E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga, shkatërrohet banda shqiptaro-tuniziane, 19 veta në pranga



ITALI – Sërish shqiptarë në pranga për trafik droge. Edhe këtë herë bëhet fjalë për një grup të fuqishëm të trafikut të drogës, ku drejtuesit e saj ishin shqiptarë dhe ku rolin e shpërndarësve të drogës e kryenin tunizianët. Mediat italiane bëjnë të ditur se policia e këtij vendi ka arrestuar 19 persona të implikuar në një trafik të drogës që përfshinte zonat Veneto dhe Friuli. Hetuesit thanë se të arrestuarit janë shtetas shqiptarë dhe tunizianë, të hetuar prej kohësh për akuzën e trafikut ndërkombëtar të heroinës. Organizata kriminale kishte krijuar një rrjet të gjerë të shpërndarjes së heroinës, i cili mbulonte të gjitha llojet e klientëve përdorues të drogës. Kreu i organizatës është identifikuar të jetë në Padova, zona Abano Terme. Ai u identifikua pas një viti hetimesh të kujdesshme. Policia e Padovës zbatoi mëngjesin e djeshëm urdhër-arrestet e lëshuara në adresë të 19 personave, të gjithë me banim ne Veneto dhe Friuli. Hetimet për këtë grup mësohet se kanë nisur një vit më parë, ku sipas hetuesve, droga ishte importuar në Itali nga Shqipëria në sajë të kontakteve që shqiptarët kishin në vendin e tyre. Ndërkohë, shtetasit tunizianë janë përdorur kryesisht për shitjen dhe shpërndarjen e drogës në rolin e korrierëve. Ende nuk janë bërë të ditur emrat e shqiptarëve të arrestuar dhe numri i saktë i tyre.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›