Shpejt Qeverinë

Drejtorët politikë të vendeve anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GDN), pas një takimi që kanë pasur të martën në Bruksel kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet të cilës kanë kërkuar nga kosovarët formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Ky mekanizëm që përbëhet nga 25 shtete e që për qëllim ka mbikëqyrjen e implementimit të Pakos së Ahtisaarit, po ashtu, ka kërkuar që Qeveria e ardhshme të jetë funksionale dhe e besueshme, por ka shmangur sintagmën “me duar të pastra”, e cila është duke u përdorur nga diplomatët perëndimorë në vend.
“GDN pret që shumë shpejt të formohet Qeveria e re dhe të zgjedhet Presidenti i Republikës dhe thekson rëndësinë që Qeveria e re të jetë funksionale, kompetente dhe e besueshme. Ajo duhet të jetë e gatshme që të merret me nevojën urgjente për zhvillim socio-ekonomik, duke përfshirë edhe krijimin e vendeve të punës dhe zvogëlimin e varfërisë, të forcojë sundimin e ligjit dhe të vazhdojë procesin për të mundësuar integrimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe shoqëri”, thuhet në deklaratë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka dëgjuar edhe qëndrimin e palës kosovare, të cilin e ka prezantuar zëvendësministrja e Jashtme në largim,Vlora Çitaku, e cila të martën ka qëndruar në Bruksel.
Në një sesion të veçantë, vendet anëtare të GDN’së kanë dëgjuar edhe opinionet e Veton Surroit, i cili ka darkuar me përfaqësuesit e këtij mekanizmi.
Ky grup shtetesh përkrahëse të Kosovës ka sugjeruar në mënyrë direkte detyrat që duhet të kryejë Qeveria e re menjëherë pas krijimit, siç është çështja e buxhetit e cila duhet të bëhet ashtu siç kërkojnë organizatat ndërkombëtare.
”GDN nënvizon se Qeveria e re duhet të trajtojë çështje urgjente si: miratimi i buxhetit për vitin 2011 në përputhje me zotimet ndërkombëtare për stabilitet buxhetor, vazhdimi i procesit të privatizimit, veçanërisht privatizimit të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve për zbatimin e ligjit dhe atyre gjyqësore, dhe progresi i mëtejshëm në decentralizim në tërë Kosovën”, thuhet në deklaratë.
GDN ka adresuar edhe çështjen e zgjedhjeve të 12 dhjetorit duke theksuar se “janë për keqardhje disa parregullsi në procesin e numërimit dhe të votimit”. Por, GDN ka vlerësuar rolin e institucioneve që merren me zgjedhjet.
“GDN thekson se autoritetet e Kosovës, e veçanërisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme, kanë luajtur rolet e tyre përkatëse në mënyrë adekuate, efikase dhe të përgjegjshme, në përputhje me kornizën ligjore”, thuhet në deklaratë.
“GDN u bën thirrje autoriteteve kompetente që të hetojnë dhe të ndjekin penalisht të gjitha aktet e paligjshme në lidhje me zgjedhjet, në mënyrë që të forcohet edhe më shumë besueshmëria dhe legjitimiteti i procesit demokratik në Kosovë”, vazhdon deklarata.
Në një nga pikat e deklaratës GDN ka adresuar edhe çështjen e implementimit të Pakos së Ahtisaarit, duke përshëndetur hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në këtë drejtim.
GDN ka uruar kosovarët në trevjetorin e pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen për “Kosovën demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm”.
Po ashtu, GDN ka konfirmuar përkushtimin për integritetin territorial të Kosovës si dhe ka bërë thirrje që vendi të njihet nga shtetet tjera.
Ky mekanizëm ka përmendur edhe Gjykatën Kushtetuese, si një institucion që po funksionon “në mënyrë gjithnjë e më efektive për të siguruar ekuilibrin e pushteteve në një Kosovë të suksesshme, të qëndrueshme dhe stabile”.
Deklarata ka adresuar veçmas edhe raportin e senatorit zviceran Dick Marty, duke u bërë thirrje të gjitha organizatave, institucioneve dhe individëve që ti përgjigjen EULEX’it për dëshmitë që kanë në lidhje me pretendimet që përmban ky raport. Po ashtu, bëhet thirrje që “autoritetet kompetente” të marrin masat e duhura për të mbrojtur dëshmitarët.
“GDN e mirëpret ofertën e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të plotë me EULEX-in në hetimin e të gjitha krimeve të supozuara të luftës”.
GDN, po ashtu, i ka kushtuar vëmendje edhe dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, duke thënë se shpreson për një dialog të sinqertë “për identifikimin dhe zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve”.
“GDN konsideron se dialogu, që do të lehtësohet nga BE-ja dhe zbatimi i Planit Ahtisaari duhet të çohen më tej nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë, e veçanërisht kur është fjala për shtrirjen e decentralizimit edhe në Kosovën veriore”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, aty adresohet edhe bashkëpunimi rajonal ku GDN u bën thirrje të gjitha vendeve të rajonit për bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal “duke mundësuar, mes tjerash, gjetjen e një zgjidhjeje praktike dhe të qëndrueshme për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale, e veçanërisht në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe CEFTA”.
GDN ka kërkuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) që të zvogëlojë stafin e saj, në përputhje me implementimin e Pakos së Ahtisaarit.
“GDN-ja miraton hapat që ICO-ja tashmë i ka ndërmarrë që të zvogëlojë përpjekjen, e me këtë edhe stafin e saj, në çështjet ekonomike dhe fiskale, çështjet e komuniteteve, dhe rrjedhimisht edhe në njësitë mbështetëse. GDN po ashtu vëren planet e ICO-së në lidhje me detyrat e mbetura që duhet të përmbushen para përfundimit të periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur”, thuhet në deklaratë.
Aty i jepet mbështetje edhe Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICR), në përmbushjen e mandatit.
“GDN e përsërit zotimin e saj për përfundimin e zbatimit të Planit Ahtisaari dhe e përsërit zotimin e saj për Kosovën si i vetmi organ që e udhëzon ICR-në në përmbushjen e mandatit të tij. GDN e përsërit mbështetjen e saj për Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, duke përfshirë edhe kompetencat e tij miratuese dhe korrigjuese”.
Parashikimi i Countryman’it
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë që partitë politike në Kosovë do të arrijnë një marrëveshje për krijimin e Qeverisë së Kosovës, javën e ardhshme.
Këto komente i ka bërë ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, në Bruksel para një takimi me zyrtarë të Grupit Drejtues Ndërkombëtar që është zhvilluar të martën.
Countryman ka thënë se shpreson që partitë politike, të cilat nuk janë aq të shumta, do të arrijnë pajtim që Qeveria të formohet në javën që vjen.
Por, Countryman ka thënë se nuk parashikon se kjo gjë edhe do të ndodhë.
”Unë nuk parashikoj se kjo do të ndodhë, por vetëm shpreh bindjen time se është e mundshme që të ndodhë”, ka thënë Countryman.
Ky zyrtar pritet të qëndrojë të mërkurën dhe të enjten në Kosovë, ku pritet të takohet edhe me zyrtarë kosovarë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadorit në Kosovë janë deklaruar për një Qeveri me “duar të pastra”
Këtë e ka përsëritur edhe Countryman gjatë takimit me gazetarë në Bruksel, duke thënë se “Qeveria duhet të jetë me duar të pastra, por edhe e aftë që të kryejë punët, të cilat e presin atë”.
Përveç Kosovës, amerikani pritet ta vizitojë edhe Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimin e prerë se nuk mund të ketë negociata për ndarjen territoriale të Kosovës.
Countryman ka thënë se Kosova nuk ka nevojë që ta ketë avokat kur të nisë bisedimet me Serbinë, duke thënë se ajo do të jetë në gjendje të mbrojë vetë interesat e saj në dialog me Serbinë.
Ky zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë, po ashtu, se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit tani është më i domosdoshëm se kurrë.
Ai ka pohuar se të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit rrugën më të mirë për demokratizim dhe të krijimit të një shteti funksional e kanë rrugën e integrimeve në BE.
Ai ka përmendur Kroacinë, si rast të suksesshëm e cila në 6 vitet e negocimit për anëtarësim në BE ka arritur sukses të jashtëzakonshëm.
“Edhe vende tjera të rajonit mund të arrijnë suksesin që ka arritur Kroacia, por politikanët në ato vende të Ballkanit duhet t’i shikojnë interesat e shtetit, e jo interesat e ngushta personale apo interesat afatshkurtra politike”, ka thënë ai.