Të drejtat e njeriut, Holanda dhuron Tulipanin
Qeveria holandeze ka filluar pranimin e nominimeve për Tulipanin e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut 2010. Lajmi u bë i ditur dje nga ambasada holandeze në Tiranë, sipas së cilës, ky çmim për të drejtat e njeriut akordohet nga qeveria holandeze për burrin apo gruan që ka treguar kurajo të veçantë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të bashkëqytetarëve të tij. Ceremonia e dhënies së çmimit do të zhvillohet në 10 dhjetor 2010, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Ridderzaal (Salla e Kalorësve) në Hagë. Çdokush nga ju mund të japë një kandidaturë për Tulipanin. Një juri do të vendosë në një listë të shkurtuar prej tre vetash dhe Ministrja do të përzgjedhë fituesin/en. Fituesi/ja do të marrë një statujëz bronzi në formën e një tulipani për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut dhe një shpërblim në kesh prej 10,000 euro. Për më tepër, ai ose ajo mund të dorëzojnë një projekt propozim deri në 10,000 euro për të mbështetur punën e tij/saj si një mbrojtës i të drejtave të njeriut, - bëri të ditur ambasada. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut nga e gjithë bota kanë mundësinë të nominohen. Ata duhet të jenë individë (jo organizata) puna e përditshme e të cilëve përfshin një mbrojtje të paqtë dhe një promovim të të drejtave të njeriut. Ata duhet që gjithashtu të kenë nevojë të mbështeten përballë rreziqeve ndaj të cilave i ekspozojnë aktivitetet e tyre dhe të qëndrojnë e të përfitojnë nga njohja dhe vizibiliteti që do tu japë fitimi i çmimit prej 10 mijë eurosh.