Bonot në nëntor

Institucioneve financiare dhe bizneseve kosovare shumë shpejt do t’u krijohen mundësi më të mëdha për financim përmes letrave me vlerë. Ministria e Financave është në përfundim të punës në Projektligjin e Letrave me Vlerë, i cili parashihet që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti të procedohet në Kuvend. Kjo ministri në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës kanë hapur ofertën për platformën elektronike për tregtimin e letrave me vlerë të Qeverisë.
Burime të gazetës brenda Qeverisë kanë treguar se emetimi i bonove të thesarit do të bëhet në muajin nëntor.
“Gjatë muajit nëntor pritet të emetohen bonot e thesarit e për emetimin e tyre është përzgjedhur një kompani e huaj”, ka thënë ky burim për gazetën.
E emetimi i këtyre letrave ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit të kaluar. Por, kjo ministri është vonuar në përgatitjen e procedurave, të cilat janë të nevojshme për të filluar emetimin e tyre. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se emetimi i tyre do të ketë ndikim vetëm në sektorin financiar.
Zyrtarja për informim në Ministrinë e Financave, Fatime Lumi, ka thënë për Express se kjo ministri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti do ta dërgojë Projektligjin për Letrat me Vlerë në Qeveri për miratim dhe pastaj pritet të procedohet edhe në Kuvend. Lumi tregon se Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës kanë hapur ofertën për platformën elektronike për tregtimin e letrave me vlerë të Qeverisë, depozitimin dhe sistemin e valutimit . “Pas procedurave të kontraktimit, pritet që të bëhet përzgjedhja e kompanisë, e cila do të bëjë ofrimin e platformës elektronike për tregun primar, tregun sekondar, kliringun dhe valutimin e letrave me vlerë të Qeverisë”, tha Lumi.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Nagip Skenderi, tha për gazetën se bizneset dhe shteti me mosfunksionimin e tregut të letrave me vlerë humbin seriozitetin e të qenit biznes i shëndoshë dhe me një perspektivë ekonomike edhe jashtë konturave të qenit biznes nacional. Sipas tij, miratimi i letrave me vlerë në një ekonomi nacionale është i një rëndësie të veçantë, ngase edhe më tej e forcon sistemin monetar të atij vendi, si dhe bën konsolidimin e sistemit financiar.
“Kështu që bizneset do të forcoheshin përmes një instrumenti shumë të qëndrueshëm financiar, që do të ndikonte edhe në klimën e tyre ekonomike dhe besueshmërinë ndaj partnerëve ekonomikë”, tha Skenderi. Ai e sheh të domosdoshëm fillimin e emetimit të letrave me vlerë. E me këtë, sipas tij, forcohet ekonomia edhe në aspektin e instrumenteve politike, ekonomike për realizimin e objektivave makroekonomike shtetërore.
Rudina Heroi, hulumtuese në Institutin për Studime të Avancuara”GAP”, tha se letrat me vlerë konsiderohen një mundësi e mirë financimi për qeverinë. Sipas saj, këto letra shihen si pozitive, meqenëse ato ruajnë stabilitetin financiar të shtetit.
“Në rast të mungesës së parasë në qarkullim, Banka Qendrore e Kosovës blen letra me vlerë në mënyrë që të fusë më shumë para në qarkullim, ndërsa kur ka shumë para në qarkullim, BQK vendos të shesë letra me vlerë”, tha Heroi.
Përderisa Kosova është në një pozitë të pafavorshme politike dhe financiare, mundësia e shitjes së këtyre letrave me vlerë, sipas saj, është me interes të lartë. Ajo thotë se kjo mund të mos jetë atraktive për blerësin dhe mbi të gjitha sektori bankar edhe më tutje do të jetë ai më konkurrenti, meqenëse letrat me vlerë nuk do të shihen si konkurrente nga ky sektor. E shtetet e regjionit tashmë sa kohë i kanë lëshuar në qarkullim letrat me vlerë, përderisa Kosova pritet që këtë vit të procedojë së pari më hartimin e ligjit e më pas edhe me shitjen e tyre.