational’, në Milano, dhe punoi si redaktor në shumë monografi artistësh, por edhe si gazetar i kulturës në Evropë dhe Amerikë.

Alban Muja është artist vizual nga Kosova, që jeton dhe punon në Prishtinë. Punon në mediume të ndryshme të artit bashkëkohor, si video, instalacione, vizatim, pikturë, film dokumentar, film i shkurtër, dhe ndërhyrje në hapësirat publike. Ka ekspozuar në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare dhe në festivale filmike, përfshirë këtu edhe prezantime/ekspozita personale. I ndikuar kryesisht nga proceset dhe transformimet politiko-sociale në Kosovë e rajon, Muja hulumton tema historike dhe socio-politike dhe i lidhë ato me pozitën e tij në Kosovën e sotme.

Janka Vukmir është historiane, kritike, dhe kuratore e artit. Është bashkëthemeluese dhe kryetare e Institutit të Artit Bashkëkohor, në Zagreb. Vukmir është zëvendëskryetare e Academia Moderna, ish-drejtoreshë ekzekutive e bienales për dizajn grafik dhe komunikim vizual (ZgGraf 10), në Zagreb dhe ish-drejtoreshë e institucionit CIP (botues i pavarur kroat). Ka kuruar ekspozita dhe ka publikuar në mediat e shkruara dhe elektronike në Kroaci dhe në botë.

Në mars 2012, GAK ka shpallur konkursin për çmimin Artistët e së Nesërmes. Pas dorëzimit të aplikacioneve dhe shqyrtimit të tyre nga juria (e përbërë nga Kaltrina Krasniqi, Vesa Sahatçiu dhe Natasa Petsin-Bachelez), në muajin korrik GAK ka shpallur emrat e katër finalistëve. Finalistë të ekspozitës janë Brilant Pireva, Luan Bajraktari, Majlinda Hoxha dhe Yll Xhaferri. Që nga korriku këta artistë punuan me kuratorin e ekspozitës, Bardhi Halitin, në realizimin e punëve për ekspozitën përfundimtare.

Ekspozita Artistët e së Nesërmes hapet të martën (më 16 tetor) në orën 19, në Galerinë e Arteve. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 16 nëntor 2012.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›