E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shpejtësi tej normave dhe të dehur në timon, 16 shoferë të arrestuar në 72 orët e fundit në vend, pezullohen 104 patenta

16 shoferë janë arrestuar në 72 orët e fundit në vend, pasi u kapën duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Në një njoftim për mediat, Policia Rrugore bën me dije se po ashtu janë pezulluar 104 leje drejtimi, për shpejtësi tej normave të lejuara, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt.

2345 gjoba janë caktuar për parakalime të gabuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit, mosvendosje të kaskës mbrojtëse etj.

Policia Rrugore njofton se ka kryer kontrolle nëpërmjet mjeteve inteligjente, dronëve, kamerave, radarëve automatikë, ku është konstatuar një automjet, me drejtues një shtetas nga Bosnja dhe Hercegovina, duke qarkulluar me shpejtësi deri në 184 km/h në Bypass-in e Fierit dhe një automjet me drejtues një shtetas nga Kosova duke udhëtuar deri 156 km/h në Rrugën e Kombit.

Policia Rrugore bën thirrje që të zbatohen rregullat e qarkullimit rrugor dhe mos rrezikohet jeta duke bërë video me qëllim publikimin në rrjete sociale, pasi tashmë funksionon një njësi e posaçme për monitorimin e rrjeteve sociale ku publikohen paligjshmëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›