Mashtrimet kompjuterike, në një javë 25 kallëzime dhe 50 referime, ende asnjë i arrestuar

Teksa ka kaluar një javë nga nisja e një fushate mashtrimi nga persona ende të paidentifikuar, ku përmes email-eve që u vijnë qytetarëve apo kompanive, ku përdoret edhe Policia e Shtetit, synohet t’u merren para, kjo e fundit ende nuk ka asnjë person të shoqëruar apo arrestuar nga uniformat blu.
Burime brenda Policisë thanë se hetimet intensive po vijojnë nga ekspertët e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilët po bashkëpunojnë edhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për të çuar në identifikimin dhe vënie para drejtësisë të autorit apo autorëve.
Në kallëzimet e bëra në Polici, personat fizikë por edhe drejtues kompanish kanë deklaruar se ata kanë rënë pre e mashtrimit, pasi në email është përdorur edhe emri i drejtorit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, ndërsa u është përcjellë edhe një format vendimi gjykate.
Sipas policisë, në tri ditët e para pas njoftimit publik kallëzimet dhe referimet kanë qenë të menjëhershme ndërsa ekspertët kanë arritur parandalimin e pasojave të mëtejshme për qytetarët.
Ende nuk dihet se cili është dëmi ekonomik që u është shkaktuar qytetarëve apo bizneseve të targetuara nga autori apo autorët e këtij mashtrimi kibernetik.
Policia ka bërë thirrje që të gjithë personat të cilët kanë pasur një email të tillë në postën e tyre elektronike të denoncojnë rastin në polici.
Gazetare: Flutura Tota
/RTSH/