Kapen për LDK
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zyrtarizuar qëndrimin e saj për koalicionin e ardhshëm qeveritar, ende pa marrë ftesë as ofertë zyrtare nga Partia Demokratike e Kosovës.
Partia e Ramush Haradinajt ka bërë të ditur të martën se pranon të hyjë në koalicion me PDK’në vetëm nëse edhe LDK bëhet pjesë e koalicionit.
Të martën në AAK nuk u përmend kushti i mëhershëm që AAK nuk do të hynte në koalicion, nëse kryeministër do të jetë Hashim Thaçi.
Nëse nuk realizohet kushti i AAK’së, kjo parti ka vendosur të mbetet në opozitë.
Qëndrimi i AAK’së është miratuar të martën në organin më të lartë të partisë – Këshillin Drejtues.
Nënkryetarët e partisë nuk dolën të flasin para medieve për qëndrimet e fundit të AAK’së. Në vend të tyre, vendimin e partisë e prezantoi Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë dhe këshilltar i Ramush Haradinajt.
“Këshilli Drejtues dhe Kryesia e AAK’së janë të bindur se rrugëdalja më e mirë në rrethanat e sotme në Kosovë është krijimi i koalicionit të gjerë midis PDK’së, LDK’së dhe AAK’së, si mundësi e vetme për të tejkaluar situatën e rëndë në të cilën gjendet Kosova. Në një përbërje të tillë, AAK’ja do të jepte kontributin e vet për të stabilizuar shtetin e Kosovës, tejkaluar ngërçin politik, përmirësuar kornizën ligjore zgjedhore dhe për të vendosur sundimin e ligjit në prioritet të pashmangshëm”, ka thënë ai.
Pozicioni i ri i AAK’së, që është ide e Blerim Shalës, duket si një ultimatum.
“Në rast të mosmbështetjes së këtij propozimi nga subjektet tjera politike, Këshilli Drejtues dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendosin sot, e martë, 8 shkurt 2011, që AAK përfundimisht të qëndrojë në opozitë parlamentare”, ka thënë Tahiri.
Ai tha se Këshilli Drejtues dhe Kryesia e AAK’së vlerësojnë se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për qartësi politike, veprime të mençura institucionale në mënyrë që të ndryshohet për të mirë kahja që ka marrë vendi për shkak të procesit të lënduar zgjedhor dhe qeverisjes së keqe në tri vjetët e kaluara.
Për qëndrimet e saj, AAK, sipas Tahirit, e ka njoftuar gjatë gjithë kohës kryetarin e LDK’së, Isa Mustafën. Mirëpo, nuk ka një përgjigje se si mund ta presë LDK’ja propozimin për bashkëqeverisje, duke pasur parasysh faktin se tashmë kjo parti është shprehur kundër hyrjes në një koalicion, pjesë e të cilit do të ishte edhe PDK’ja.
AAK ende nuk marrë ftesë nga PDK’ja, por Tahiri ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.
“Po që se do të kemi ndonjë ftesë, ne gjithsesi se do të diskutojmë, për arsye se mendojmë se është në interes të vendit, është në të mirën e vendit dhe është për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
PDK vendos sot
Partia Demokratike e Kosovës nuk e pranon në asnjë mënyrë kushtin e AAK’së për koalicion.
Memli Krasniqi ka thënë të martën për Express se askush nga partitë nuk mund t’i paraqesë kushte PDK’së si parti fituese e zgjedhjeve.
“Aq më pak partitë e vogla, të cilat kanë pësuar rënie në procesin e fundit zgjedhor”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, në PDK ende nuk është vendosur se cilat parti do të ftohen në biseda për koalicion.
“Të mërkurën do të kemi mbledhjen e Kryesisë dhe do të vendoset kë do ta thërrasim e kë jo. Por, sipas gjitha gjasave, zhurma irracionale që po e bën AAK’ja realisht mund t’i lë ata në vend ku janë, në opozitë, sepse ka mundësi që ne mos t’i dërgojmë fare ftesë për të biseduar për koalicion”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se është e pakuptimtë që AAK të luajë zëdhënësin e LDK’së, që është parti dy herë më e madhe se AAK.
“Nuk besoj që u bën nder as atyre që një parti tjetër të flasë për ta. Se kush do të jetë në qeveri, vendos PDK’ja dhe në asnjë mënyrë partitë tjera”, tha Krasniqi.
LDK nuk ndryshon
Lidhja Demokratike Kosovës i ka dërguar selame AAK’së se ajo nuk është duke e bërë qeverinë, por PDK si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija ka deklaruar të martën për Express se AAK e ka mirë që e konsideron LDK’në si partner dhe duhet ta konsiderojë si partner.
“Por, në këtë moment, PDK’ja e ka mandatin për formimin e qeverisë. Mendoj që duhet t’i japim kohë PDK’së që të provojë ta bëjë qeverinë. Si do të jenë zhvillimet, do të shohim ditëve në vijim”, ka thënë Sahatqija.
Sipas saj, LDK nuk ka lëvizur dhe nuk do të lëvizë nga qëndrimi i saj se nuk hyn në qeveri me PDK’në.
“Nuk ka asnjë ndryshim apo vendim që mund të na ndryshojë neve”, ka thënë Sahatqija.
Sot ftesa për AKR’në
Në mbledhjen e Kryesisë së PDK’së, e cila pritet të mbahet sot, sipas një zyrtari të lartë të kësaj partie, pritet të vendoset që Aleancës Kosova e Re t’i dërgohet ftesa për të filluar bisedimet zyrtare për qeverinë e re.
“Ftesa e parë do t’i dërgohet AKR’së dhe kjo do të dërgohet të mërkurën, ndërsa takimi pritet të ndodhë të enjten”, ka thënë zyrtari i PDK’së.