E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatësi nga Prizreni: Vokshi, arrogante dhe në sallën e gjyqit



PRIZREN - Për herë të parë ka folur për mediat kosovare gjyqtari i Prizrenit, i cili ka dhënë vendimin në lidhje me incidentin e deputetes e Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Në rrëfimin që ka dhënë për gazetën “Koha ditore”, gjyqtari Nazim Vllaqo ka treguar se deputetja shqiptare e kishte vazhduar sjelljen e saj arrogante edhe gjatë seancës ku është dhënë masa ndaj saj prej 250 eurosh. Një ankesë gjyqtari prizrenas ka edhe për dy kryeministrat, të Kosovës dhe të Shqipërisë. “Ata kanë paragjykuar punën time”, - ka thënë në intervistën e tij gjyqtari Nazim Vllaqo.
ANKESA NDAJ KRYEMINISTRAVE
Gjyqtari Nazim Vllaqo, që e dënoi ditë më parë deputeten nga Shqipëria, Albana Vokshi, me 250 euro, i është gëzuar shumë vizitës së gazetarëve. “Shumë mirë që erdhët, se ne askush nuk na ka pyetur asgjë”, - u shpreh ai. Dy kryeministrat shqiptarë ia kishin nëpërkëmbur dhe fyer punën e tij, shkruan gazeta “Koha Ditore”. Vllaqos, pas i dridhur syri dhe buzagaz, i quan të dy kryeministrat si njerëz që kanë paragjykuar me deklarimet e tyre për tastin e deputetes Albana Vokshi. I sapoemëruar në detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Prizren, ai është sfiduar nga një deputete, të cilën e quan arrogante për shkak të sjelljeve të saj të pahijshme. “Unë e kam një ligj përpara, ligjin për kundërvajtje, që nuk njeh privilegje për deputetët, ndërsa dënohen ata që prishin qetësinë publike”, - thotë ai. I pyetur nëse është ndier i frikësuar apo nën presion pas deklarimeve të dy kryeministrave, ai thjesht i ka quajtur ata paragjykues. “Mua më ka ardhur shumë keq pse kanë folur ashtu, pa u parë dhe pa u konstatuar gjendja faktike. Prandaj mendoj se janë ngutur për shkak se ka procedura të ankesës, nëse nuk pajtohen me vendimin që e kam marrë unë. Ato deklarime janë paragjykime”, - shprehet Vllaqo, i bindur se ka vepruar drejt.
ARROGANCA E DEPUTETES
Ai është prekur shumë kur deputetja i kishte quajtur policët kriminelë dhe ua kishte përmendur policinë serbe. “Ne jemi afër me kufij, ne jemi një popull edhe krejt çka është kërkuar nga deputetja ka qenë që të mos i fyente institucionet tona”, - thekson ai. Vllaqo i është gëzuar vizitës së gazetarëve edhe për një arsye tjetër. I vjen shumë keq për policët, por thotë se s’ka si t’i ndihmojë. Kur i është kërkuar të flasë për deputeten, thotë se sjelljet kanë qenë arrogante. “Sjelljet e deputetes kanë qenë arrogante. Edhe në gjykatë ka bërë sjellje të pahijshme, nuk ka përfillur asnjë procedurë, vazhdimisht e ngrinte zërin, madje është munduar që t’i tregonte procesmbajtëses se çfarë të shkruante. Katër avokatë i ka shfrytëzuar, me asnjërin nuk ka arritur të bashkëpunonte dhe avokatët i largoheshin”, - tregon Vllaqo.

Dialogu gjatë incidentit në kufi
Shprehjet e rënda si “kafshë” apo “ju s’dini gjë”, drejtuar policit kufitar të Kosovës, çuan para gjykatës deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Ajo u dënua me 250 euro gjobë për fyerje dhe moszbatim të urdhrit të personit zyrtar. Sharjet që kanë dalë nga goja e një deputeteje duhet të jenë përjetuar rëndë prej njërit nga pjesëtarët e Policisë Kufitare të Kosovës.
Të dielën në mesditë, në pikën kufitare në Vërmicë, ajo ka dashur të kalojë pa dhënë shumë llogari se kush është dhe pa i respektuar disa procedura ligjore. Në këtë moment thuhet se kishte plasur sherri. “Ju s’dini gjë”, - i është drejtuar Vokshi, deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë, policit kufitar të Kosovës. Fyerjet e saj kanë vazhduar edhe më tej. “Ti qenke kafshë”, - i ka thënë ajo policit. Deputetja Vokshi ndodhej e shoqëruar edhe me dy persona të tjerë dhe donte të hynte në territorin e Republikës së Kosovës pa u legjitimuar. “Do ta shikoni ju se kush jam unë”, - kishte vazhduar më tej deputetja Vokshi, kur kishte parë se polici kufitar as që kishte ndërmend të vepronte ndryshe për aq kohë sa ajo nuk kishte përfillur disa procedura.

Pezullohen policët i incidentit “Vokshi”
Policët e përfshirë në incidentin me deputeten Vokshi janë: Bujar Shala, Bekim Morina dhe Mjellma Shala. Polici që është përplasur verbalisht me Vokshin, Bujar Shala, është pezulluar nga detyra së bashku me tre kolegë të tij dhe ai nuk ka komunikuar fare me median. Kolegët e tyre tregojnë se fyerjet nga ana e deputetes Vokshi kanë filluar para se ajo të tregonte pasaportën diplomatike, e po kështu edhe reagimi i nxituar i policit, siç thonë ata, që ka ndodhur në atë kohë. Ndërkohë që Inspektorati Policor ka nisur hetimet ndaj kësaj çështjeje, policët e kufirit vazhdojnë të jenë të rezervuar në dhënien e informacioneve. Madje, komandanti i stacionit policor thotë se kjo është një çështje e mbyllur për policinë.

29 Nentor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›