Shpendi zëvendëson Atifeten
Një ditë pasi është zgjedhur presidente e vendit, Atifete Jahjaga ka dhënë dorëheqje nga funksioni i zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme për operativë në Policinë e Kosovës.
Në shenjë nderimi për punën që ka bërë në Policinë e Kosovës, presidentja e re e vendit Atifete Jahjaga është nderuar me mirënjohje dhe medalje nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.
“Jam shumë i bindur që këtë punë do ta kryej në mënyrë të shkëlqyer dhe do të kontribuoj për Kosovën që të kemi edhe më shumë njohje dhe natyrisht ndihemi krenarë se është hera e parë që një presidente në Evropën Juglindore zgjidhet në Kosovë dhe me sa di unë edhe Finlanda ka pasur presidente, kështu që duhet të ndihemi krenarë. Nuk kam qëllim të flas për vlerat e presidentes, ngase ato janë të dëshmuara me një punë të përkushtuar, me profesionalizëm, me një kolegialitet dhe mirësjellje i ka arritur të gjitha këto me meritë të plotë dhe natyrisht ne premtojmë që do të kemi bashkëpunim maksimal”, ka thënë ministri Rexhepi.
E drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka thënë se institucioni që ai drejton ndihet i nderuar që një punëtore e tij merr detyrën e kreut të vendit dhe se ajo si presidente do të ndihmojë në fuqizimin e sundimit të ligjit.
“Është nder dhe është privilegj për Policinë e Kosovës, është kënaqësi për të gjithë ne dhe ndihemi të nderuar si Polici e Kosovës që një kolege jona tani merr detyrën e presidentes. Me këtë hapet perspektiva për të gjitha ata që punojnë në sektorin e policisë se do të jenë jo vetëm e sotmja, por edhe e ardhmja e vendit”, ka thënë Maliqi.
Nga ana e saj, presidentja Jahjaga ka falënderuar Policinë e Kosovës për kontributin e dhënë bashkërisht dhe ka premtuar se do të vazhdojë të punojë në rrugën e sundimit të ligjit.
“Sot kur jam zgjedhur në detyrën e re, kur gjendem para një sfide të madhe në karrierën time, dua t’ju them faleminderit për punën që kemi bërë bashkërisht, për rezultatet e sukseset. Kemi arritur bashkërisht, ju garantoj se nga detyra e presidentit të vendit do t’ju jap gjithë mbështetjen time dhe përkrahjen e nevojshme në këtë rrugë dhe në këtë mision në shërbim të qytetarëve të vendit”, ka thënë presidentja Jahjaga.
Vakuumi institucional për këtë pozitë është plotësuar qysh në ditën e premte, kur ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka emëruar zëvendësdrejtor të përgjithshëm Shpend Maxhunin.
Këtë e ka konfirmuar për Express vetë ministri, i cili ka thënë se kjo është e drejtë ekskluzive e tij.
“ Unë sot kam emëruar z. Shpend Maxhuni si u.d të drejtorit të përgjithshëm të policisë së Kosovës”, ka thënë ministri Rexhepi për gazetë.
Maxhuni deri në emërimin në këtë pozitë ka qenë zëvendës i zëvendësdrejtores për operativë në Policinë e Kosovës.
Zv/drejtori aktual pati konkurruar edhe për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës në konkursin që ishte hapur para disa muajsh.
Ndyshe, Atifete Jahjaga është zgjedhur dje presidente në rrethin e parë të votimit në Kuvendin e Kosovës, duke marrë 80 vota përballë Suzanë Novobërdaliut, që ka marrë vetëm dhjetë vota nga gjithsej 100 deputetë të pranishëm, derisa dhjetë fletëvotime ishin të pavlefshme.
Zgjedhja e presidentit të ri të vendit vjen pasi që Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj konstatoi se zgjedhja e Behgjet Pacollit më 22 shkurt ishte jo kushtetuese.
Jahjaga (36) ishte e nominuar nga partnerët e koalicionit qeverisës PDK-AKR dhe partisë më të madhe opozitare, LDK, të cilat arritën marrëveshje për daljen e vendit nga kriza politike.